• |
ide | kryesore

Putin nuk njeh kufij, anekson zyrtarisht katër rajone të Ukrainës

-Instant, Arkiva, F1, Planet
putin


Vladimir Putin ka nënshkruar “traktatet e anëtarësimit” që zyrtarizojnë aneksimin e paligjshëm të Rusisë të katër rajoneve të pushtuara në Ukrainë. Ky veprim shënoi marrjen më të madhe me forcë të territorit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ceremonia e nënshkrimit, e mbajtur në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, u zhvillua në Pallatin e Madh të Kremlinit në prani të elitave politike të vendit dhe vjen pas referendumeve të rreme të orkestruara nga Kremlini në katër rajonet e Ukrainës, Kherson, Zaporizhzhia, Luhansk dhe Donetsk.

Putin e nisi ceremoninë me një fjalim të gjatë, luftarak dhe të zemëruar. Në këte fjalim lideri rus lëshoi ​​kërcënime të reja bërthamore, duke premtuar se do t’i “mbronte” tokat e reja të aneksuara “me të gjitha forcat dhe mjetet në dispozicion“.

Populli ka bërë zgjedhjen e tij. Një zgjedhje e qartë… Ky është vullneti i miliona njerëzve”, tha Putin, duke shtuar se qytetarët e katër rajoneve të pushtuara do të jenë pjesë e Rusisë “përgjithmonë”.

Lexo më tej: Putin: Nesër aneksohen territoret e Ukrainës 

Menjëherë pas kësaj, Putin nënshkroi “traktatet e anëtarësimit” në një podium së bashku me krerët e instaluar nga Rusia të Zaporizhzhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk.

Disa orë më parë, forcat ruse nisën një sulm me raketa ndaj njerëzve që prisnin në makina në qytetin e Zaporizhzhia për të kaluar në territorin e pushtuar nga Rusia, në mënyrë që të mund të kthenin anëtarët e familjes në vijën e frontit, duke vrarë dhjetëra.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë thënë më parë se nuk do të njihnin kurrë pretendimet e Rusisë mbi territorin e Ukrainës, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha të enjten në mbrëmje se aneksimi “nuk ka vlerë ligjore dhe meriton të dënohet”. 

Vendimi i Putinit për të nënshkruar traktate që aneksojnë territoret, disa prej të cilave Rusia nuk i kontrollon plotësisht, është një përshkallëzim i madh i luftës shtatë-mujore të Rusisë dhe ka të ngjarë të mbyllë derën e diplomacisë për vitet në vijim.

Të marra së bashku, Rusia po anekson të paktën 40,000 milje katrorë të Ukrainës lindore dhe jugore. Thënë ndryshe, rreth 15% të sipërfaqes totale të Ukrainës, e barabartë me madhësinë e Portugalisë ose Serbisë.

Rajonet që aneksoi Rusia sot. Zonat rozë tregojnë kontrollin e forcave ruse, zonat e verdha atë ukrainas:

Putin ka thënë në mënyrë të përsëritur se është gati të mbrojë territoret duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion. Madje, ai ka treguar se do të ishte i gatshëm të përdorte një sulm bërthamor për të shmangur përpjekjet e Ukrainës për të çliruar tokën e saj sovrane.

“I bëj thirrje regjimit të Kievit të ndalojë të gjitha armiqësitë, të ndalojë luftën… dhe të ulet për negociata”, tha Putin në fjalimin e tij të premten.

Lexo më tej: Analiza e DW: Çfarë dëshiron të arrijë Putini me pseudoreferendumet në Ukrainë 

Kievi ka treguar se do të luftojë për të rimarrë të gjitha tokat e tij. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, premtoi një përgjigje të fortë ndaj aneksimeve. Zelenski ka thirrur një takim urgjent me shefat e tij të mbrojtjes dhe sigurisë.

Një koncert pop do të mbahet në Moskë të premten në mbrëmje në Sheshin e Kuq. Aty është ndërtuar një skenë me tabela elektronike gjigante që shpallin: “Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia, Kherson – Rusi!

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse Putin do të merrte pjesë në koncert. Ai organizoi një ngjarje të ngjashme në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi Krimenë.

Arsyet që fshihen pas nxitimit të Putin

Aneksimet e Putinit shihen gjerësisht si një përgjigje ndaj vështirësive ushtarake në rritje në fushën e betejës. Në fillim të këtij muaji, Ukraina i shtyu trupat ruse nga rajoni i Kharkiv, duke rimarrë zonat e pushtuara nga Moska në ditën e parë të pushtimit.

Rusia tani po përballet me një tjetër humbje të rëndësishme ushtarake. Me mijëra trupa të saj të rrethuar në Lyman, një bastion i rëndësishëm strategjik në veri të provincës Donetsk. Donetsku është një nga katër rajonet që Putini ka shpallur pjesë të Rusisë.

Oleg Tsaryov, një politikan pro-rus me origjinë ukrainase, shkroi në mediat sociale si vijon. “Situata është shumë e vështirë në Lyman. Djemtë tanë mund të jenë tashmë të rrethuar plotësisht sonte. Situata në Lyman është një sfond i keq për një festë.

Në një përpjekje për të ngadalësuar ofensivën e Ukrainës, Rusia javën e kaluar njoftoi mobilizimin e parë publik që nga Lufta e Dytë Botërore. Mobilizimi shkaktoi një vrapim drejt kufijve nga dhjetëra mijëra burra të moshës luftarake. Gjithashtu shkaktoi një ikje të re, ndoshta të paprecedentë të trurit. Zyrtarët pro-rusë në rajonin e pushtuar të Donetskut thanë se ushtarët e parë të sapomobilizuar mbërritën në Ukrainën lindore të premten.

Vendimi i Putinit për të aneksuar territore ndërsa mobilizon qindra mijëra rusë në shtëpi tregon se ai po rrit më tej aksionet në luftë, tha Tatiana Stanovaya, një analiste politike dhe themeluese e R.Politik.

Mënyra se si Putin flet për Ukrainën, është e qartë se për të ky është një problem ekzistencial. Për të, nëse Rusia nuk fiton në Ukrainë, nuk do të ketë Rusi”. Kështu tha Stanovaya. “Rusia po demonstron se është e gatshme të përdorë çdo mjet që ka në dispozicion për të arritur qëllimet e saj strategjike. Përfshirë armët bërthamore.

Përshtati nga The Guardian në shqip ©LAPSI.AL 

 


3 Comments

  1. Putini mori ate qe i perk8ste Rusise dhe se ka mare te gjithen. Ukraina edhte ndertuar me 70 perqind toka Ruse. Ta marrin ta zhdukin si shtet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *