• |
ide | kryesore

Zbardhet dëshmia e vëllait të Fatjon Muratit: Po shihja Juventusin kur nisën të shtënat

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Fatjon



Fatjon Murati duhet të ishte në “arrest shtëpie”, por në fakt kishte shkuar në Turqi. Megjithatë kjo nuk ishte hera e parë që kishte lëvizur jashtë vendit. Burime për “Klan News”, bëjnë me dije se 32-vjeçari ka kaluar kufirin e Shqipërisë në datën 19 Janar të këtij viti. Për këtë rast, shenja dalëse ishte lënë në sistemin TIMS, por jo ajo hyrëse. Sipas dosjes, nuk ka një të dhënë të dytë se kur ai është rikthyer në Shqipëri. Por, besohet se ajo duhet të ketë ndodhur para datës kur oficeret e policisë bënin si zakonisht konfirmimin për zbatimin e masës së sigurisë.

Sa i përket sulmit të bërë në lokalin e tij në zonën e Don Boskos, në raportin e përpiluar thuhet se në vendin e ngjarjes kanë qenë prezentë 9 persona duke përfshirë edhe mbesën 10-vjeçare të viktimës Mimoza Paja. Kjo e fundit, e vetmja viktimë, në momentin kur ka nisur breshëria e armëve ka marrë një goditje në brinjë që ka qenë fatale për të

Sipas dëshmive të të pranishmëve në lokal, Policia ka mësuar se vëllai i Fatjon Muratit, Ervisi ka qenë duke qëndruar në këmbë së bashku me kushëririn e tij duke ndjekur ndeshjen Juventus-Sampdoria, ndërsa xhaxhai i tij i ulur në tavolinë me një nipin e tij dhe tre personat e tjerë në dy tavolina më tej. Asjnë nuk ka parë asgjë, por vetëm kanë dëgjuar zhurmën e sulmit.

“Jam ngritur në këmbë pasi të shtënat kanë mbaruar dhe nuk kam kuptuar kush janë autorët. Mimoza ishte e rrëzuar në tokë e mbuluar me gjak dhe aty kam kuptuar se kishte ndërruar jetë. Kam hipur xhaxhain Sahitin në makinën e Ervinit dhe e kam dërguar në spitalin ushtarak pasi kishte një dëmtim pas koke dhe në shpatull. Pasi kam lënë xhaxhain në spital jam kthyer te vendi i ngjarjes, pra tek lokali dhe kam parë se kishte ardhur policia,” – ka treguar Ervis Murati.

Edhe të plagosurit e tjerë deklarojnë se kanë gjetur mjete të rastit për t’u dërguar në spitalin e Traumës. Nga verifikimet paraprake hetuesit kanë arritur në përfundimin se shkak për sulmin në lokalin në pronësi të vëllezërve, Fatjon, Ylli, dhe Ervis Murati është hakmarrja, në vazhdën e ngjarjeve të tjera kriminale, por nuk e kanë përcaktuar se cila prej tyre është ajo që për të cilën janë hakmarrë sot.

Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, ekspertët e krimeve kanë arritur të sekuestrojnë 23 gëzhoja që janë shtënë nga armët e agresorëve, e i kanë dërguar në laborator për të parë nëse ka gjurmë të autorëve që mund të ndihmojë policinë në identifikimin e tyre.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *