Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, politikani veteran që ka shërbyer në postet më të larta shtetërore për 33 vjet, do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me ish ministrin properëndimor të ekonomisë Jakov Milatoviç, meqë asnjëri prej tyre nuk siguroi shumicën e mjaftueshme për një fitore në zgjedhjet e së dielës.
Qendra për Tranzicionin Demokratik njoftoi se në zgjedhjet presidenciale morën pjesë 344.700 votues, që i bie 63.6 për qind të 542.154 qytetarëve me të drejtë vote. Sipas raporteve të vëzhguesve dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dita e zgjedhjeve kaloi relativisht e qetë, pa ndonjë parregullsi të theksuar që do të mund të prishte procesin zgjedhor.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet pas 14 ditësh, me 2 prill, konkurrojnë dy kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave. Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga rivendosja e pavarësisë, por kësaj radhe zgjedhjet presidenciale u zhvilluan në një mjedis krize institucionale dhe politike.
Viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme dhe heterogjene parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan më tej ndarjet në skenën politike. Që nga viti 2020, nuk ka pasur përparim në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak të arritjeve të pamjaftueshme në procesin e reformës.
Vendi i vogël buzë Adriatikut u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017, pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016 për të cilin qeveria fajësoi agjentët rusë dhe nacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla./ VOA