• |
ide | kryesore

Siguria si alibi e marrëveshjes monopoliste për rritjen e çmimit të patentave

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Marrëveshja mes DPSHTRR, drejtorisë së Tatimeve dhe dy shoqata të autoshkollave u pretendua se synonte rritjen e sigurisë dhe luftën ndaj informalitetit në këtë sektor, por Autoriteti i Konkurencës pa vetëm një përpjekje për të rritur çmimet, ndërsa në marrëveshje problemet nuk adresohen. 

Artani, një 45-vjeçar nga Saranda, e dinte që tetorin e vitit të kaluar që mund të kishte një rritje të çmimit të patentave dhe nuk humbi kohë. I informuar nga një i njohur i tij që punonte në autoshkollë, ai u regjistrua menjëherë në kursin e shoferit për ta përfituar atë me çmimin e pandryshuar.

Artani nuk është i vetmi që u shqetësua nga rritja e çmimeve. Një vëzhgim i kryer nga BIRN në disa prej autoshkollave evidentoi se muajt e fundit ka pasur dyndje në dyert e zyrave të tyre për t’u regjistruar në kursin e patentës.

Edhe në poliklinikat e qyteteve kishte radhë të gjata, pasi qytetarë të shumtë kërkonin të pajiseshin me raportet mjekësore të nevojshme për t’u regjistruar në autoshkollë.

Fluksi i madh erdhi si pasojë e një marrëveshjeje monopoliste të nënshkruar në mesin e muajit shkurt mes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe dy shoqata të autoshkollave që synonte rritjen e çmimit të patentës, ose siç e cilësojnë këto institucione, “vendosjen e çmimit dysheme për këtë shërbim”.

Marrëveshja u konsiderua e paligjshme nga Autoriteti i Konkurrencës, e cila vlerësoi se ‘kufizonte, pengonte apo shtrembëronte konkurrencën në treg”. Megjithatë, firmëtarët nuk duken se kanë bërë një hap pas.

Sipas marrëveshjes, shërbimi i autoshkollës parashikohej të rritej nga dy deri në tre herë në varësi të kategorive – duke e futur Shqipërinë në listën e vendeve me çmimin më të lartë të marrjes së lejes së drejtimit në raport me pagat.

Leja më e zakonshme e drejtimit është ajo e klasit B dhe një kursant tashmë paguan rreth 45.000 lekë pa përfshirë kartonin apo dokumentet e tjera shëndetësore, por kjo kosto parashikohej që të rritej në 85.000 Lekë.

Autorët e marrëveshjes për autoshkollat e justifikojnë vendimin me rritjen e çmimeve, me kaosin e tregut të autoshkollave dhe me rritjen e sigurisë.

Tonin Gjinaj nga Shoqata Kombëtare e Autoshkollave, një prej bashkëfirmosësve të marrëveshjes, thotë se autoshkollat nuk janë kartel dhe nuk fiksojnë çmime, por i konsideron çmimet e propozuara si kostot reale të aktivitetit të tyre.

Gjinaj përshkroi gjithashtu një treg kaotik të autoshkollave, të cilat nuk e bëjnë të plotë programin mësimor teorik dhe praktik.

Duke argumentuar në favor të marrëveshjes, Gjinaj thotë se situata në sektorin e autoshkollave është në gjendjen e saj më të keqe “dhe ka prekur fundin”.

“Ky sektor është i degraduar, ka shumë evazion fiskal dhe tregu nuk është i formalizuar, por punojnë sekserët dhe mashtruesit,” tha Gjinaj për BIRN.

Gjinaj deklaroi gjithashtu se programi mësimor për marrjen e patentës është i mangët, pasi kostot janë të larta dhe shumë autoshkolla dalin me humbje.  “Në fund të muajit ne dalim me zero, nuk kemi mundësi të blejmë një mjet, nuk kemi të paguajmë taksat,” shtoi ai.

Të dhënat e aksidenteve rrugore sipas viteve të përdorimit të lejes së drejtimit. Burimi: INSTAT. 

Përtej gjendjes ekonomike të autoshkollave, në përpjekje për të argumentuar marrëveshjen e arritur dhe rritjen e çmimeve, kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhe dhe shoqatat, pretenduan se kishin në mendje sigurinë rrugore.

Ata pretenduan se shoferët e rinj dhe të patrajnuar siç duhet janë shkaktarët e aksidenteve më të shumta në vend – pretendim i cili nuk mbështetet nga të dhënat zyrtare mbi aksidentet.

Në 5 vitet e fundit, numri i shoferëve të rinj me deri 3 vjet eksperiencë në timon të përfshirë në aksidente thuajse ka mbetur i pandryshuar me një mesatare prej 245 aksidente në vit. Numri i aksidenteve me përfshirje të shoferëve me 3 deri në 9 vite në drejtim është në rënie nga viti 2018. Ndërkohë për numrin më të madh të aksidenteve duket se janë fajtorë ata që kanë mbi 9 vite në drejtim të mjeteve.

Për ekspertët e sigurisë rrugore, problemi nuk janë shoferët e rinj dhe rritja e çmimit jo domosdoshmërisht rrit dhe cilësinë e mësimdhënies në autoshkolla.

“Ndikimi i çmimit në raport me sigurinë rrugore është i vogël,” tha në një intervistë në RTSH Artur Sulçe, kreu i  Shoqatës së Ekspertëve, Rikonstruksionistëve dhe Vlerësuesve të Dëmeve në Aksidente Rrugore.

Pas vendimit të Komisionit të Konkurrencës, kreu i Drejtorisë së Transporteve, Blendi Gonxhe tha se marrëveshja nuk kishte fuqi detyruese, por la të kuptohej se nuk do të hiqte dorë.

“Reforma në tregun e Autoshkollave, formalizimi, fiskalizimi, stadardizimi nuk ndalet e do shkojë deri në fund,”, shkroi Gonxhe, duke përdor gërma kapitale për fjalën “nuk ndalet,”. /Anesti Barjamemaj Birn



2 Comments

  1. – sepse Sali Berisha ka vite që hallet e tij i ka ndarë me Ilir Metën në pushtet dhe opozitë.

    – sepse Sali Berisha ka “qit pushkë” në 21 Janar për Ilir Metën dhe ka vrarë në bulevard për atë që e ka projektuar si pasardhësin e tij.

    – sepse Sali Berisha e ka shpëtuar nga burgu me vendim të Gjykatës Lartë Ilir Metën për video përgjimin e Dritan Priftit.

    – sepse Sali Berisha po e josh me 50% të listave një mini-partiçkë që ka 3 deputet të Ilir Metës vetëm që ai të ndjehet mirë.

    – sepse Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë biznese të përbashkëta dhe kanë investuar para politikisht në këtë projekt.

  2. Sa rob te semure qe mban kjo toke. O kari i paemer me lart po ca lidhje ka komenti jot me artikullin.
    Sa per artikullin nje gje me vjen cudi. Flet ky kryeari i shoqates se autoshkollave dhe thote jemi pertoke, e mbyllim muajin me zero, nuk paguajme dot taksat etj etj.
    Fakti eshte qe autoshkollat jane shtuar dhe jane bere si tufa “bletesh”. Perderisa jane shtuar autoshkollat do te thote kerkesa eshte e larte, kjo tregon se ka treg dhe hane te gjithe. Se do ky surratqeni te fitoje vetem per vete eshte ceshtje tjeter dhe nuk ka lidhje, pra ankohet kot.
    Po ska faj se shteti ketu tek ne ka perfunduar ne dore te banditeve e batakçinjve e per pasoje rrugaçet e dallkauket bejne qejf e ankohen gjithnje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *