• |
ide | kryesore

Vettingu, shkarkohet prokurori Armand Gurakuqi

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Vettingu, shkarkohet prokurori Armand Gurakuqi



Prokurori i Tiranës, Armand Gurakuqi u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 28 prill 2023, pasi u konkludua se kishte kryer deklarime të pamjaftueshme për pasurinë, si dhe se nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për krijimin e tyre.

Po ashtu, në vlerësimin e përgjithshëm u çmua se marrdhëniet juridiko-financiare të krijuara nga bashkëshortja me një shoqëri ndërtuese, si dhe investimet e përsëritura duke përdorur mjete monetare në masë shumë më të madhe nga ato të disponuara nga vetë subjekti, i kanë krijuar bindjen Komisionit se prokurori Gurakuqi, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe se ka arritur nivel kualifikues për profesionalizmin.

Vendimi për shkarkimin e Gurakuqit u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Lulzim Hamitajn dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.

Armand Gurakuqi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe punoi prej gati dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Mungesat financiare

Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 92 m2 në Tiranë të blerë për 40 mijë e 500 euro, subjekti ka deklaruar të ardhurat dhe kursimet familjare në masën 20 mijë e 500 euro dhe kredi në vlerën 20 mijë euro të marrë në vitin 2007.

Nga analiza financiare kanë rezultuar balanca negative në shumat 402 mijë lekë dhe 206 mijë lekë për pagesat e kësteve të këtij apartamenti. Megjithatë, Komisioni ka çmuar se bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe duke mbajtur në konsideratë masën e kësaj pamjaftueshmërie, nuk mund të kualifikohet si pasojë shkarkuese.

Në vitin 2009, subjekti ka porositur një tjetër apartament me sipërfaqe 61 m2 në Tiranë, për çmimin 4.6 milionë lekë. Si burime ka deklaruar dy hua nga 2 milionë lekë dhe 600 mijë lekë nga kursimet familjare.

Nisur nga fakti se subjekti ka investuar në këtë pasuri duke pasur si kontribut të tij vetëm shumën 600 mijë lekë, ndërsa 4 milionë lekë ka deklaruar se i ka marrë hua, Komisioni e ka konsideruar pa logjikë ekonomike dhe ka ngritur dyshime mbi vëretësinë e huave.

Nga analiza paraprake financiare e KPK ka rezultuar se një prej huadhënësve, vjehrra e subjektit nuk ka pasur mjaftueshmëri të burimeve të ligjshme për të mbuluar shumën 2 milionë lekë dhënë subjektit. Për rrjedhojë ka rezultuar balancë negative në shumën 1.5 milionë lekë për pagesat në vitin 2009 dhe 342 mijë lekë në 2010-ën. Edhe pas rishikimit të analizës bazuar në shpjegimet dhe provat përfundimtare të subjektit, bilanci negativ në dy vitet ka mbetur i pandryshuar.

Po ashtu, KPK vlerëson se deklarimi i subjektit lidhur me burimin e kësaj pasurie nuk ka paraqitur plotësisht realitetin. “[…]Nuk krijohet bindja se kjo hua e përfituar nga vjehrra e subjektit, (edhe nëse është marrë vërtet kur pretendohet – rethanë kjo e paprovuar dhe e paqartë), të ketë pasur realisht subjektin si destinacion dhe përfitues fundor, pra të jetë përdorur prej tij si burim për këtë banesë”, shprehet KPK në vendim dhe i vlerëson gjetjet për këtë pasuri si shkak për shkarkimin nga detyra.

Nga verifikimet e kryera nga KPK ka rezultuar se në emër të subjektit figurojnë të regjistruara edhe disa pasuri të blera në vitin 2022, konkretisht një apartament me sipërfaqe 120.2 m2 me vlerë 84 mijë euro blerë në vitin 2022; dy garazhe me sipërfaqe nga 19.2 m2 dhe blerë për 1 milion e 126 mijë lekë secili; si dhe një depo me sipërfaqe 3.2 m2 me vlerë 180 mijë lekë.

Nisur nga fakti që këto prona janë blerë pas dorëzimit të deklaratës “veting”, si dhe pasi nuk janë gjetur indicie për përdorim të kursimeve të disponuara më herët, Komisioni ka vlerësuar se nuk ka arsye për të hetuar më tej lidhur me burimet financiare të krijimit të tyre.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar një bilanc negativ në vlerën totale prej 2 milionë e 693 mijë lekësh, pamundësi bazuar në të cilën Komisioni arrin në përfundimin se subjekti ka dështuar të provojë bindshëm pasuritë e tij.

Cënimi besimit

Në rubrikën e të dhënave konfidenciale të deklaratës së bashkëshortes të vitit 2012, është pasqyruar një kontratë huaje e vitit 2012 e lidhur me shtetasin F. Sh., për marrjen e një vlere prej 75 mijë euro. Në të njëjtën rubrikë, ajo ka deklaruar të drejta pasurore nga investimi, në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit të po atij viti të lidhur me një shoqëri ndërtuese.

KPK vëren se nga shqyrtimi i kontratave ka rezultuar se bashkëshortja e subjektit ka marrë një hua pa interes me afat 5 vjeçar në shumën 75 mijë euro nga shtetasi F.Sh. dhe këtë vlerë e ka investuar në ndërtimin e një objekti.

Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit do të kontribuonte financiarisht me shumën 75 mijë euro, nga e cila do të përfitonte deri në 15% të të gjithë preventivit të vlerës së ndërtimit dhe në përfundim të punimeve, 15% të fitimit të realizuar.

Deri në momentin e dorëzimit të deklaratës “veting”, prokurori Gurakuqi dhe bashkëshortja e tij nuk kanë deklaruar as shlyerje të huas dhe as përfitime të realizuara nga investimi i shumës 75 mijë euro.

Në përgjigje të pyetësorit nr. 2 gjatë procesit të vetingut, Gurakuqi ka deklaruar se jo vetëm që nuk është realizuar asnjë përfitim nga ky investim, por se shtetasi me të cilin është lidhur marrëveshja e bashkëpunimit, nuk ka kthyer as shumën që i është dorëzuar si financim.

Ndërkohë, nga dokumentacioni i administruar nga Komisioni, ka rezultuar se gjatë viteve 2019 dhe 2020, nga ana e subjektit dhe bashkëshortes së tij ka filluar shlyerja pjesërisht e huas në fjalë.

I pyetur nga Komisioni, huadhënësi ka shpjeguar se marrdhënia me prokurorin Armand Gurakuqi ka nisur në vitet 2005-2006, kur subjekti ka shkuar për të blerë apartamentin e parë. Ai ka shpjeguar se ka qenë pronar i truallit ku është ndërtuar objekti ku subjekti ka blerë apartamentin dhe nuk ka pasur asnjë interes tek prokuroria apo gjykata, pasi është inxhinier me profesion.

Huadhënësi ka sqaruar se vlerën 75 mijë euro e ka dhënë pa interes për shkak të miqësisë dhe se borxhin ia kanë kthyer.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit të administruar dhe shpjegimeve përfundimtare të subjektit në lidhje me huan 75 mijë euro, Komisioni vëren se rezulton që bashkëshortja e subjektit të ketë marrë hua nga një biznesmen për të investuar në zhvillimin e një projekti ndërtues nga një tjetër biznesmen, duke mos investuar asnjë shumë nga kursimet e veta.

“Subjekti ka investuar në mënyrë të përsëritur, duke përdorur mjete monetare të huazuara, në një masë shumë më të madhe sesa ato të disponuara nga vetë ai, madje në këtë rast investimi është kryer totalisht me burim financiar të përfituar nga një hua. Për rrjedhojë, Komisioni ka ngritur dyshime mbi vërtetësinë e huamarrjes në fjalë, duke i konsideruar si të vetë subjektit shumat e investuara nga bashkëshortja e subjektit në shoqërinë “***” sh.p.k”, citohet në vendim.

Nga vlerësimi i përgjithshëm i dinamikës së transaksioneve, rrethanave, deklarimeve, shpjegimeve dhe dokumenteve të administruara në lidhje me këtë marrëdhënie juridiko-financiare të krijuar de jure nga bashkëshortja dhe de facto nga vetë subjekti, në marrëdhëniet e huamarrjes dhe më shoqërinë me të cilën kanë investuar, Komisioni vëren një sërë faktesh që vlerëson se të ndërthurura mes tyre, çojnë në një kombinim shkak-pasojë që evidenton cenimin e besimit të publikut.

“Investimi i kryer në shoqërinë “***” sh.p.k. mbart tiparet që konkretizohen në ortakëri – ekspozim ndaj risqeve të biznesit, në këmbim të një përfitimi në raport me përfitimet e shoqërisë. Ky kontekst dhe kjo marrëdhënie rezultojnë jo në përputhje me pozicionin e magjistratit dhe cenojnë besimin e publikut”, vlerëson KPK.

Fakti që midis bashkëshortes së subjektit dhe shoqërisë nuk ka pasur një akt zyrtar që të revokonte apo ndryshonte marrëveshjen e bashkëpunimit të lidhur më herët mes tyre, tregon sipas KPK që është ende në fuqi.

Megjithëse përfitimi i 15% të fitimit që shoqëria do të realizojë nga ky investim, mund të ketë pasur shtyrje në kohë, KPK konstaton se detyrimi që kjo kompani mbart ndaj familjes së subjektit mbetet gjithmonë i ekzekutueshëm. Sipas KPK, nga kjo marrdhënie në të ardhmen familja e subjektit mund të gëzojë pasuri të paluajtshme të konsiderueshme, që e ka zanafillën mbi marrdhënie të dyshimta.

Nisur nga fakti se huadhënësi dhe investitori kanë pasur hetime dhe procese penale në prokurorinë ku subjekti ushtronte detyrën, ngre dyshime të arsyeshme se këto marrdhënie nuk duhej të vendoseshin qysh prej fillimit.

Duke vlerësuar historikun për të ardhurat dhe shpenzimet, apo lidhur me krijimin e pasurive nga subjekti, mundësitë e tij financiare ndër vite, KPK vlerëson se këto marrdhënie huadhëniesh të vazhduara janë një qasje për të shtuar pasuritë. “[…]Të cilat në fakt ngrenë dyshime apo krijojnë perceptimin se janë fiktive dhe kanë për qëllim shtimin e pasurive të vetë subjektit megjithëse ai nuk ka realisht të ardhura për të kryer ato.

Komisioni e vlerëson jo bindës pretendimin se investimi 75 mijë euro i kryer është financuar me bujari nga huadhënësi, pasi megjithëse ai ka pasur disponibilitet financiar të përkohshëm, nuk mund të privonte biznesin e vet nga një shumë e konsiderueshme monetare për një kohë relativisht të gjatë 5-10 vjet pa asnjë interes, ndërkohë që ka paguar interesa për marrjen e kredive të mëvonshme për të investuar në bizneset e veta.

“E gjithë sjellja e subjektit të rivlerësimit për kthimin e huasë ndaj shtetasit F. Sh. daton pas deklaratës veting, dhe pikërisht në periudhën e kryerjes së verifikimeve nga Komisioni, duke qenë kështu jo në harmoni me angazhimet e marra nga personi i lidhur (bashkëshortja) në marrveshjen e huasë. Po ashtu ata kanë deklaruar në deklaratën vetting një gjendje cash që e disponin në banesë, megjithëse ndodheshin në disa situata huamarrjeje ende të pashlyera nga vitet më pare” vëren KPK.

Komisioni çmon se sjellja e subjektit, dinamika në kohë e vetë marrëdhënies, si dhe kushtet dhe rrethanat në të cilat është krijuar dhe zhvilluar kjo marrëdhënie interesi, krijon bindjen se e gjithë kjo situatë është krijuar në mënyrë artificiale, për të evituar verifikimin e burimeve reale dhe duke tentuar fshehjen e gjurmëve të investimit të vërtetë.

Për rrjedhojë, është konkluduar se prokurori Armand Gurakuqi, me veprimet e tij, ka cënuar besimin e publikut e për pasojë duhet të shkarkohet nga detyra. /Birn



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *