• |
ide | kryesore

Video/ Abdou i jep fitoren Kukësit: Nica hakmerret me Laçin për shkarkimin në javën e dytë

-Instant, F1, Sport, Video
Abdou


Fitore e madhe e Kukësit, që mposht 1-0 Laçin në “Kukës Arena” për tu larguar momentalisht nga vendi i fundit në renditje. Vendosi goli i Abdou në pjesën e dytë, në një kërcim të fuqishëm me kokë. Stavri Nica vazhdon të koleksionojë pikë (10), duke i dhënë shpresë veri lindorëve. Për më tepër, tekniku mund t’i gëzohet një hakmarrje ndaj kurbinasve që e shkarkuan në javën e dytë të kampionatit, pas barazimit 3-3 me Erzenin. Për Mirel Josën është humbja e parë në tre javë, që kur është ulur në pankinën bardhezi.

Në ndeshjen e fundit të fazës së parë të kampionatit, Kukësi ka siguruar një fitore thelbësore për klasifikimin. Blutë mposhtën kurbinasit 1-0. Skuadra e Josës dështon të arrinte përkohësisht Egnatian në kreun e renditjes, me teknikun që pas dy fitoresh, provon humbjen e parë. Ndeshja ishte me ritëm, por tepër e ekuilibruar për të krijuar shumë raste. Mbrojtjet ishin shumë të kujdesshme për të mos lejuar hapësira e rastin më të mirë e kishin vendasit. Hasaj goditi shtyllën që në minutën e 3′, duke paralajmëruar Laçin. Një tjetër tentativë nga distanca e Hasajt e replika e Ujkës, ishin gjithcka për 45 minutat e para.

DIFERENCA NGA STOLI

Zhbllokimi i ndeshjes erdhi në pjesën e dytë me Abdou, i cili shfrytëzoi më së miri shansin e parë që iu shfaq. I sapofutur në fushën e lojës Abdou u imponua me një kërcim në zonë në krosimin nga e djathta, duke mos i lënë shans Dajsinanit. Laçi u spostua përpara në kërkim të barazimit dhe i shkoi pranë me Melo. Nica i besoi kundërsulmit që mund ta nxirrte fitues, por Dajsinani ndali si Salamin ashtu dhe Abdou.

Një gol i mjaftoi Kukësit për tre pikët, që e largojnë për momentin nga fundi i renditjes. Nica mund të jetë i qetë, ndërsa Josa, pas dy fitoreve, duhet të nisë nga fillimi, për të përmirësuar manovrën, që në Kukësi shfaqi sërish limite të theksuara.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *