• |
ide | kryesore

Balla vijon spastrimet e njerëzve të Çuçit, shkarkohet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme

Arkiva, Lajme, Të fundit



Taulant Balla vijon me spastrimin e njerëzve të paraardhësit të tij në Ministrinë e Brendshme, Bledi Çuçi. Pas shkarkimit të drejtorit të “Illyrian Guard”, Robert Lili dhe emërimin në vend të tij të Anduen Xhindit, sot është zyrtarizuar edhe një tjetër ndryshim.

Lapsi.al mëson se Enea Hoti është shkarkuar nga pozicioni i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme. Në vend të tij është emëruar Besmir Beja. Ky i fundit deri më tani ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Javë më parë u largua edhe Ardi Veliu nga pozicioni i drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Më shumë ishte një dorëheqje e detyruar nga Taulant Balla sesa një largim me vullnet të lirë. Balla pritet të shkarkojë edhe zyrtarë të tjerë të emëruar në kohën e Bledi Çuçit.

Mbetet për t’u parë nëse Ministri i Brendshëm do t’i “fikë kandilin” edhe Muhamet Rrumbullakut në krye të Policisë së Shtetit apo kreut të policisë së Tiranës, Tonin Vocajt, i cili përmendet nga dëshmitarët e dosjes së ish-kompleksit sportiv “Partizani” për presione gjatë kohës kur po kryhej privatizimi në qeverinë “Berisha”. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *