• |
ide | kryesore

Goditje e fortë për Kombëtaren U-21: Selimaj dëmtohet, Bushi thërret qendrorin e Laçit

-Instant, Sport
Selimaj



Nuk po shkojnë mirë gjërat për Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, e thirrur në çështje të mbrojë vendin e parë në grupin e saj eliminator drejt Europianit 2025. Kuqezinjtë e rinj nisën këtë të diel grumbullimin dhe përgatitjet zyrtare në Durrës, për ndeshjet kualifikuese. Të besuarit e Alban Bushit do të luajnë ndaj Rumanisë U-21 (17 nëntor) dhe Malit të Zi U-21 (21 nëntor). E sikur të mos mjaftojë fakti që të dyja ndeshjet janë në transfertë, Bushi duhet të bëjë tashmë edhe pa mbrojtësin Ermis Selimaj.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi do të mungojë për shkak të një dëmtimi. Kështu, Selimaj e ka të pamundur të jetë pjesë e skuadrës kuqezi në dy transfertat e rëndësishme ndaj Rumanisë dhe Malit të Zi. Në këtë pikë, trajneri Bushi ka vendosur të thërrasë lojtarin e Laçit, Agan Mjaki.

Lexo më tej: Nuk morën dot pasaportën shqiptare, Bushi humbet tre lojtarë: ndryshon lista e Kombëtares U-21

Shqipëria U-21 ndodhet në Grupin E bashkë me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë. Kuqezinjtë e rinj, ashtu si të rriturit, renditen në vendin e parë të grupit të tyre eliminator. Skuadra e Bushit ka tre fitore, ndaj Rumanisë U-21, Malit të Zi U-21 dhe Armenisë U-21 dhe vetëm një humbje, atë ndaj Finlandës U-21.

Me 16 nëntor, Kombëtarja U-21 do të udhëtojë drejt Rumanisë, ku një ditë më pas do të luajë ndaj vendasve ndeshjen zyrtare. Ndërsa më 21 nëntor ata do të luajnë ndaj Malit të Zi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *