• |
ide | kryesore

Video/ Bellingham fantastik, poker i Real ndaj Napolit: Arsenal bën 6, Inter shkon nga 3-0 në 3-3

F1, Sport, Video
Bellingham


Spektakël, e nuk mund të ishte ndryshe, në mbrëmjen e të mërkurës në Champions. Real Madrid nuk zhgënjen pritshmëritë e në Bernebeu thyen 4-2 Napolin. Pikë të plota për teknikun Ancelotti, që fitoi kundër ish-skuadrës së tij, falë një performance fantastike të Jude Bellingham: një gol e një asist. Arsenal shënon goleadën e mbrëmjes, duke realizuar një 6-0, që nuk lë diskutime, ndaj Lens. Inter kthehet nga Ferri i Lisbonës, duke rikuperuar tre golat e ish-lojtarit të tyre Joao Mario, në pjesën e dytë. Barazimi i parë i Bayern Munich, 0-0 me Copenhagen që kompromenton edhe më shumë punën për Manchester United.

GRUPI A

Bayern Munich dhe Copenhagen nuk i bënë keq njëri-tjetrit në ndeshjen në Allianz Arena, që përfundoi 0-0. Një rezultat që bëri veçanërisht të buzëqeshnin danezët: Grabara dhe shokët e tij u ngjitën në pesë pikë, arritën Galatasaray dhe kaluan Manchester United (4). Anglezët, pas 3-3 me Galatasaray do të kenë nevojë për një mrekulli për t’u kualifikuar. Danezët, të cilët do të luajnë kualifikimin në shtëpi kundër turqve, e nisën më mirë në Allianz dhe trembën Neuer me perlën e Roony Bardghji, i freskët nga ditëlindja e tij e 18-të. Bayern u përgjigj menjëherë me Thomas Muller, por Grabara ruajti barazinë në një pjesë të parë të këndshme, që pa të dyja skuadrat të kërkonin vazhdimisht golat. Në pjesën e dytë, Harry Kane dhe një Mathys Tel i ekzaltuar u ndezën, por Grabara mbrojti një pikë shumë të çmuar për Copenhagen në invazionin e fundit bavarez.

GRUPI B

Pothuajse gjithçka është përcaktuar në grupin B, falë paraqitjes madhështore të Arsenal. Gunners, të cilëve i ishte afruar PSV, sigurojnë vendin e parë në grup dhe shpengojnë humbjen në ndeshjen e parë kundër Lens. Përfundon 6-0 në Emirates, me francezët asnjëherë në ndeshje. Të besuarit e Arteta dominuan që në minutat e para dhe zhbllokuan sfidën në minutën e 12′ me Havertz pas pasimit të Gabriel Jesus. Braziliani dyfishoi shifrat, duke përfituar nga asisti i Saka (21′). Anglezi shënoi trigolëshin, duke shtyrë në rrjetë grushtimin e portierit pas goditjes së Martinellit (23′). Braziliani shënoi pokerin pastaj në minutën e 27′ pas një aksioni individual të shkëlqyer (27′). Në shtesë festës i bashkohet edhe Ødegaard (46′) dhe me 5-0 në pushim gjithcka ishte e mbaruar. Në minutën e 86′, Jorginho i kërkon Ødegaard ta lejojë të godasë penalltinë dhe italiani fiksoi rezultatin në 6-0.

Rezultati i Emirates kualifikon PSV në 1/8, duke parë përballjet direkte në favor me Lens (1-0 e 1-1). Por nga ana tjetër i dhuron një fije shprese Sevilla, që duke mundur Lens mund të kthehet në Europa League.

GRUPI C

Napoli rrëzohet 4-2 në Madrid ndaj Real, në raundin e pestë të Grupit C të Champions League.  Ndeshje plot emocione në Bernabeu me një Bellingham protagonist. Simeone zhbllokoi ndeshjen (9′), por vendasit e përmbysën menjëherë falë përgjigjes së rrufeshme të Rodrygo (11′) dhe golit të të zakonshmit Bellingham (22′). Në pjesën e dytë, një silurë e Anguissa (47′) iluzionoi napoletanët me barazimin, përpara se adoleshenti Nico Paz (84′), i ndihmuar nga një gafë e Meret, t’i kthente të besuarit e Ancelottit përsëri në avantazh. Një performancë fantastike e Bellingham, që shpërndau asist gjatë gjithë ndeshjes për Joselu. Sulmuesi i huazuar nga Espanyol, vetëm në shtesë të plotë, finalizoi pasimin e panumërt të Bellingham. Blancos shkojnë të parët, Mazzarri do të luajë gjithçka në “Maradona” kundër Bragës më 12 dhjetor, kur sidoqoftë do të mjaftojë një barazim.

Pikërisht kështu, sepse portugezët dështuan në shtëpio të mundnin Union Berlin të vendit të fundit. Gjermanët, që kishin vetëm një pikë në katër takimet e para, morën barazimin e dytë radhazi në Champions. Sfida, që shënoi debutimin e Nenad Bjelica si teknikun e Union, ishte e ekuilibruar në pjesën e parë. Ndeshja mori kthesë në minutën e 35′, kur faulli i rëndë i Niakaté i la portugezët me 10 lojtarë. E kështu, në minutën e 42′ Robin Gosens shënoi golin e avantazhit për berlinezët. Nuk ishte e thënë që ata të provonin fitoren e parë në Champions League, sepse Braga barazoi me Alvaro Djalò, që shfrytëzoi asistin e Horta, në minutën e 51′. Rezultati në Estadio Axa ndryshoi klasifikimin: udhëheq Real Madrid me 15 pikë, përpara Napolit (7) e Bragës (4), me Union i fundit në kuotën 2.

GRUPI D

Benfica dhe Inter barazuan 3-3 në raundin e pestë të Champions, në fund të një ndeshjeje të jashtëzakonshme plot kthesa. Në pjesën e parë në Da Luz, vendasit dominuan skenën. Portugezët kaluan lehtësisht në epërsi 3-0 me një trigolësh të ish-lojtarit zikaltër Joao Mario. Hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë dhe fantazisti e realizoi në minutë e 5′, të 13′ dhe të 34′, gjithnjë i vetëm përballë Audero. Zëvendësime të shumta të teknikut Simone Inzaghi në formacion, ku nga minuta e parë luajti Kristjan Asllani. Mesfushorit shqiptar iu besua edhe pjesa e dytë, që pa një skenar krejtësisht të kundërt. Pas pushimit Interi kompletoi një rikuperim të çmendur me Arnautovic (53′), Frattesi (58′) dhe penalltinë e Sanchez (72′). Në fund, Antonio Silva u përjashtua për vendasit dhe Barella u ndal nga shtylla në minutën e 95′. 11 pikë për Inter, që mbetet ngjitur me Real Sociedad.

Asgjë nuk do të ndryshojë në fakt, sepse edhe baskët nuk shkuan më shumë se barazimi në shtëpi, 0-0 kundër Salzburg. Vendi i parë do të diskutohet në sfidën direkte të dy skuadrave që kryesojnë grupin. Salzburg tashmë ka siguruar vendin në Europa League, mjafton të mos humbasë me dy gola diferencë, në ndeshjen e fundit me Benfica.

Lexo më tej: Video/ Dy gafa të Onana dënojnë United: 3-3 në Stamboll, anglezët nuk e kanë më kualifikimin në dorë

Champions League Group A
Galatasaray 3-3 Manchester United
Bayern Munich 0-0 FC Copenhagen
Champions League Group B
Sevilla 2-3 PSV Eindhoven
Arsenal 6-0 Lens
Champions League Group C
Real Madrid 4-2 Napoli
SC Braga 1-1 Union Berlin
Champions League Group D
Benfica 3-3 Inter
Real Sociedad 0-0 FC Salzburg


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *