• |
ide | kryesore

“Sot kryhet kjo punë”/ Prokuroria e Kosovës zbulon si Naimi porositi vrasjen e Liridonës

Arkiva, Lajme, Të fundit
prokuroria



Prokuroria e Prishtinës ka hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë të vrasjes së Liridona Ademajt. Sipas të dhënave, është zbuluar biseda kompromentuese e bashkëshortit të saj me nipin e tij, pak kohë para se sa të kryhej akti i rëndë i vrasjes së 30- vjeçares me një plumb në qafë. Të akuzuarit dolën ditën e diel para gjykatës ku janë njohur me masën e sigurimit personal duke u lënë në burg.

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë: “Sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt. Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë. Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”, – thuhet në dosjen e Prokurorisë sipas asaj që raporton “Kallxo.com”.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”, citon prokuroria.

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin. Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të zhvillojë një takim me qitësin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër. Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë autorin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi”.

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli.

Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshihet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend. I gjithë ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Gjatë ditës së djeshme, gjykata themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me parashtresën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit duke e aprovuar të njëjtën kërkesë. Këtë vendim e ka marrë gjyqtarja procedurës paraprake, Sulltane Hoti. Lidhur me pretendimin e prokurorisë se Murseli kishte ikur nga vendi i ngjarjes, ishte deklaruar vetë i dyshuari në seancën dëgjimore duke thënë se ai nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe se kishte qenë vetë i rrezikuar.

“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”, – thuhet se kishte thënë i dyshuari sipas vendimit të gjykatës. Avokati Ahmet Ahmeti kishte thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.

“I mbrojturi im nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyeje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”, – kishte thënë avokati Ahmeti. Në bazë të kësaj Ahmeti kishte kërkuar nga gjykata që kërkesën për caktimin e paraburgimit të mos e aprovojë, apo të caktojë një masë alternative.

Vëllai i Liridona Ademajt ka dalë ditën e djeshme, menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore para mediave të Kosovës duke treguar me detaje gjithçka ka mësuar dhe dyshuar natën e ngjarjes, ditën e ceremonisë dhe më pas. Ai ka treguar se nipi i kishte mbajtur paratë në grusht, në momentin që vrasësi iu kishte dalë përpara dhe në momentin që Naimi ka hapur dyert e makinës që të ikte bashkë me fëmijët, djali i ka mbajtur për orë me radhë paratë në të njëjtën dorë!

“Liridonën e pata në shtëpinë time. Iu luta të mos ikte atë ditë dhe të rrinte me ne. Doja që fëmijët të rrinin pasi unë jam shumë i lidhur me ta. Por ajo këmbënguli të ikte dhe më tha se kishte një drekë. Unë shkova në një vaki, në fshat, dhe pasdite më telefonoi bashkëshortja. Më tha kanë vrarë Liridonën. Por ngaqë isha në vend që nuk dëgjohej mirë biseda mendova, se bëhej fjalë për Liridonin.

Kemi një djalë xhahxhai me emrin Liridon dhe u mendova pak. Por te Liridona nuk më shkoi mendja asnjëherë. E mora sërish gruan në telefon dhe më tha ‘është vrarë Liridona’. Erdha në Prishtinë dhe në stacionin policor gjeta Naimin dhe dy fëmijët. Me fëmijët po merrej policia. Dukeshin që ende nuk e kishin kuptuar se Liridona kishte ndërruar jetë.

E pyeta Naimin se si ndodhi ngjarja dhe ai më tha se iu kishin dalë grabitësit me armë përpara dhe ai i kishte thënë Liridonës që t`i jepte të gjitha sendet. Por ajo kishte ngurruar në çantën e saj dhe ky kishte shfrytëzuar atë moment për t’u larguar me dy fëmijët duke e lënë motrën time të vetme në makinë. Më pas ai kishte ikur te një dyqan dhe kishte kërkuar të linte fëmijët.

Djali më tha në rajon: Dajë, ja ku i kam paratë, grabitësi nuk mi mori. Aty nisa të dyshoja pasi Naimi ishte i qetë por mendova se isha gabim dhe po kërkoja që të hidhej dritë mbi ngjarjen. Shkuam në ceremoninë e varrimit dhe më pas erdhëm në shtëpi. Fëmijët i lashë tek gjyshërit se mendoja se kanë dhimbje.

Edhe tani aty janë, te xhaxhai i tyre sepse ai ka fëmijë në moshën e tyre. Kur morëm vesh se Naimi ishte ndaluar bashkë me autorin e vrasjes dhe nipin e tij, atëherë e kuptuam se çfarë kishte ndodhur. Ata kanë qenë në Suedi dhe kanë jetuar mirë. Por në Suedi Liridona ka qenë e siguruar për jetën. Dyshojmë se ai e ka realizuar vrasjen për të përfituar sigurimin e jetës së saj”, – tha ndër të tjera vëllai i të ndjerës/ /Kallxo.com



1 Comment

  1. LEXONI MI FEMRA TIKTOKU DHE SIPERFAQESORE:

    Prepare to be tortured: – the price you will pay for dating a narcissist
    by A B Jamieson (Author)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *