• |
ide | kryesore

“El Pais”: Spanja kërkon ekstradimin e Amant Josifit, njeriut me mbështetje politike në Shqipëri

Arkiva, Lajme, Të fundit
eL PAIS



Gazeta e njohur spanjolle “El Pais” u ka kushtuar vëmendje përpjekjeve të autoriteteve vendase për ekstradimin nga Dubai të biznesmenit shqiptar Amant Josifi. Gazetarja Rebeka Carranco thotë se një prokuror, një gjyqtar dhe një ekip policie janë duke luftuar prej gati 6 vitesh për të çmontuar atë që ata e konsiderojnë si një rrjet global për mashtrimin e mijëra personave me investime të rreme financiare. Objektivi, thuhet në shkrim, është arritja e ekstradimit të Amant Josifit, 35 vjeç, biznesmen i njohur shqiptar, ish-këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, tashmë banues në Dubai.

“Gjykata e ka kërkuar që në nëntor të vitit të kaluar, kur në Shqipëri u zhvillua një operacion europian në disa call centera në pronësi të Josifit, ku persona të punësuar mashtronin qytetarët nga e gjithë bota. Ata nuk gjetën asnjë gjurmë të biznesmenit dhe që nga ajo kohë ai figuron zyrtarisht si i arratisur nga drejtësia. Sipas urdhrit të ekstradimit, hetuesit e akuzojnë atë se ka luajtur “një rol udhëheqës në një organizatë kriminale ndërkombëtare që, me përdorimin e inxhinierisë sociale, përfiton nga kryerja sistematike e mashtrimeve shumë të sofistikuara”, thuhet në shkrimin e El Pais.

“Josifi gëzon një mbështetje politike dhe sociale në vendin e tij, i cili e përjetoi si tërmet operacionin e arrestimit të tij një vit më parë. Si dhe arrestimin e tij zyrtar të mëpasshëm më 4 shtator në Dubai, nga i cili u lirua, në pritje të kërkesës për ekstradim në Spanjë. Kreu i gjykatës hetimore numër 2 të La Seu d’Urgell e bëri këtë më 15 shtator, me një urdhër të apeluar nga mbrojtja e biznesmenit.

Hetimi që përfshin Josifin është një nga më të rëndësishmit e kryer në Spanjë dhe Evropë, ku përfshihen edhe vende të tjera, si Gjermania, Finlanda apo Suedia. Policia vlerëson se ka më shumë se 235 mijë “viktima”, të një organizate që fiton 400 euro në minutë dhe 50 milionë euro çdo tremujor dhe që ndryshon emrat, domenet dhe vendet sa herë që dikush përpiqet ta ndalojë. Vetëm në Spanjë, ata kanë zbuluar rreth 17 mijë “viktima” të mundshme. Vetëm në qytetin e La Seu d’Urgell janë identifikuar 47 raste, në një mashtrim prej më shumë se 3.3 milionë euro, dhe 500 ankesa të tjera në të gjithë territorin”, – thuhet në shkrim.

LEXO EDHE: Amant Josifi, lidhjet me Olsi Ramën dhe si i shpëtoi prangave në Shqipëri

Hetuesit spanjollë pohojnë se Amant Josifi ka rolin kryesor dhe për këtë arsye gjyqtari kërkon ekstradimin e tij në Spanjë. Nga ana tjetër, biznesmeni pretendon se ka marrë me qira vetëm qendrat e thirrjeve dhe distancohet nga çdo aktivitet kriminal. Avokati mbrojtës i tij Gonzalo Boye thotë se Josifi është në dispocion të gjykatës, madje i është ofruar disa herë të dëshmojë me videokonferenca.

Ai argumenton se ekstradimi nuk përputhet me parimin e “proporcionalitetit”, përveç nëse objektivi “është vetëm dhe ekskluzivisht burgosja e z Josifi”. Prandaj, ai argumenton se ekstradimi i tij do të ishte një “masë joproporcionale, e panevojshme dhe e papërshtatshme, lëshimi i kërkesës për ekstradim është në kundërshtim të hapur me rregulloret e Unionit”. Gjykata këmbëngul se ekziston rreziku i lartë i arratisjes dhe përsëritjes së krimit, në një betejë ku tashmë fjalën e parafundit e ka Gjykata e Lleidas në Spanjë. ©LAPSI.al 

LEXO EDHE: Çfarë e lidh Amant Josifin me vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *