• |
ide | kryesore

E hipën Schumacher në një Mercedes: tentativa ekstreme për ta rikthyer në normalitet

Sport
Schumacher



Nesër, më 29 dhjetor, do të kenë kaluar ekzaktësisht dhjetë vjet nga ajo ditë e mallkuar në dëborë në Meribel, kur Michael Schumacher u rrëzua duke bërë ski jashtë pistës. Për fat të keq, në atë moment piloti legjendar goditi kokën në një gur, duke pësuar një dëmtim të rëndë, pavarësisht se mbante kaskë. Nga ai moment jeta e tij do të ndryshonte përgjithmonë. E pasuan koma, dy operacione në kokë, shtrimi në një klinikë zvicerane dhe më pas kthimi në shtëpi, në një vegjetim pa fund që zgjat që atëherë.

Që prej atij momenti, lajmet zyrtare për ish-pilotin e Ferrarit kanë reshtur dhe gjithçka që dihet i është besuar dëshmive – gjithmonë shumë diskrete – të atyre shumë pakëve, si Jean Todt dhe Luca Badoer, që mund ta vizitojnë. Ajo që ka mbetur sot nga Schumacher është përmbledhur në mënyrë mallëngjyese dy vite më parë nga gruaja e tij Corinna, e cila nuk e braktisi për asnjë moment: “Më mungon çdo ditë. Por nuk jam e vetmja që më mungon. Fëmijët, familja, babai i tij, të gjithë rreth tij. Të gjithëve u mungon Michael. Por Michael është aty, është ndryshe, por është”.

TENTATIVA EKSTREME

Ky Schumi “ndryshe” – me sa duket jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht larg – mori kujdesin më të mirë të mundshëm për të provuar të kthenin njeriun e dikurshëm apo dikë që i ngjante atij. Bild zbulon sot se, si pjesë e rehabilitimit të tij, ish-pilotin e hipën në një makinë Mercedes AMG. Qëllimi ishte të stimulohej truri me tinguj të njohur, pasi shtatë herë kampioni i botës kaloi mbi dy dekada duke garuar si në Formula 1, ku bëri debutimin e tij në Çmimin e Madh të Belgjikës 1991 me Jordan.

Lexo më tejRalf Schumacher ‘zbërthehet’ për Bild: “Michael më mungon, asgjë nuk është më si më parë”

Për më tepër, në këto dhjetë vjet piloti gjerman ka mundur të përdorë terapitë më të avancuara dhe nuk ka mbetur asnjë gur pa lëvizur në përpjekje për të përmirësuar gjendjen e tij aktuale. Sipas asaj që shpjegon Bild, ekipi që e ndjek 24 orë në vilën e tij në Gland, në liqenin e Gjenevës, përbëhet nga 15 persona, përfshirë mjekë, masazhatorë dhe asistentë. Megjithatë ka ligje të jetës që as një zot i pistave si Michael nuk mund t’i shmangej. “Shkenca e avancuar mjekësore ofron shumë mundësi sot. Por asgjë nuk është si më parë”, tha vëllai Ralf pak ditë më parë. Fjalë të vështira për t’u pranuar, të cilat vetëm të bëjnë të kuptosh se Schumacher, pothuajse 55 vjeç (do të jetë më 3 janar), ndoshta nuk do ta shohim më kurrë në publik.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *