• |
ide | kryesore

Shqipërisë nuk duhet t’i jepet pardon kur korrupton zyrtarët amerikanë

Blog



Një shprehje e famshme thotë se në ditët e fundit do të ketë luftëra dhe thashetheme për luftëra. Nëse kjo profeci do t’i drejtohej vetëm Ballkanit, ajo tashmë do të ishte përmbushur shumëfish. Thashethemet për konflikt janë shfaqur edhe një herë në Ballkan, me pretendime të vazhdueshme për ndikimin rus në stabilitetin e rajonit dhe Misioni Ushtarak i Evropës raportohet të jetë i shqetësuar për ndikimin rus si në Republikën Srpska, ashtu edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Duke marrë parasysh që zgjedhjet ruse po afrohen, 15-17 mars, dhe duke vënë në dukje se sa shumë “ish-komunistëve” të Evropës Lindore u pëlqejnë lidhjet me datat historike dhe ditëlindjet, pas dëgjimit të intervistës të Tucker Carlson me V. Putin, edhe një analist me gjimnaz mund të sugjerojë që, NATO thjesht të punësojë dikë që të kryejë një kërkim rutinë në internet se cilat ditë të rëndësishme po afrohen, dhe përgatitjet të vijojnë në përputhje me to. Për fat të mirë për Ballkanin, ditëlindja e Putinit nuk vjen para 7 tetorit (që është dita kur ndikimi rus dyshohet se luajti rol në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit në 2023).

Shqetësimet për rajonin kanë arritur në atë nivel sa Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se vetë Sekretari Blinken do të vizitojë Shqipërinë gjatë muajit shkurt për të riafirmuar një qëndrim të përbashkët amerikano-shqiptar në lidhje me “stabilitetin në Ballkanin Perëndimor” dhe “Sovranitetin dhe Integritetin Territorial të Ukrainës”. Vizita e Blinken do të pritet mirë në Shqipëri. Politikanë individualë shqiptarë kanë treguar se dinë të bëjnë çkamos për të promovuar përshtypjen e mbështetjes së tyre nga Shtetet e Bashkuara, madje për këtë janë të gatshëm të thyejnë shumë ligje amerikane, siç dëshmohet nga çështja “Bilal Shehu”. Në këtë vizitë nuk pritet të shkelet asnjë ligj. Një vizitë te refugjatët afganë të pritur nga Shqipëria, një vizitë në administratën shqiptare dhe në Ambasadën e SHBA-së, të gjitha bien në përputhje me idenë se politikanët shqiptarë vdesin për një rast fotografik (photo op), veçanërisht me personalitete amerikane.

Shqipëria mbetet në dukje pro-amerikane dhe një aleate në pastrimin e komplikacioneve të politikës së jashtme të Washington-it, nga të burgosurit e Gjirit të Guantanamos, tek (pothuajse) ndihma për çështjen e armëve kimike siriane, te muxhahedinët iranianë dhe te refugjatët afganë. Shqipëria e ka zgjeruar së fundmi këtë model për të ndihmuar Italinë me problemet e saj të emigracionit. Shqipëria padiskutim jep kontribute pozitive, ndonjëherë asimetrike për ekipin e NATO-s.

Megjithatë, Shqipërisë nuk duhet t’i jepet një leje kalimi falas, për atë që raporti i Komitetit Mbikëqyrës të Kongresmenit Raskin (Demokrat-Maryland) e përshkruan si “korrupsion të përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet bashkiake”. Për më shumë, Shqipërisë nuk duhet t’i jepet pardon kur përpiqet të korruptojë zyrtarët amerikanë dhe politikën e sigurisë së SHBA-së, për aq sa aktakuzat e Komitetit Mbikëqyrës dhe të Departamentit të Drejtësisë përshkruajnë anëtarët e lartë të qeverisë shqiptare, veçanërisht në Ministrinë e Energjisë, si incentivues të paligjshëm të një agjenti të lartë aktiv të FBI-së në emër të interesave ruse të naftës. Zyrtarët shqiptarë të përfshirë do të duhet të bëjnë më shumë sesa të paraqiten në dhomën e tejmbushur të Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve për të liruar veten nga pasojat e veprimeve të tyre, veçanërisht pasi Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional nënvizon pretendimet se praktika thelbësore e pastrimit të naftës ruse vazhdon. Aleatëve të Amerikës, aleatëve të NATO-s, nuk mund t’u jepet një lejekalim për të kompromentuar zyrtarët amerikanë, në mënyrë që këta të ndihmojnë anën ruse të një konflikti që Amerika po e kundërshton në mënyrë aktive.

Për të sjellë stabilitet në Ballkan, përgjegjësia në fund të fundit është mbi njerëzit e Ballkanit. Megjithatë, SHBA mund të ketë dhe mund të luajë ende një rol më efektiv. Kjo administratë amerikane trashëgoi një platformë të gatshme për krijimin e paqes përmes diplomacisë ekonomike, por zgjodhi që ajo të shpërbëhej. Duhet ta ringjallë.

Në vitin 2017, unë isha palë në një sërë takimesh, duke filluar nga Jerusalemi dhe deri në Kosovë, në përpjekje për të vendosur lidhje më të thella ekonomike mes dy vendeve. Ajo që nisi si një nismë ekonomike (një zgjerim i rolit që luajta si Kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë), tregoi potencial për implikime diplomatike. Në atë fazë, unë përdora lidhjet e mia nëpërmjet rolit tim si Zëvendës President Global i Legjislacionit të Republikanëve amerikanë në Diasporë për t’ia kaluar stafetën përmes anëtarëve Republikanë të Diasporës në Gjermani te ambasadori Richard Grenell, të cilin Presidenti Trump më vonë e emëroi si të dërguar special për bisedimet Serbi-Kosovë. Puna e ambasadorit Grenell rezultoi në “Marrëveshjen e Washington-it” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja përfshinte hapa drejt diversifikimit të energjisë dhe pavarësisë. Në rastin e Serbisë kjo nënkuptonte një pavarësi më të madhe energjetike nga Rusia. Korporata Financiare e Zhvillimit të SHBA-së vendosi lidhje më të mëdha me rajonin, duke përfshirë emërimin e një përfaqësuesi rezident. Ambasadat e SHBA brenda rajonit filluan të promovojnë energji dhe investime më të mëdha amerikane, duke përfshirë ardhjen e Exxon në Shqipëri.

Megjithatë, interesi i administratës aktuale për rajonin filloi të shpërbëhej ngadalë. Përfaqësuesi rajonal i DFC-së u shkarkua dhe nuk u zëvendësua. Mbështetja për investime për hidrocentralet e reja ka ngecur. Firmat amerikane, përfshirë Exxon, shfaqja e së cilës në promovimin e eksporteve amerikane të gazit ishte paralajmëruar, bënë një dalje të qetë. Së fundmi, qeveria amerikane bëri hapin e jashtëzakonshëm, jo vetëm për të braktisur në mënyrë pasive përfitimet e saj në diplomacinë ekonomike, por për të ndërprerë plotësisht eksportet e gazit amerikan. A janë të befasuar tani Shtetet e Bashkuara që dora e ndikimit të Rusisë mbetet e fortë në rajon?

Amerika duhet të zgjohet para realitetit ballkanik. Ajo duhet të ndalojë së toleruari aktorë individualë të korruptuar që mbështillen me flamurin amerikan për të promovuar politiko-pasurinë e tyre duke kompromentuar sigurinë amerikane. Amerika duhet të ndalojë vargun aktual të gabimeve në diplomacinë ekonomike dhe të riangazhohet me rajonin, jo vetëm diplomatikisht dhe ushtarakisht, por financiarisht, siç është iniciuar nga Marrëveshja e Washington-it. Ndryshe, më e mira që duhet të shpresojë Amerika dhe Ballkani përballë luftërave dhe thashethemeve për luftë, janë vetëm disa selfie me një zyrtar të Departamentit të Shtetit./Politiko.com



3 Comments

  1. Të cilësoje qartë që Ramës e qeverisë së tij të mos i jepet pardon sepse si është shkaktari i perdhosjes se Amerikës duke korruptuar Macgonigal.

  2. Shqiperia eshte kosh plehrash qe i bejne skema
    Dhe ja fusin me puc me ato gjera qe sia bejne dot asnje shteti tjeter.Shqiptaret skllever vari karsa

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *