• |
ide | kryesore

Egnatia, 4 pikë nga 15 të mundshme: Tetova thotë se po bën rotacion kur të tjerët po bëjnë pikë

Sport
Tetova


Kërkon të shkojë në Final four me të gjithë lojtarët në formë. Ky është shpjegimi i teknikut të Egnatias Edlir Tetova për mungesën e rezultateve, që e shohin jo fitues në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit. Kundër Dinamos vjen një 1-1 që vlerën e ka vetëm për të mos dalë kokëulur nga stadium, sepse tani rrezikon të shoh ndjekësit të afrohen kërcënueshëm për vendin e parë.

Përtej fitores në Kupë me Laçin kryesuesit kanë mbyllur një muaj të tërë pa fitore, që kur kalonin 3-2 Erzenin në Rrogozhinë. Ulja në stol hera herë e Ibrahimoglu, ca si shpesh e Fernandos e Joel, apo inserimi në mekanizma i Drame, tre ditë pas firmës dhe Dulisse, që debutoi me gabim në Shkodër, në atë humbje 2-1 me Vllazninë ka patur kosto dhe të konsiderueshme. 4 pikë nga 15 të mundshme e nëse është ende i pari, tetova duhet të falenderojë mungesën e vazhdimësisë së Partizanit dhe largësinë që e ndante pikërisht nga kuqeblutë, që tani janë rreziku më i madh për vendin e parë.

Lexo më tej: Video/ Zejnullai spektakolar, por Egnatia ngec: Dinamo i rrëmben barazimin në Rrogozhinë me Kaçorrin

RREZIKU MË I MADH PËR EGNATIAN…

Tetova edhe mund të ketë të drejtë në projektin e tij, për të shkuar pas 10 javësh me një organikë në tonus, me minuta në këmbë e me shpresën të jenë të gjithë në formë. Por rreziku është po aq në lojë, duke qenë se titullarët e përmendur mund të lëshojnë në intuitën e mekanizmave që deri tani kishin bërë diferencën. Pa harruar se skuadra mund të humbasë besimin se është më e mira, si pëlqen Tetova ta konsiderojë. E aq më tepër të mos jetë më e para me një distancë që sa vjen e reduktohet, për tu bërë kërcënuese, me Tiranën përpara, Vllazninë e Partizanin që kanë ende një ndeshje direkte për të luajtur me Egnatian. Ajo që skuadra tregoi kundër Dinamos, në plan loje, jo vetëm rezultati, duket një këmbanë alarmi, që Tetova bën mirë ta dëgjojë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *