• |
ide | kryesore

Rrezik për krisje të Rusisë me aleatët e saj, pas sulmit terrorist në Moskë

Arkiva, F1, Planet
Moskë



Përgjigja e Rusisë ndaj sulmit terrorist të së premtes së kaluar në Moskë mund të krijojë një krisje midis vendit dhe një prej aleatëve të tij historikë.

Persona të armatosur hapën zjarr brenda teatrit Crocus City Hall, duke vrarë 137 persona dhe duke plagosur të paktën 145 të tjerë, thanë zyrtarët rusë.

ISIS-K, një degë e grupit të Shtetit Islamik, mori përgjegjësinë për sulmin. Shtetet e Bashkuara thanë gjithashtu se ishte ky grup, ISIS-K, që qëndronte pas sulmit, duke cituar raportet e inteligjencës së tyre.

(Pamje të teatrit Crocus pasi terroristët kishin ekzekutuar dhjetra persona dhe më pas i kishin vënë flakën)

Media shtetërore ruse tha se katër të dyshuar u identifikuan si shtetas të Taxhikistanit.

Taxhikistani, një vend në Azinë Qendrore, ka lidhje të thella historike me Rusinë dhe dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Tani është pjesë e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të udhëhequr nga Rusia, për të cilën Presidenti rus Vladimir Putin ka shpresuar prej kohësh se do të ishte versioni i NATO-s i vendeve anëtare.

Sugjerimi se sulmuesit ishin nga Taxhikistani mund të krijojë tensione të reja midis këtij vendi dhe Rusisë.

Moskë
(Një memorial i improvizuar përpara vendit ku ndodhi sulmi në Moskë, një ditë pas tragjedisë)

Taxhikistani tashmë është përpjekur të distancohet nga sulmi.

Ministria e jashtme e Taxhikistanit tha të shtunën se raportimet se shtetasit e saj ishin të përfshirë ishin “të rreme”, raportoi The Moscow Times.

Ministria e Brendshme e vendit tha gjithashtu se dy nga të dyshuarit e përmendur fillimisht nga mediat ruse ishin në Taxhikistan në kohën e sulmit, sipas The Moscow Times.

Ndërkohë, presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon i tha Vladimir Putinit të dielën se “terroristët nuk kanë kombësi, as atdhe dhe as fe”, tha zyra e tij.

(Katër personat e arrestuar, nga Taxhikistani, në sallën e gjyqit pasi ishin torturuar egërsisht)

Lexo më tej: Rusia mburret me torturat, çfarë tregoi sulmi terrorist në Moskë 

Ndërsa lidhjet e Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut ndoshta janë rritur, Rusia është bërë më e izoluar në skenën botërore që kur nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Edhe aleatët afatgjatë me lidhje të ngushta kulturore dhe ekonomike, duke përfshirë Taxhikistanin, kanë zbuluar se kanë një far zhgënjimi nga Rusia.

Në tetor 2022, Rahmon u shfaq duke qortuar Putinin në fytyrë, duke kërkuar respekt për shtetin e tij.

Sipas Mail Online, Rahmon tha se Taxhikistani duhej t’i “përgjërohej” Rusisë që ajo të merrte pjesë në një forum në Taxhikistan. “Ne nuk po trajtohemi kurrë si partnerë strategjikë! Pa ofendim, por duam të na respektojnë!” tha ai.

Marrëdhëniet e Rusisë me anëtarët e tjerë të CSTO janë gjithashtu gjithnjë e më të tendosura dhe ekspertët e Rusisë dhe shteteve post-sovjetike i thanë më parë Business Insider se aleanca po shkatërrohej.

Disa nga këta ekspertë thanë se anëtarët e CSTO-së shikuan pushtimin e Ukrainës dhe besonin se Rusia tani nuk ka gjasa të jetë në gjendje t’i mbrojë ata dhe madje mund të vendosë t’i sulmojë ata.

Në fillim të këtij viti, presidenti i Armenisë tha se vendi kishte pezulluar pjesëmarrjen e tij në CSTO pasi e kritikoi shpesh këtë aleancë dhe vetë Rusinë.

Moskë
(Udhëheqësit rajonalë në një samit të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive në Pallatin e Madh të Kremlinit në Moskë në 2022)

Të dyshuarit në sulm janë shtetas të Taxhikistanit, por kjo nuk do të kundërshtonte përfshirjen e ISIS. As ISIS dhe as SHBA nuk kanë komentuar kombësinë e sulmuesve dhe ISIS ka rekrutuar në njerëz në këtë vend, raportoi The Guardian.

Rusia gjithashtu po bën gjithçka për të drejtuar gishtin tek përfshirja e Ukrainës në sulmin terrorist. Putin tha gjatë fundjavës se autorët po iknin në Ukrainë pas sulmit dhe se Kievi po i ndihmonte ata të arratiseshin.

Nga ana tjetër, Ukraina mohon çdo përfshirje në sulm tragjik në Moskë.

Kur filloi sulmi, njohësit e Rusisë parashikuan se Putini do të përpiqej të fajësonte Ukrainën, në mënyrë që të shmangte përgjegjësinë dhe ta përdorte sulmin për të nxitur mbështetje për luftën e tij në Ukrainë. Dhe pikërisht kështu ndodhi.

Lexo më tej: Frikë në Perëndim/ Ç’pritet të bëjë Putin pas sulmit terrorist në Moskë 

Ekspertët thanë gjithashtu se ISIS ka të ngjarë të kishte përfituar nga shpërqendrimi i Rusisë me konfliktin në Ukrainë. Vera Mironova, një bashkëpunëtore në Qendrën Davis në Universitetin e Harvardit, i tha Financial Times se ISIS e shihte si relativisht të lehtë të godiste Moskën si rezultat i këtij shpërqëndrimi.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski sugjeroi se Rusia mund ta kishte ndaluar sulmin nëse nuk do të kishte qenë duke luftuar me Ukrainën.

“Ata qindra mijëra rusë që tani po vrasin në tokën ukrainase do të mjaftonin me siguri për të ndaluar çdo terrorist,” tha Zelenski.

Business Insider, pështati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *