• |
ide | kryesore

Rusia mburret me torturat, çfarë tregoi sulmi terrorist në Moskë

Arkiva, F1, Planet
Rusia



Nuk kishte asnjë përpjekje për të fshehur provat e torturës nga Rusia. Në fakt, autorët e saj, oficerë që shërbejnë në ushtrinë ruse dhe shërbimet e inteligjencës, mund të kenë marrë tashmë çmime shtetërore për trimëri.

Në kohën kur burrat e akuzuar për vrasjen e 137 personave në një koncert të premten mbrëma u paraqitën në gjykatë në Moskë të dielën, fytyrat e tyre ishin të fryra dhe të shpërfytyruara, sytë e tyre të zbrazur.

Njëri, i quajtur Saidakrami Murodali Rachabalizoda, mbërriti me garzë mbi veshin e tij. Një video e publikuar në internet tregoi një nga kapësit e tij, i cili dukej se ishte personel ushtarak rus, duke i prerë veshin dhe duke ia futur në gojë, duke i thënë që ta hante. Të tjerët e rrihnin me kondakët e pushkëve.

Pas arrestimit, Shamsidin Fariduni u shfaq në një foto i shtrirë në dyshemenë e një palestre shkolle, me pantallona të shtrira rreth gjunjëve dhe me tela të lidhura në zonën gjenitale. Fotografia u publikua nga një kanal Telegrami të lidhur me grupin paramilitar Wagner dhe sugjeroi se Fariduni ishte torturuar me rrymë 80 volt dhe i ishte derdhur ujë në trup për të “intensifikuar efektin”. 

Dalerdzhon Barotovich Mirzoyev mbërriti me mavijosje të reja pas marrjes në pyetje. Ai kishte gjithashtu një qese plastike të mbështjellë rreth qafës së tij që vëzhguesit mendojnë se mund të ishte përdorur për ta asfiksuar.

Muhammadsobir Fayzov u soll në sallën e gjyqit në një karrige me rrota dhe u duk se humbi vetëdijen gjatë seancës. Fotografitë që qarkullonin në internet dukej se tregonin se i mungonte njëri sy, raportoi Reuters.

(Autorët e dyshuar për sulmin terrorist në Moskë çohen në gjykatë të torturuar brutalisht)

Ka pak ose aspak simpati në Rusi për personat e armatosur që sulmuan Teatrin Crocus të premten mbrëma dhe kryen sulmin më të keq terrorist në tokën ruse që nga rrethimi i shkollës në Beslan të vitit 2004.

Videoja e filmuar nga vetë burrat dhe e publikuar nga Shteti Islamik tregon se ata vrasin gjakftohtësisht burra dhe gra të plagosur që ndjekin një koncert rock.

Por promovimi i trajtimit brutal të të dyshuarve nga forcat e rendit dhe zyrtarët e lartë rusë pas kapjes së tyre ka befasuar edhe vëzhguesit me përvojë të shërbimeve ruse të sigurisë.

Pas dy vitesh luftë në Ukrainë, videot e vdekjes dhe torturave janë bërë të zakonshme në Rusi. Dhe metodat e torturës për të cilat flitej dikur vetëm në dëshmitë e dëshmitarëve, tani po promovohen në internet nga vetë autorët ndërsa publikojnë foto dhe video të brutalitetit për tu mburrur.

Studiuesit e të drejtave të njeriut thanë se nuk ishte ndonjë zbulim i ri që shërbimet ruse të sigurisë përdorin tortura kundër të dyshuarve për terrorizëm. Në vitin 2017, pas një bombardimi të ISIS në një stacion të metrosë në Shën Petersburg, Human Rights Watch zbuloi se një i dyshuar gjatë ndalimit të tij ishte kërcënuar me përdhunim me shkop. Dy të tjerëve iu dhanë goditje elektrike në organet gjenitale.

(Bombardimi nga ISIS në stacionin e metrosë në Shën Petersburg)

Por këto fakte u zbuluan nëpërmjet dëshmive për studiuesit dhe nuk u publikuan si video nga vetë torturuesit.

“Ajo që është ndryshe tani është natyra e qartë demonstruese e torturës,” tha Tanya Lokshina, drejtoreshë e asociuar për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch. “Pamjet e torturës duket se nuk shpërndahen rastësisht, por për të paralajmëruar të tjerët që po planifikojnë sulme ndaj Rusisë se do të përballen me të njëjtat pasoja. Autoritetet ruse nuk kanë më turp të tregojnë se shërbimet e saj të sigurisë torturojnë njerëzit. Nuk ka më fasadë.” 

“Video të tilla tregojnë nivelin në të cilin dhuna është normalizuar në Rusi gjatë dy viteve të fundit të luftës; Më parë, kishte pretendime të përhapura për torturë sistematike nga forcat ruse të zbatimit të ligjit, por do të kishte qenë e paimagjinueshme që ata të publikonin me krenari provat me video.” 

Ekuipazhi kundër Torturës, një OJQ ruse që më parë njihej si Komiteti Kundër Torturës, tha në lidhje me sulmin se “të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të ndëshkohen për këtë krim”. Por ai shtoi se “përgjigja ndaj barbarizmit nuk duhet të jetë barbaria” dhe se vlera e dëshmisë së nxjerrë nga agjentët e zbatimit të ligjit nën tortura ishte jashtëzakonisht e ulët.

Lexo më tej: Frikë në Perëndim/ Ç’pritet të bëjë Putin pas sulmit terrorist në Moskë 

Megjithatë, ministria ruse e mbrojtjes publikoi të hënën pamjet e një ceremonie çmimesh që tregonin disa anëtarë të një njësie elitare kufitare që kapën personat e armatosur dhe mund të kishin marrë pjesë në trajtimin brutal të tyre.

VChK-OGPU, një llogari në Telegram që publikon rregullisht informacione që rrjedhin nga shërbimet e inteligjencës ruse, tha se personeli ushtarak në rojën kufitare ia preu veshin Rachabalizoda. Anëtarët e shërbimit të sigurisë FSB dhe inteligjencës ushtarake GRU gjithashtu u angazhuan në tortura. “Ata të gjithë “u argëtuan” me terroristët aq sa mundën,” njoftoi profili në rrjetin social Telegram.

Komandanti i rrethit ushtarak të Leningradit “paraqiti çmime të merituara për ushtarakët dhe personalisht i uroi të gjithë”. Burrat morën medalje “për Trimëri” dhe “për dallime ushtarake”. 

Ndërsa Rusia kërkon pretekste për të fajësuar sulmin terrorist në Ukrainë, Tanya Lokshina vuri në dukje se rrëfimet e detyruara të marra nga tortura janë jashtëzakonisht të pabesueshme. “Është e qartë se çdo dëshmi e dhënë nën torturë nuk mund të shihet si e besueshme,” tha ajo. “Dikush që ka tela elektrikë të lidhur në organet gjenitale, do të rrëfejë pothuajse për çdo gjë.” 

Kremlini nuk pranoi t’i përgjigjet akuzave se burrat ishin torturuar.

Lexo më tej: Masakra në Moskë, Putin dhe grupi Piknik homazhe në nder të 137 viktimave 

Zyrtarët rusë kanë lavdëruar publikisht trajtimin brutal të të dyshuarve. Kryeministri rus, Mikhail Mishustin, tha se të dyshuarit “nuk meritojnë mëshirë”. 

“Bravo për të gjithë ata që i kapën”, tha ish-presidenti Dmitry Medvedev.

Ai shtoi: “A duhet të vriten? Ata duhet të vriten. Dhe do të vriten. Por është shumë më e rëndësishme të vrasësh të gjithë të përfshirët. Të gjithë. Ata që paguanin, që i simpatizuan, që i ndihmuan. Të vriten të gjithë.” 

(Pamje nga personat e torturuar më sipër, teksa ekzekutonin gjakftohtë çdo burrë, grua dhe fëmijë që i dilte para)

Si pasojë e sulmit, disa deputetë rusë kanë kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje. Ka pasur një moratorium për ekzekutimet që nga viti 1996. Zëdhënësi Dmitry Peskov e distancoi Kremlinin nga thirrje të tilla, duke thënë: “Ne nuk po marrim pjesë në këtë diskutim për momentin.” 

Oficeri që preu veshin e Rachabalizodës kishte arna ushtarake, duke përfshirë një Totenkopf (kokën e personit të vdekur) të ekstremit të djathtë, të veshur më parë nga njësitë naziste SS.

Thika që ai përdori është shitur në ankand në internet si “prerësja e veshëve”, sipas Evgeny Rasskazov, një anëtar i batalionit paraushtarak të ekstremit të djathtë Rusich, i cili ndërmjetësoi shitjen.

Ankandi është mbyllur, thika është shitur nga punonjësi [shtetëror] privatisht”, ka shkruar ai. “Urime pronarit me fat të prerësit të veshëve.” 

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *