Stuhi të forta, erë dhe breshër goditën pjesën veriore të Teksasit të martën. Pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara u goditën gjatë fundjavës nga stuhi dhe tornado të fuqishme që lanë rreth 25 të vdekur. Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në shkallë të gjerë në Teksas. Ky shtet u godit nga një valë e hershme e të nxehtit. Njoftohet se 800,000 abonentë nuk kishin energji elektrike të martën.
Parashikimet e motit tregojnë për një mot të ashpër dhe shira të dendura në zonën e Dallas-it mbrëmjen e së martës. Edhe qyteti i Hjustonit pritet të përballet me stuhi të forta. Rreth dy javë më parë Hjustoni u përball me uragane që ndërprenë energjinë elektrike për më shumë se 800,000 abonentë.
Fundi i majit shënon kulmin e sezonit të tornadove në SHBA, por stuhitë e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të dhunshme.