• |
ide | kryesore

Finalja e Athinës nxjerr në “pension” Conference League: nga 2024/25 ndryshon emri e formati

Sport
Conference


Finalja e Athinës mes Olympiakos dhe Fiorentinës nxorri zyrtarisht në “pension” Conference League. Edhe turneu i tretë europian për klube, ashtu si Champions League dhe Europa League, do të ndryshojë duke filluar nga sezoni 2024/25. Format i ri me një grup të vetëm prej 36 skuadrash me 6 ndeshje të garantuara, rritje të të ardhurave për klubet pjesëmarrëse dhe gjithashtu një emër i ri. Turneu, nga UEFA Europa Conference League do të quhet UEFA Conference League.

FORMATI I RI

Pas vetëm tre sezoneve nga debutimi në skenën europiane, turneu do t’i japë lamtumirë fazës së grupeve, pikërisht siç do të ndodhë për dy turnetë kryesore. Formati i ri do të përfshijë një grup të vetëm dhe pjesëmarrjen e 36 skuadrave (deri tani ishin 32). Ndryshe nga sa do të ndodhë në Champions League dhe Europa League, megjithatë, numri i ndeshjeve të luajtura në fazën e parë nuk do të rritet. Çdo ekip do të luajë nga gjashtë takime, të gjitha kundër kundërshtarëve të ndryshëm, tre në shtëpi dhe tre jashtë. Nuk do të ketë më kryqëzime me skuadrat e Europa League, pasi nuk ka më asnjë “rënie” nga një turne në tjetrin.

Tetë të parat të kualifikuara do të kalojnë direkt në fazën e 1/8 të finaleve, ndërsa skuadrat nga vendi i 9-të deri në vendin e 24-të do të marrin pjesë në play-off, pikërisht siç do të ndodhë në dy garat e tjera. Falë ndeshjeve më të pakta të planifikuara në fazën e parë, skuadrat që luajnë në Conference League nuk do të zbresin në fushë në janar. Faza e parë do të zgjasë nga data 3/10 deri më 19/12: dita e fundit do të jetë në një javë kushtuar “ekskluzivisht” Conference, me ndeshjet e planifikuara sidoqoftë për të enjten.

EMRI I RI

Emri i turneut do të ndryshojë gjithashtu: nga UEGA Europa Conference League në UEFA Conference League. Një risi që u shpjegua kështu nga federata: “Kërkimet mes tifozëve dhe partnerëve tregtarë kanë zbuluar se heqja e ‘Europa’ nga emri i garës do të lejojë zhvillimin e mëtejshëm si një garë më vete.”

TË ARDHURA TË REJA PËR SKUADRAT

UEFA ka vendosur të ndajë 285 milionë euro në sezon shpërblime për tre vitet e ardhshme, me një rritje prej 50 milionë krahasuar me ciklin që sapo ka përfunduar.

Këto, në detaje, janë mënyrat se si do të ndahet shuma në dispozicion:

– 40% do të ndahen për tarifat e regjistrimit: 114 milionë euro.

– 40% do të ndahet për shumat fikse të lidhura me performancën: 114 milionë euro.

– 20% do t’i caktohet shtyllës së re të sapo krijuar nga UEFA, e cila zëvendëson market pool dhe renditjen historike: 57 milionë euro.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *