• |
ide | kryesore

Zbulohet vendimi i Gjykatës së Lartë që ktheu për rigjykim “Bandën e Cërrikut”

Arkiva, Lajme, Të fundit
Cërrikut


Zbardhet vendimi prej 82 faqe i Gjykatës së Lartë që vendosi të rrëzojë dënimin dhe kthejë për rigjykim në Apelin e Posaçëm, dosjen penale kundër 9 të pandehurve që njihen në publik si “Banda e Cërrikut”. Bëhet fjalë për një nga dosjet më të bujshme të hetuara disa vite më parë nga dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Adnand Xholi dhe Anton Martini, të cilët urdhëruan arrestimin e 9 personave, mes të cilëve dhe ish-kryetarin e Komitetit të Shpëtimit në Cërrik, Llazar Bicja.

Bicja, cilësohej nga hetimi i prokurorisë si njëri nga personat që 27 vite më parë, në 23 maj 1997 kishte organizuar pritën e armatosur dhe vrasjen e 5 gardistëve Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Sali Martini, Petrit Ndoi si dhe plagosjen e disa efektivëve të tjerë.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se në këtë gjykim penal të zhvilluar në Gjykatën e Lartë, kanë marë pjesë dy gjyqtarë të kolegjeve administrative dhe Civile, si Sokol Sadushi, i Kolegjit Administrativ dhe Ervin Pupe, anëtar i kolegjit Civil. Kjo pasi të gjithë anëtarët e Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, janë konsumuar në gjykimin e rastit kur ushtronin funksionin e tyre si gjyqtar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Sipas tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë Ilir Panda, Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe, shkaqet që krijuan prishjen e vendimit ishin vendimarja e gjyqtarit, Gurali Brahimllari, i cili ka marë vendim për caktim mase sigurimi në Gjykatën e Shkallës së Parë për të arrestuarin dhe të pandehurin, Skënder Çano.

Gjykata e Lartë, thotë se gjyqtari Brahimllari dhe pse ka marë vendimarje të mëparshme për të hetuarit e kësaj dosje, ka gjykuar çështjen më pas në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Nga ana tjetër Gjykata e Lartë, çmon se gjyqtari Gurali Brahimllari, ka qënë anëtar në Komisionin e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpuntorëve të Drejtësisë, duke pasur rol vendimarës dhe ka dhënë mendim-opinion për të penduarin e këtij procesi, Bujar Buzani.

“…gjyqtari Brahimllari, ka marë vendim për zgjatjen e afateve të masave mbrojtëse të vendosura ndaj Bujar Buzanit e familjarëve të tij, si dhe kërkesën e kësaj drejtorie për përfundimin e programit të mbrojtjes për këtë të pandehur, duke parashtruar papajtueshmërinë për shkak se është njohur dhe ka shfaqur mendim lidhur me objektin e procedimit, provat në lidhje me faktin penal dhe ka vlerësuar rëndësinë e dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë për zbardhjen e faktit penal në raport me kushtet për vazhdimin e programit të mbrojtjes për të dhe familjes së tij…”– thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Treshja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, argumentojnë më tej se Gurali Brahimllari, ka patur detyrimin që në lidhje me çështjen konkrete të jepte dorëheqjen, për shkak se është njohur me faktin penal duke e çmuar atë në raport me marrëdhënien e krijuar mes organit procedues dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, deklarimet e të cilit kanë qenë pjesë e rëndësishme e vërtetimit të akuzës në ngarkim të të gjykuarve, duke e bërë pjesëmarrjen e këtij gjyqtari në rastin konkret, të paragjykuar.

Kolegji vlerëson se gjykimi nga një gjykatë e paanshme është një nga elementet e rëndësishme të procesit të rregullt ligjor, i garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

“…parimi i paanshmërisë nënkupton mungesën e paragjykimeve nga gjyqtarët për çështjen e shtruar përpara tyre dhe që ata të mos veprojnë në mënyrë të tillë që të ndihmojnë interesat e njërës prej palëve. Një gjykatë duhet të jetë e paanshme jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë të shprehur…” – thuhet në vendim.

Një tjetër shkak që Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin dhe rikthejë dosjen për rigjykim në Apelin e Posaçëm,është pretendimi I të gjykuarve se akuza në ngarkim të tyre nuk është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

“…ky Kolegj vlerëson si pretendim të bazuar. Kjo lidhet edhe me parimin se barrën e provës për të provuar akuzën e ka organi i akuzës, i cili duhet, nëpërmjet provave të paraqitura në gjykim, t’i krijojë gjykatës bindjen “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm” se vepra penale është kryer dhe se ajo është kryer nga i pandehuri…”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Më tej thuhet se: “…Kolegji vlerëson të evidentojë faktin se, në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, në rigjykim, konfirmon në mënyrë formale arsyetimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, duke mos ballafaquar asnjë shkak ankimi të parashtruar nga të gjykuarit si mangësi e hetimit gjyqësor të kësaj gjykate apo mundësisë së tyre për të kërkuar apo ballafaquar provat e kërkuara në gjykim ndaj atyre të parashtruara nga organi procedues, për të arritur në zgjidhjen sa më të drejtë të çështjes…”.

Arsyetimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda konstatohet i mangët edhe në raport me detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë, si një detyrim ligjor për tu zbatuar. Tashmë pritet që 9 anëtarët e bandës së Çërrikut të dalin sërisht para gjykatës së Apelit të Posaçëm, ku do njihen vendimarjen e rradhës. Prokuror i çështjes do jetë sërisht Adnand Xholi, që tashmë mban detyrën e zv/drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK.

DËNIMET NË SHKALLË TË PARË

Meti Bozi, i dënuar me burgim të përjetshëm për 6 vrasje dhe 16 plagosje të policëve

Arjan Toska, i dënuar me burgim të përjetshëm për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve

Roland Xhepexhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve

Tomor Buzani, i dënuar me 23 vite burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve

Llazar Bicja, i dënuar me 22 vjet burg për për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve

Alban Toska, i dënuar me 22 vjet burg për për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve

Entel Gashi, i dënuar me 22 vjet burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve

Skëndër Cano, i dënuar me 21 vjet burg për një vrasje dhe 16 plagosje

Bujar Buzani – I penduar, 23 vjet burg, dënimi ulet në 8 vjet burg

VIKTIMAT NË MASAKRËN E CËRRIKUT

– Efektivë të Gardës së Republikës:

Besnik Sula

Halit Haxhia

Bashkim Mnella

Sali Martini

Qemal Mehmeti

Petrit Ndoi

Të plagosurit në masakrën e Cërrikut:

Gjergj Gjoka

Ded Margjoka

Ferd Laska

Pjeter Nikolli

Petrit Guda

Agron Kuliçaj

Pashk Ndreca

Dritan Hasa

Agim Biberi

Paulin Ndoka

Petrit Nikolli

Luan Prenga

Fari Metaliaj

Petrit Gjoka

Pashk Doda

Sokol Kuça

LEXO EDHE: Revoltohet në burg eksponenti i bandës së Cërrikut: S’më del koha për takimet speciale


2 Comments

  1. Ueeee po nxjerrin nga burgu komotete e shpetimit te 97 ish sigirimsa e ish oficere isha bandite

    po për irena gjokën ska konflikt 8nteresi ee?

    bastaredsh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *