• |
ide | kryesore

Pagesat për PPP në shëndetësi zunë 28% të të ardhurave nga sigurimet shëndetësore më 2023

Lajme, Të fundit


Vit pas viti pjesa e shpenzimeve për koncesionet në shëndetësi erdhi në rritje si rrjedhojë e shtimit të numrit të PPP-ve dhe shtimit së financimeve tyre përtej vlerave të rëna dakord në kontratat koncesionare.

Të dhënat zyrtare nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) referuan se në vitin 2023 të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shëndetësore arritën në 18,7 miliardë lekë, ndërsa financimet për katër kontratat PPP në shëndetësi (Kontrolli bazë, sterilizimi, dializa dhe laboratorët) arritën mbi 5,3 miliardë lekë ose 23.7 për qind e fondeve që u grumbulluan nga fondet e sigurimeve për shëndetin nga të punësuarit.

Gjithashtu të katër kontratat e PPP-ve morën rreth 9.3 për qind të buxhetit të FSDKSH-së, që është ofruesi i shërbimeve publike shëndetësore në të gjithë vendin.

Kontratat PPP në shëndetësi vit pas viti po marrin një pjesë të madhe të buxhetit, por nuk ka asnjë analizë për monitorimin e tyre dhe rezultatet që kanë dhënë në përmirësimin e shërbimeve dhe në shëndetin e popullatës. Vlera më e madhe e financimeve po shkojnë për PPP -të e sterilizimit dhe laboratorit, vlera e të cilave po vjen në rritje vit pas viti.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2023 PPP-ja e laboratorit u financua me 1.8 miliardë lekë nga 1,7 miliardë që u dhanë në vitin 2022.

Fatura e koncesioneve në shëndetësi po gangrenizon vit pas viti buxhetin e shërbimit spitalor, i cili në vend që të kanalizohet për shërbimet themelore dhe burimet njerëzore, gjithnjë e më shumë po bie pre e abuzimeve nga keq-menaxhimi i kontratave.

Fondet për shërbimin spitalor arritën në 31 miliardë lekë me 2023, por sasia e parave që shkoi për financimin e tre kontratave PPP arriti në 4,4 miliardë lekë ose 14% e buxhetit spitalor.

Për dy PPP-të e laboratorit dhe sterilizimit, vlera e financimit ka tejkaluar parashikimet fillestare, teksa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shumë abuzime gjatë zbatimit të tyre.

Fondet për shërbimin spitalor erdhën në rritje vitet e fundit pas pandemisë, por pesha e koncesioneve ka ardhur në zgjerim më të shpejtë.

Kjo për shkak se tashmë ka hyrë në fuqi edhe kontrata e shërbimit laboratorik, teksa te tria bashkë me dializën dhe sterilizimin po marrin fonde përtej planifikimeve.

Ashtu si edhe inceneratorët, kontratat PPP në shëndetësi janë bërë në një seri shkeljesh ligjore, aq sa Transparency International i renditi si raste madhore të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, ndërsa disa prej tyre janë tashmë në hetim nga SPAK./


1 Comment

  1. Ju, avokatet, nese besoni se shtetasi Edi Rama, me detyre deputet i Kuvendit dhe Kryeminister, njekohesisht kryetar i PS, me veprime ose mosveprime ka kryer vepra penale, krime apo kundravajtje, ne ose jo bashkepunim, ne vend te komentoni duhet te listoni faktet, rrethanat dhe provat apo deshmite, qe duket se jane me shumice, si vendimet e denimit nga gjykata shqiptare te shtetasve te tjere si atyre me detyra deputet Kuvendi e ministra:Tahiri; Koka; Ahmeti & co; procedimet penale ndaj atyre me ish detyra si deputete te Kuvendi: si Frroku; Ndoka; raportet prestigjoze mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin si ato mdaj Doshi-sipas raportit te inteligjences Australiane, nder me seriozet por edhe qe tregon qarte sesi ai individ pasi la Australine, ne Shqiperi u afrua dhe pothuaj bashkejetonte me Ramen si sponsor personal e partiak nga 2003 e me pas; vendimet per denimin e McGonigal ne SHBA; e me radhe njoftimet e medias prestigjoze mbi te lidhurit me pastrimin e parave te kartelave meksikane nga Kanadaja e sot ne Rumani. Bejini bashke keto evidenca, dhe te tjera, dhe percillini me nje shkrese ne forme kallzimi penal ne SPAK. Ne fakt, SPAK me kohe duhet ta kishte bere vete nje gje te tille por fakti qe nuk e ben deshmon per kapjen politike por me teper prej enturazhit te prezences amerikane ne Tirane qe dikton linjen e tyre te punes ne zbatim te operacioneve te tyre tashme te pjerdhura ne ballkan. Gjithashtu, nje kopje percilleni ne SHBA dhe UK, duke iu kerkuar sekretarit te shtetit dhe brendshem qe njesoj si ne rastin Berisha, te vendosin si non grata shtetasin Edi Rama per korrupsion jo thjesht te rende por berthamor!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *