• |
ide | kryesore

Masakër me 3 të vrarë në Memaliaj, shteti mbledh kufomat e një sage të rëndë kriminale

Arkiva, Kryesore, Lajme


Masakra me 3 viktima në Memaliaj është veçse episodi i radhës i një sage kriminale të gjatë e që nëse nuk ndërhyn fort shteti do të prodhojë viktima të tjerë. Lapsi.al raportoi i pari ekskluzivisht krimin e trefishtë në një qytet të asfiksuar prej shpopullimit e harresës ndër vite, por ku mpleksjet kriminale të vjetra e të reja nuk zhbëhen kollaj. Në shënjestër të atentatit ishin babai dhe vëllai i Adriatik alias Andrea Kalemit. 74-vjeçari Shyqo Kalemi ka mbetur i vdekur në vend.

DINAMIKA E NGJARJES

“Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Sh. K., M. C., dhe G. M, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore”, thotë policia në një njoftim paraprak për mediat.

Viktimë tjetër e këtij atentati janë një klient i lokalit dhe kamerieri, Marsel Çela, 47 vjeç dhe Gëzim Muka, 36 vjeç. Ndërkohë Artur Kalemi, vëllai i Adriatik Kalemit ka mbetur i plagosur e ndodhet në spital për ndihmë.

Siç mëson Lapsi.al autorët i janë drejtuar lokalit me një makinë tip “BMw” dhe kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi.

“Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Berat, Vlorë. Në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thotë policia në vijim të njoftimit paraprak për ngjarjen e rëndë.

POLICIA MBLEDH KUFOMAT DHE MAKINËN E DJEGUR

Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët edhe kësaj radhe ikën në drejtim të paditur. Policia mbledh kufomat, krimi ia mbath dhe lë pas një makinë të djegur.

“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër. Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Renea kanë shkuar në vendin ku po digjet automjeti, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve”, tregon policia.

6 ATENTATE/ SAGA KRIMINALE SADIKAJ-PAPA-KALEMI

Zanafilla e kësaj masakre me 3 viktima në Memaliaj lidhet me ekzekutimin mafioz të Aleksandër Sadikajt në qershor të vitit 2022 në Tiranë, ku automjeti i tij shpërtheu nga tritoli pranë rreth-rrotullimit të “TEG”.

Sadikaj ishte nip i Adriatik Kalemit. Dyshohet se në shenjë hakmarrje për këtë ekzekutim, u eleminua biznesmeni Edmond Papa në dhjetor të vitit 2022 në Tiranë pranë “Komunës së Parisit”. Policia e zbardhi ngjarjen dhe arrestoi një prej autorëve, Albano Velo që rezulton mik i Aleksandër Sadikajt. Autori tjetër i dyshuar, Andrea Bode, është ende në kërkim.

Me vrasjen e biznesmenit Edmond Papa nga Saranda fillon një përndjekje kriminale për Adriatik alias Andrea Kalemin. Në gusht të vitit 2023 ai u qëllua me 14 plumba teksa ishte në ishullin grek Paxos bashkë me familjen e tij. Autori dyshohet se u largua me një motor uji. Kalemi i shpëtoi atentatit dhe u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Janinës. Policia greke dyshon se autori kishte ardhur nga Italia me qëllim për të eleminuar Kalemin.

Në dhjetor të vitit 2023, Adriatik alias Andrea Kalemi i shpëton një tjetër atentati në burgun grek “Korydalos” në Athinë ku po vuante një dënim të pashlyer më parë. Autori i ngjarjes ishte një shtetas egjiptian, i cili ishte transferuar nga burgu i “Domokos” në burgun e “Korydalos”, ndërsa në telefonin e tij ai kishte foton e Andrea Kalemit, për të cilin dyshohet se ishte paguar ta vriste. Sapo ka parë foton ai e ka qëlluar me thikë. Telefoni i egjiptianit u gjet i thyer më pas.

Në janar të vitit 2024, shënjestër e një atentati mafioz në Tiranë pranë zonës së Selitës ishte Zamir Kalemi, vëllai i Adriatik Kalemit. 35-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash nga një makinë në lëvizje, por fatmirësisht arriti të mbijetonte. Autorët nuk u zbuluan deri më tani, por dyshohet se janë e njëjta dorë që kërkon të eleminojë vëllain e tij Adriatik alias Andrea Kalemi. Ky i fundit është hetuar ndërkohë për vrasjen e biznesmenit nga Saranda Edmond Papa.

Prishja e pazareve të drogës dyshohet se është pista kryesore e kësaj sage kriminale me 5 viktima e 3 të plagosur. Çfarë ndodhi mbrëmjen e 20 korrikut në Memaliaj është veçse kronika e një krimi të paralajmëruar. Nëse shteti do të tërhiqet sipas porosisë “kokat hëngshin”, porosi që e ka dhënë vetë Edi Rama, përplasja do të shkaktojë viktima të tjerë. Dhe siç ndodhi kësaj radhe në Memaliaj, dy prej viktimave nuk kishin asnjë lidhje me sagën kriminale Sadikaj-Papa-Kalemi. Klienti i lokalit dhe kamerieri thjesht u ndodhën në vendin e gabuar. ©LAPSI.al


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *