• |
ide | kryesore

Dyshimet për konflikt interesi/ Kushtetuesja jashtë loje edhe për Vullnet Sinën

Arkiva, Kryesore, Lajme



Socialistët e kanë nxjerrë praktikisht jashtë loje Gjykatën Kushtetuese në diskutimet për konfliktin e interesit të deputetëve. Pas Olta Xhaçkës, është Vullnes Sina, deputeti-biznesmen i Vlorës për të cilin mazhoranca duket se ka zgjedhur të evitojë një vendim të Kushtetueses.

Rasti i Vullnet Sinës ka të bëjë me disa blerje që institucionet shtetërore kanë bërë tek një rrjet supermarketesh, në pronësi të deputetit. Faturat tregojnë se janë bërë blerje ushqimesh, pijesh apo detergjentë dhe materiale të tjera të nevojave të përditshme për institucionet.

Paratë e shpenzuara janë rreth 37 milion lekë të vjetra, një shumë relativisht e papërfillshme në krahasim me xhiron totale të biznesit. Por opozita e ngre çështjen në parim. Në Këshillin e Mandateve, Gazment Bardhi tha se faturat e blerjeve përbëjnë konflikt interesi, sepse fitimet kanë përfunduar në xhepat e deputetit.

“Ka përfituar nëpërmjet 9 kompanive të tij të ardhura nga buxheti i shtetit, në një shumë totale, prej rreth 37 milion lekë në kundërshtim me ndalimin në nenin 70, pika 3 e kushtetutës, ku theksohet se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit” tha Gazment Bardhi.

Sipas opozitës, çështja duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për një vendim. Diskutimi nuk duhet të jetë nëse qëndron apo jo konflikti i interesit, sepse parlamenti është i detyruar ta çojë mandatin në kushtetuese.

Por socialistët e mendojnë ndryshe. Ata kanë bërë të kundërtën me Olta Xhaçkën, për të cilën opozita tha se ishte në konflikt interesi, kur qeveria (ku ajo ishte Ministre e Jashtme) vendosi t’i japë bashkëshortit të saj, Artan Gaçi statusin e investitorit strategjik për një hotel në Dhërmi. Kushtetuesja e riktheu një herë çështjen për rishqyrtim dhe kryetarja e saj Holta Zaçe ka kërkuar që parlamenti ta sjellë sërish mandatin për të dhënë vendim.

Lexo edhe: “Plazhin e duam që mos të vijë dikush nga mali të vërë çadrën”, reagon Olta Xhaçka

Vetëm se socialistët tani kanë ndryshuar mendje. Ata pretendojnë se Gjykata Kushtetuese nuk i detyron dot të votojnë automatikisht pro dërgimit të mandatit në gjykatë. Pasi i kanë mbaruar të gjitha justifikimet për zvarritjen e çështjes, ata kanë kërkuar t’i drejtohen Komisionit të Venecias.

Vullnet Sina, njësoj si Olta Xhaçka nuk pranon se është në konflikt interesi. Ai tregoi se që nga dita që ka marrë mandatin e deputetit ka kaluar në aksioner pasiv të kompanive të tij. Ligji ia ndalon të ndërhyjë në çështjet e brendshme të kompanive dhe për pasojë nuk mban përgjegjësi për shpenzimet dhe transaksionet e kompanive, që menaxhohen nga një njeri i besuar.

“T’u them një gjë për të qeshur që me erdhi si informacion nga një punonjëse supermarketi. Kishte bërë 11 fatura me Bibliotekën Kombëtare. U thashë pyeteni pse i ka bërë këto 11 fatura. Përgjigjja që dha ishte “Nuk e dija që Biblioteka është institucion shtetëror”. Kompania nuk i ka administratorët juristë si puna e Bardhit që lexon ndonjë libër. Ata janë me 7-8 klasë” u shpreh deputeti.

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, socialistët e përkrahën kolegun e tyre, njësoj siç bënë disa vite më parë me Olta Xhaçkën duke paralajmëruar se do të mbajnë të njëjtin qëndrim dhe do të refuzojnë ta çojnë mandatin e tij në Kushtetuese.

Klotilda Bushka vuri në dukje se faturat që përmend opozita janë paguar në kasat e dyqaneve dhe nuk janë marrë direkt nga deputeti socialist. Deputeti Arben Pëllumbi e përcolli me doza ironie çështjen, kur pyeti Vullnet Sinën nëse “e keni ushtruar ju pushtetin tuaj politik për të shitur letër higjenike për gjykatën?”. Ndërsa Bledi Çuçi vuri ndërhyri për të vënë në dukje se përfitimi i deputetit nuk është 37 milion lekë që përmend opozita, sepse kjo është xhiro në dyqan, ndërsa fitimi është shumë më pak./Lapsi.al


4 Comments

  1. po ci qi robt shtetit

    si thoshte rama ne do bejme shtet ndersa te verteten e tha shalsi ne studio ne nuk do vjedhim si keta!!!

    dhe i kan qi robt tu vjedh ! dhe shtetin e kan bo cirk si i do trapi rames me gjihte drejtesine e re gjykate kushtetuese e tredhur, spak si qen sulm i rames dhe instituiconet e tjera te cirkut shtet te rames

  2. “Daily Express” shkruan për “krahun e armatosur” të Berishës: Jetonin si stilistë mode, ndërsa drejtonin një bande të madhe të krimit dhe trafikut të drogës

  3. E ku e vërtetoi Daily Express??? Apo në fantazinë tënde!!!
    Po për krahët e Edverit e di Daily ??? Apo vetëm gënjeshtra për Berishën di!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *