Qëndrim më të zbutur për prishjen e disa objekteve në Himarë gjatë ditës së sotme nuk ka mbajtur vetëm zëdhënësi i qeverisë greke, por edhe ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias.
Në një komunikim me gazetarët në përfundim të një konference, ai ka thënë se Greqia nuk mund të ndalojë urbanizimin e një vendi të tretë, por kërkoi që minoritarëve t’u jepen titujt e pronësisë.
“Ne nuk mund të ndalojmë urbanizimin e një vendi të tretë. Mirëpo ne duam që e drejta e pronës, veçanërisht për minoritetin, të mbrohet. Muajt e fundit u munduam që të vonohet çdo plan urbanizimi i autoriteteve shqiptare, me qëllim që t’u jepeshin banorëve titujt e pronësisë. Në thelb, ishin prona pa pronarë, që pronarët e tyre nuk kishin kërkuar mbrojtje në rrugë gjyqësore”, tha ministri i Jashtëm i Greqisë.
Më tej kreu i diplomacisë helene veçoi prishjen e një pike karburanti në Himarë, për të cilën tha ai, zv.kryeministri dhe ministri i Energjisë premtuan se do t’i jepnin leje për të ndërtuar në një vend tjetër. Insistojmë që ky premtim të realizohet tha Kotzias.
Më të ashpër në reagime kanë qenë partitë e opozitës greke, sidomos Demokracia e Re, e cila i kërkoi qeverisë shiqptare të ndërpresë menjëherë punime në Himarë dhe të mos dhunojë minoritetin.
Në një deklaratë për shtyp të firmosur nga partia Demokracia e Re, si dhe shefi i departamentit të punëve të jashtë Jorgos Kumutsakos, i bëhet thirrje Tiranës zyrtare që “të ndërpresë menjëherë çdo veprim që bie ndesh me të drejtat e pjesëtarëve të minoritetit grek që banojnë në Himarë”.
Një kërkesë i është drejtuar dhe qeverisë së Tsipras, ku i kërkohet që të reagojë menjëherë për mbrojtjen e minoritetit grek në Himarë.
Opozita greke i sugjeron Athinës zyrtare që të nisë menjëherë bisedimet mbi Himarën, përpara nisjes së bisedimeve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Por në dallim nga deklaratat e tjera të qeverisë greke për ndërtimet në Himarë, deklaratat e sotme të zëdhënësit të qeverisë, Dimitris Tzanakopulos dhe më pas ato të ministrit të Jashtëm Nikos Kotzias, të lënë të kuptosh se pala greke është tërhequr nga kjo cështje, duke i hapur rrugë kështu zhvillimit të planit që qeveria ‘Rama’ ka për këtë zonë.
Mbetet për t’u parë nëse kjo tërheqje e palës greke është për shkak të qëndrimit të palëkundur të qeverisë shqiptare lidhur me objektet në Himarë, apo ndoshta vjen për ndonjë koncesion të mundshëm që Rama i ka dhënë Athinës zyrtare në këmbim të heshtjes.
Aksioni për prishjen e ndërtimeve nisi herët në mëngjes, me mbështetjen e dhe të forcave të FNSH-së. Banorët të cilëve u prisheshin ndërtime të tilla protestuan vazhdimisht, por nuk u lejuan nga policia që të afroheshin për të penguar fadromat e IKMT-së.
© LAPSI.al
Nuk më duket se ka folur keq. Në fund të fundit ai kërkon mbrojtjen e të drejtës së pronës.Kjo gjë është parim bazë edhe me kushtetutë. Kështuqë duhet shpjeguar në shtyp nëse këta shtetas shqipëtarë e kanë pronën të njohur ligjërisht apo nuk u njihet.
Në rast se u njihet ligjërisht ata duhen shpërblyer me vlerën e tregut sipas ligjit përkatës. Në të kundërt askush nuk mund të kërkojë që atyre të mos u shëmben ndërtimet vetëm sepse e quajnë veten minoritet. Përpara ligjit të gjithë janë njëlloj.
Dakord jam me ty. Po shteti ketu eshte qesharak dhe diplomacia e “qorr” Bushatit dhe kryeministrit per t’u marre me ceshtjen deri tani ka lene shume per te deshiruar, sepse i bien shkurt si gjithmone!