• |
ide | kryesore

Video/ Gafë e portierit Puja për ditëlindje, Erzeni mbytet 3′ nga fundi: fitorja e pestë radhazi e Vllaznisë

F1, Sport, Video
Puja


Një gafë e portierit Puja, pikërisht ditën që festonte 24 vjetorin e lindjes, ka prishur pasditen e gjithë Shijakut. Neglizhenca e portierit të Erzenit ka lënë topin ti shpëtojë nga duart, duke i dhënë mundësinë Stojanovic të shënonte golin e fitores për Vllazninë, tre minuta nga fundi. Një dramë e vërtetë për skuadrën e Deliallisit që po luante mirë. Festojnë në anën tjetër dy Osmanët (drejtori e trajneri) për fitoren e pestë radhazi dhe parakalimin e Tiranës në vendin e tretë.

Një ndeshje në ekuilibër me të dy skuadrat që morën për fraksione loje kontrollin e saj. Më shumë se raste flagrante pati kontraste loje, me Erzenin që nuk dëshironte të lejonte asgjë, për më tepër në situatën delikate në renditje. Vllaznia u përgjigj me Balajn, që testoi me goditjen e dënimit të minutës së 21′ reflekset e portierit Puja, duke treguar se e ka marrë përsipër skuadrën. Deliallisi i kishte hedhur në fushë pothuaj të gjithë të ardhurit në janar e Komolafe e Zogaj ishin tepër aktivë, edhe pse nuk gjetën kurrë mundësinë për të fundosur goditjen.

SHTATË MINUTA VAR E GAFA E PORTIERIT

Episodi më i komplikuar i ndeshjes erdhi në minutën e 64′ por u deshën shtatë minuta për të përcaktuar mes vendimit të arbitrit, thirrjes në VAR e shpjegimit të pozicionit të tij që Ferataj të lejonte vazhdimin e lojës pas dyshimit për një faull me dorë brenda zonës nga Atanda, në kontrast me Balajn. Një episod që u duk se vendosi gjithcka sepse askush nuk duket se shpresonte më më shumë se pika e marrë. E megjithatë, në minutën e 87′ Puja lejon topin t’i shpëtojë nga duart duke e përplasur në kokën e mbrojtësit të tij. I mbetur në këmbët e Stojanovic ishte një lojë fëmijësh për mbrojtësin të vendoste ndeshjen.

Erzeni mbetet me 22 pikë në zonën e playout, ndërsa Vllaznia parakalon Tiranën, që u ndal një ditë më parë në Durrës nga Teuta. Fitorja e pestë radhazi e kuqebluve i ngjit ata në kuotën e 32 pikëve, -3 nga Partizani, që duhet ende të luajë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *