• |
ide | kryesore

Gjykata e Lartë, zbulohet letërkëmbimi Meta-Nishani

I pakategorizuar
nishani-Meta.jpg



Një tjetër front i hapur i luftës mes mazhorancës dhe institucionit të Presidentit është edhe ai i dekreteve për emërimet në Gjykatën e Lartë. Dy muaj pasi i rrëzoi dekretet për emërimin në këtë gjykatë të Petrit Çenos dhe Gjovalin Përnocës, shumica e majtë pritet të rrëzojë edhe dekretin e radhës të kreut të shtetit për në këtë gjykatë, atë të Alaudin Malajt. Megjithëse procesi i shqyrtimit të kësaj kandidature do të nisë vetëm të hënën në komisionin e Ligjeve, qëndrimi i mazhorancës duket më se i lexueshëm. Kjo të paktën vihet re nga vetë korrespondenca që ka shkëmbyer kreu i Kuvendit, Ilir Meta, me Presidentin e Republikës për këtë dekret, ku Nishanit i kërkohet të sqarojë se cilat ishin kriteret shtesë përveç atyre që përcakton ligji, të cilat dolën nga konsultimet që u bënë me krerët e grupeve parlamentare, në zbatim kjo edhe të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese.

Letra e Metës

Në datën 31 mars, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka nisur një letër Presidentit Bujar Nishani, ku evidenton që në fillim të saj nevojën për transparencë në këtë proces. Meta në letrën e vet, pavarësisht gjuhës formale që përdor duke vlerësuar maksimalisht institucionin e Presidentit, pikësëpari thekson se dokumentacioni që shoqëron dekretin e Alaudin Malajt është i mangët, ndaj i kërkon Nishanit që t’i vërë në dispozicion dokumentacionin plotësues. Së dyti, Meta në letrën e vet e vë theksin tek kriteret shtesë që kreu i shtetit gjeti te kandidatura e Alaudin Malajt dhe që e bënë atë që ta dekretojë për këtë pozicion në Gjykatën e Lartë. “Nisur nga parashikimi i ligjit dhe si shprehje e frymës së bashkëpunimit institucional që duhet të karakterizojë të gjithë procesin, lutemi të na bëni me dije në lidhje me kriteret objektive dhe shtesë që janë gjetur të përmbushura prej jush në kandidaturën e z. Alaudin Malaj”, – shprehet Meta në këtë letër. Më tej ai duke iu përmbajtur edhe qëndrimit të mëparshëm të përfaqësuesve të mazhorancës për joproduktivitetin e konsultimeve që kreu i shtetit zhvilloi me kryetarët e grupeve parlamentare për këtë çështje, i kërkon Presidentit që të evidentojë se cilat ishin ato kritere shtesë që dolën si produkt i këtyre takimeve. “Lutemi të na bëni me dije po ashtu kriteret konkrete që u përcaktuan në konsultimin e zhvilluar mes Jush dhe kryetarëve të grupeve parlamentare, të tilla që sigurojnë një kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë, e që përmbushen nga kandidatura në fjalë”, – thekson Meta në këtë letër.

Përgjigja e Nishanit

Pavarësisht se Meta ia niste në emrin e tij letrën, kreu i shtetit i është përgjigjur atij me anë të sekretarit të Përgjithshëm, Arben Idrizi. Në një letër afro një faqe, sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, në letrën e vet i përgjigjet thuajse me të njëjtën gjuhë ironisë me të cilën kreu i Kuvendit shtronte pyetjet e tij ndaj Presidentit sa i përket kritereve shtesë, duke mos dhënë në fakt asnjë përgjigje për çdo shqetësim dhe kërkesë që Meta ngrinte në letrën e vet. Kështu, Idrizi i kujton Kuvendit se “dekretimi i zotit Malaj ka ardhur si rrjedhojë e zhvillimit të një procesi ligjor përzgjedhës dhe pas konsultimeve të zhvilluara me kryetarët e grupeve parlamentare përfaqësues në Kuvend”. Më poshtë ai sqaron se “Malaj plotëson kushtet dhe kriteret objektive të përcaktuara në nenin 3, pika 1 dhe 2 të ligjit nr.8588/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, i ndryshuar, të cilat janë përcjellë në arsyetimin shoqërues të dekretit nr. 8515, datë 10 mars 2014”. Ai bën të ditur se janë pikërisht kriteret objektive të nenit 3 të ligjit të mësipërm, ato të cilat janë diskutuar me kryetarët e grupeve parlamentare dhe që Presidenti i Republikës i ka marrë në konsideratë në përzgjedhjen e kandidaturës së emëruar. Nga korrespondenca e mësipërme vihet re qartë gjuha institucionale dhe e ftohtë mes këtyre dy institucioneve, çka paralajmëron në fakt dhe një votë kundër të mazhorancës edhe për këtë dekret. Kjo jo si shprehje ndaj emrit që përfaqëson këtë dekret, por si pasojë e procedurës së përzgjedhjes së ndjekur nga Presidenti.