• |
ide | kryesore

Anëtarët e KLD, debate të ashpra me Ministrin e Drejtësisë: Ndryshimet në ligjin për KLD janë të njëanshme. Nishani: Rrezikohet dimensioni i lirisë.

I pakategorizuar
kld.jpg


Propozimet e Ministrisë së Drejtësisë për të ndryshuar ligjin për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë shkaktuar debate të forta sot në KLD mes anëtarëve të këtij institucioni dhe Ministrit Nasip Naco.

Pjesa më e madhe e anëtareve e kanë shprehur kundërshti të forta në mbledhjen që u mbajt me dyert të mbyllura. Mësohet se anëtarët kanë shprehur shqetësimin se këto ndryshime bëhen vetëm për të zvogëluar kompetencat e KLD –së dhe nuk sjellin asgjë të re në përmirësimin e funksionimit të këtij institucioni.

Burime brenda mbledhjes thanë se anëtarët e akuzuan Ministrin e Drejtësisë për njëanshmëri. Ndryshe nga sa ndodh me pjesën tjetër të KLD –së, kompetencat e Ministrit të Drejtësisë nuk preken.

Presidenti i Republikës mësohet të jetë shprehur me shqetësim për këtë nismë të Ministrit Naco. Ai citohet të ketë thënë se “marrja e kompetencave të organeve kushtetuese rrezikon seriozisht dimensionin e lirisë në vend”.

Ja ndryshimet në 9 nene

Neni 6

Ishte: Kohëzgjatja në detyrë 1. Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për një periudhë 5-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.

Bëhet: Pas pikës 1, të nenit 6, shtohet pika 1/1 me përmbajtjen si më poshtë vijon: “1.1. Anëtarët e KLD-së, të zgjedhur nga KGJK-ja, nuk mund të transferohen apo të ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Edhe në rast se anëtari KLD-së, i zgjedhur nga KGJK-ja jep dorëheqjen përpara mbarimit të afatit 5 vjeçar, ai nuk mund të transferohet apo të ngrihet në detyrë deri në përfundim të periudhës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni”.

 

 Neni 7

Mbarimi i mandatit Pas shkronjës “ë”, të pikës 1, të nenit 7, shtohen shkronjat “f” dhe “g”, me përmbajtjen si më poshtë vijon: “f. Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit. g. Anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.”

 

 Neni 10

Ishte: Raport i Komisionit të Verifikimit të Mandateve 1. Raporti i Komisionit të Verifikimit të Mandateve duhet të përmbajë provat dhe argumentet ligjore, sipas rastit, për pajtueshmërinë me ligjin të çështjeve të zgjedhshmërisë, të papajtueshmërisë dhe të ushtrimit të rregullt të mandatit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të raportit, Komisioni i Verifikimit të Mandateve i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë propozimet përkatëse. 2. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmon se zgjedhja dhe qëndrimi në detyrë i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk janë në përputhje me ligjin, me vendim të arsyetuar pezullon ushtrimin e mandatit dhe i kërkon, sipas rastit, Konferencës Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendit zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Bëhet: Në pikën 1, termi “propozimet”, zëvendësohet me termin “informacionet”. Pika 2, e nenit 10, shfuqizohet.

Neni 14

 Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Pas pikës 5, të nenit 14, shtohen pikat 6 dhe 7, me përmbajtjen si më poshtë vijon: “6. Për Kryeinspektorin dhe inspektorët, çdo 2 vjet, kryhet vlerësimi  profesional dhe etik, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. 7. Brenda tremujorit të parë të çdo viti, Inspektorati, nëpërmjet Kryeinspektorit, i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë një Raport mbi veprimtarinë e tij në vitin paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës. Raporti i përgatitur nga Inspektorati paraqitet nga Zëvendëskryetari për diskutim në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.”

 Neni 21

Ishte: Mbledhjet e jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë 1. Në ato raste kur një gjyqtar ndalohet ose arrestohet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mblidhet brenda 24 orëve për të vendosur për lejimin ose jo të procedimit të mëtejshëm penal ndaj gjyqtarit.

 Bëhet:  Në nenin 21, bëhen ndryshimet si më poshtë vijon: a) Pika 1, riformulohet si vijon: “1. Në rastet kur një gjyqtar ndalohet ose arrestohet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mblidhet brenda 24 orëve dhe vendos për kërkesën e paraqitur nga prokurori”. b) Pas pikës 1, shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje: “1.1. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranon kërkesën e paraqitur nga prokurori sipas parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, vendos pezullimin e gjyqtarit nga detyra deri në përfundimin e procedimit penal.”

Neni 26

 Vlefshmëria e vendimeve Pas pikës 2, të nenit 26, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje: “3. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon masën disiplinore të propozuar nga Ministri, ky i fundit mund të propozojë një masë disiplinore më të lehtë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon edhe propozimin e dytë për masë disiplinore më të lehtë, shqyrtimi i procedimit disiplinor mbyllet dhe vendimi i njoftohet gjyqtarit të proceduar disiplinarisht.”

Neni 33

 Shqyrtimi i procedimit disiplinor Pas pikës 2, të nenit 33, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje: “2.1. Shqyrtimi i procedimit disiplinor bëhet brenda një muaji nga data e depozitimit të dokumentacionit përkatës nga Ministri i Drejtësisë, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.”