• |
ide | kryesore

Kaverdisje në front të gjerë me dhjamin e Gates

Arkiva, Ide
preci.jpg



Deri ditën kur u dorëzua në polici për t’ju përgjigjur akuzave për kultivim dhe trafik të lëndëve narkotike Gatja ishte nofka e një   banori  të fshatit Lazarat të Gjirokastrës.

Pas asaj ditë  Gatja hyri në gojën  e kryeministrit Edi Rama si simbol i suksesit  të policicë së shtetit në një anë dhe si përsonifikim i së keqes së Shqipërisë në anën tjetër. Pra pushoi se qëni prej mishi dhe  gjaku, me  pamjen e  tij dhe me fytyren e tij. Rama  mori nga  Gatja gjithë çfarë mendonte se i duhej për llogaritë e tij  korente politike, duke e mohuar ndërkaq si njeri, duke abstraguar nga qënia e tij si individ, duke e kaluar  nga njëjësi “Gate” në shumësin përgjithësues dhe shumëkuptimor “Gatet”. Në këtë mënyrë, “Gatet”  pagëzuan  shumfishimin e  së keqes në çdo qelizë të jetës  politike, shoqerore dhe institucionale të vendit ku nuk mbërrin akoma, por kërkon  të mbërrijë dora dhe diktati i  kryeministrit. 

Nuk përbën  ndonjë problem apo shqetësim  për publikun paraqitja e   Gates si një  spot publicitar suksesi për qeverinë. Mburrjet janë të qortueshme në librat e shenjtë dhe në kulturën e punës fisnike, por nuk mund tu mohohen, kufizohen apo ndalohen atyre që kanë si thelb të veprimit të tyre politik propagandën, dukjen, formën.  Ajo që ka qenë  e tepërt dhe pak qesharake në  mburrjet me  Gaten ka të bëjë me faktin se ai është  dorëzuar vetë dhe nuk është njoftuar nga mediat  se po  luftonte. Ndërkaq  është palejueshme që kryeministri i ka dhënë të drejtë vetes ta përdorë  nofkën e tij si emrin e gjithë të këqijave në Shqipëri, siç i mendon ai.  “Gatet e  prokurorisë”. “Gatet e gjykatave”.  “Gatet e mediave  opozitare”. “Gatet e opozitës”. Personi me nofkën Gate mund të këtë bërë të nëntëdhjetë e nëntat,  por asgjë nuk mund të thuhet në rrugë zyrtare për të pa folur drejtësia. Mënyra si e ka trajtuar dhe denigruar kryeministri Edi Rama  këtë njeri është shprehje e konceptit stalinist  të fajësisë pa prezumim të pafajësisë, e  mungesës totale  më rrafshin human dhe institucional  të respektit për individin që është marrë i pendehur, po gjykohet  apo është gjykuar. Kryministrit nuk i lejohet të  flasë ashtu jo për një të  padënuar, por as për ata  që dënohen, që kryejnë dëninin dhe kanë të drejtë të riintegriohen në shoqëri me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët. Mëkatarët më të mëdhenj janë “puritanët”  që poshtërojnë mëkatarët, thoshte Shën Agustini.

Edhe pse pushteti e ka ndryshuar, Rama i di këto.  Atij i ka qëlluar të rrijë, të  hajë e të  pijë, të punojë e të gëzojë  me individë që  kanë  qenë dhe janë me të ngarkuar se Gatja me akuza për  shkelje të ligjit dhe vepra kriminale. Pra në parim ai nuk ka, nuk mund të ketë dhe nuk ka përse të ketë  një ndjeshmëri  negative speciale për  Gaten e Lazaratit,  ca më tepër kur  Gatja ka shkuar me këmbët e veta në Prokurori dhe po hetohet konform ligjit. 

Gatja ka hyrë  si emri i së keqes në artikulimin politik  të kryeministrit për një arsye tjetër, që nuk është fare e vështirë të kuptohet. Duke zmadhuar e shfrytëzuar suksesin me Gatën e drogës, kryeministri kërkon  të ndërmarrë një ofensivë  politike kundër sistemit të drejtësisë. Më tej akoma, të mbarojë punë  shpejt e shpejt me të gjitha nismat e tij arbitrare të ndërprera për shkak të marrjes së statusit.  Kësja i thonë kaverdisje në front të gjerë me dhjamin e gates. Jo rastësisht, më t’u dorëzuar Gatja, ai foli menjëherë me një gjuhë fyese që nuk është dëgjuar ndonjëherë për “gatet e drejtësisë”.  Dukej si një  e folur figurative e stilit të vjetër që kërkon  të thotë  shumçka  dhe nuk  provon asgjë. Por nuk ishte vetëm kjo. Qeveria e  ka ngritur tashmë  çadrën e luftës  kundër drejtësisë përpara mureve të  godinës së drejtësisë. Publiku po asiston në një kryqëzim shpatash mes  dy pushteteve, që e le përgjithësisht  të hutuar dhe të trembur.

Që  drejtësia shqiptare ka nevojë  të  reformohet e modernizohet, këtë na e kanë thënë disa herë partnerët ndëkombëtarë dhe e  kemi pranuar të gjithë. Që ka vazhdimisht indicie dhe fakte për të folur për korrupsion dhe krizë vlerash  në sistemin e drejtësisë, edhe kjo nuk mund të mohohet, sikurse  nuk mund të mohohen përmirësimet dhe zhvillimet pozitive në këtë sistem, për të cilat është zakon të flitet shumë pak.  Drejtësia në Shqipëri nuk bën pothuajse asnjëherë lajm me lajmin e mirë, edhe pse  kemi patur e kemi prokurorë  e gjyqtarë  kurajozë, të ndershëm e të aftë, që  janë përballur e kanë dhënë zgjidhje për çështje shumë të mprehta.  Që shumica parlamentare ka përgjegjësi politike për standartet e drejtësisë në vend, edhe kjo nuk diskutohet.  Problemi ka qënë dhe është: si do të  ndërhyjë, si do të ndihmojë qeveria në reformimin  e drejtësisë? Përgjigja nuk është e thjeshtë. Duhet tua lëmë specialistëve të thonë të parët fjalën e tyre. Ajo që dimë e mund të themi me siguri sot është si nuk duhet ndërhyrë. Jo duke lëshuar anatema, rrufe dhe akuza nga “bregu përballë” kundër sistemit në përgjithësi. Jo duke refuzuar pambarimisht propozimet e Presidentit të Republikës për vendet vakante që krijohen në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese, duke vendosur për këtë shkak  një raport konfliktual me të.  Jo duke  i shpallur luftë frontale  qevesisë së drejtësisë, që është KLD-ja. Jo duke i përdorur  problemet apo edhe njollat  e drejtësisë  si casus belli për të  vendosur diktatin politik në sistem. Jo duke prekur parimet e pavarësisë  dhe ndarjes demokratike të pushteve që janë parime themelore të demokracisë. Në mënyrën si e ka shtruar problemin në fushimin e saj të luftës “fianale”,  qeveria “Rama” na premton në rastin më të mirë  të rregullojë drejtësinë, duke cënuar demokracinë. Kjo është e pamundur. Kjo nuk na duhet. Qeveria e Ekzekutivit, nuk mund të jetë edhe qeveria e Drejtësisë. Nuk mund të ketë  drejtësi pa demokraci. Rama me të tijtë  kanë humbur mendjen dhe busullën  dhe nuk e dinë çfarë po bëjnë.  Në çdo fjalë dhe  reagim, ata dekonspirojnë qëllimin e tyre për ta marrë, jo për ta reformuar  drejtësinë, për të bërë propagandë dhe jo punë.  U pa edhe në një replikë absurde që kryeministri bëri me deputetët  e papranishëm të opozitës për  vrasjen e Artan Santos, duke u kujtuar atyre se gjatë kohës që ishin në pushtet nuk ishin  zbuluar vrasësit e ish deputetit  Fatmir Xhindi. Nëse  zbardhja e vrasjes  e të  ndjerit  Xhindi  është neglizhuar nga qeveria e demokratëve, Rama po mbush vitin në qeveri. Prej tij tani priten lajme. Nga ana tjetër, vrasja e ish deputetit nuk ka ngjashmëri me vrasjen e bankierit. Ky i fundit është vrarë ditën për diell, në mes të Tiranës, pasi është  ndjekur disa ditë nga vrasës me motor pa targa nën hundën e policisë së rinovuar të Tiranës  dhe po nën hundën e saj vrasësit  janë larguar në drejtim ende të paditur.  Irracionalizmi është politika me e keqe e mundshme me vrasjet.

Reformat bëhën me  arsye. Uzurpimi bëhët me forcë. Çfarë kërkon qeveria? Refoma apo  uzurpim? Reforma nuk ka. Ateherë? Është e qartë:  kërkon të uzurpojë me “argumentin” se  pala e drejtësisë janë të këqinj, kurse  pala e qeverisë janë të mirë. Në këtë  kontekst, çdo shqiptari i lind e drejta të pyesë: nga  qënka më i mirë  Kryeministri se Presidenti, nga qënkan më të ndërshëm ministrat se gjyqtarët? Po të bëhëj një sondazh mbarëpollor për ketë pyetje kam përshtypjen se do të merrnim përgjigje  të tilla që do ta bënin qeverinë  t’i ulte pak  pendët. Por  kriza nuk zgjidhet me sondazhe. Drejtësia nuk reformohet duke u kaverdisur  me dhjamin e gatës. Zgjidhet me bashkëpunim të  gjithë palëvë, me respekt, me  kushtetiutë, me ligj, me  asistencë ndërkombëtare.