• |
ide | kryesore

Zakone të thjeshta që të largojnë migrenën

Arkiva, Stil
migrena.jpg



Disa zakone të thjeshta mund të ndihmojnë për të reduktuar ndjeshëm migrenën. Më poshtë po rendisim disa që mund t’ i praktikoni çdo ditë.

Ushqehu dhe hidratohu

Kur presim gjatë për të ngrënë, apo nuk hamë mes vaktesh, niveli ynë i sheqerit në gjak bie dhe kjo mund të shkaktojë migrenë. Mësohuni të mbani me vete ushqime të shëndetshme që mund t’i konsumoni në vazhdimësi gjatë ditës – arra, lajthi, bajame jo të kripura, fruta të thata, etj – në mënyrë që të jeni gjatë gjithë kohës të ngrënë. Edhe uji është shumë i rëndësishëm. Dehidratimi shkakton migrenë. Kjo është e provuar.

Merr suplemente

Disa kërkime sugjerojnë se duke shtuar në dietën tuaj suplemente të vitaminës B12, magnez, koenzinë Q10 (CoQ10) dhe disa barëra bimore, mund të parandalohet migrena. Vetëm kujtohuni që duhet të konsultoheni me mjekun tuaj para se ta bëni një gjë të tillë, veçanërisht nëse jeni shtatzënë, ose po ushqeni me gji.

Kardio ndihmon

Një studim suedez doli në rezultatin se personat që bënin biçikletë në shtëpi tre herë në javë, kishin një reduktim të ndjeshëm të krizave dhe dhimbje më të pakët gjatë tyre brenda tre muajve të parë. Nëse nuk ju pëlqen të pedaloni, mos u shqetësoni, mund të praktikoni çdo lloj ushtrimi kardio të moderuar, përfshirë Zumba, vrap, apo ecje e shpejtë. Tre orë në ditë mjaftojnë. Ndërtoni gradualisht një rutinë dhe ndiqeni atë, por me kujdes, sepse sforcimi bën po aq dëm sa mungesa. Ushtrimi i tepërt shkakton migrenë.

Ji pak i mërzitshëm

Nuk thua ndonjë gjë të re nëse pranon se stresi shkakton në mënyrë të paevitueshme migrenën (për ata që vuajnë), por stresi nuk është shkaktari i vetëm. Emocionet e forta, qofshin ato edhe pozitive mund të shkaktojnë kriza migrene. Mundohuni t’ i evitoni luhatjet e shpejta e të forta.  

Kontrollo metodën kontraceptive

Mjekimet me përmbajtje estrogjeni, përfshirë dhe disa pilula contraceptive, si dhe HRT (terapia e zëvendësimit hormonal) mund të luajnë me nivelet tuaja hormonale duke shkaktuar migrenë, ose duke e përkeqësuar atë. Ruajtja e balancës hormonale është shumë e rëndësishme. Në javën para ciklit menstrual, nivelet e estrogjenit bien në disa raste në mënyrë dramatike, gjë që shkakton kriza të forta migrene.

Seks

Dhimbja e kokës duhet fshirë një herë e mirë nga lista e justifikimeve për të mos kryer marrëdhënie me partnerin. Një studim i rëndësishëm i kryer në vitin 2013 në Gjermani doli  në përfundimin se seksi jo vetëm largon stresin, por edhe simptomat e migrenës. Largimi i dhimbjes shpjegohet me çlirimin e endorfinës, qetësuesi natyral i trupit. Kur është fjala për migrenën, më shumë se nga çdo gjë, do të përfitoni nga një orgazëm, prandaj sigurohuni që ta arrini.