• |
ide | kryesore

Presidenti i Tiranës u godit nga tifozët e tij (video)

Arkiva, Sport
halili.jpg



Nga beteja e tifozëve në stadiumin "Loro Boriçi" në Shkodër, një video e publikuar nga Panorama Sport tregon se presidenti i Tiranës, Refik Halili, është goditur dhe gjakosur nga tifozët e tij. Sipas policisë, në kaosin e krijuar me dashje ose jo, kjo do të vërtetohet nga hetimet, një nga tifozët bardheblu ka shënjestruar presidentin Halili duke e goditur me një send të fortë në kokë. Sipas policisë, personi që ka goditur Halilin është Maringlen Burreli, që njihet si një nga kryetifozët e Tiranës.
Vetë Halili ka mohuar të jetë qëlluar nga tifozët e bardheblu."Në atë moment pati goditje me gurë nga të dyja palët, gjithsesi unë nuk jam goditur nga tifozët e Tiranës, pasi nuk besoj se ka fans bardheblu që nuk e njeh presidentin e tij", tha Halili duke shtuar se ishte një fat që kanë shpëtuar gjallë. Sipas tij, organizatorët mund t'i kishin caktuar tifozët e dy skudarave larg njëri- tjetrit dhe jo aq afër sa të provokonin një përleshje.
Gjithsesi, për shkak të tensionit të madh, Refik Halili mund të mos ketë kuptuar nga i ka ardhur goditja, por pamjet filmike tregojnë se objekti është lëshuar nga të vetët.
Përleshja masive dhe skjashmërisht e dhunshme në Shkodër mes tifozëve vendas dhe atyre të Tiranës, mund të kishte përfunduar edhe në një tragjedi. Veç Halilit edhe shumë persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre dhe katër policë. Pamjet shokuese të një dhune ekstreme kanë vënë në dyshim sigurinë jo vetëm të zhvillimit normal të kampionatit të futbollit, por edhe jetët e njerëzve.
Ajo çka ndodhi në Shkodër, dëshmoi paaftësinë e forcave të rendit për t'u përballur me situata të tilla. Pas dështimit për të parandaluar përleshjen në stadium, policia ka vepruar më pas duke arrestuar rreth 13 persona, ndaj të cilëve edhe ajo vetë ka ushtruar dhunë, gjë që është dokumentuar nga pamjet filmike të disa mediave.