• |
ide | kryesore

Të rishkruash historinë pa zbardhur misteret

Arkiva, Ide
fuga.jpg



Përse në parim nuk mund të shkruhet një histori objektive tani, aq më pak administrative? Përtej humorit dhe seriozisht…

Sepse historia jonë e pasluftës të Dytë Botërore, përgjatë periudhës moniste, por edhe në këto dy dekada e ca, është plot me zona të errëta, që vendosin në dilema dhe japin pasiguri për shumë anë dhe aspekte të historisë sonë.  Janë zona të errëta, pa informacion, me informacion të dyshimtë, krejt të pabesueshëm, çka historianin e denjë dhe serioz e bëjnë të hezitojë, të presë, të mbetet te fjalët disi ende të përgjithshme, si edhe ta mbajë versionin e tij të hapur; pra kemi një libur të hapur të historisë, sikurse shkruante Umberto Eko, lidhur me veprën e hapur, që pret nga lexuesi të marrë kuptimet e veta nga më të ndryshmet.

Partizanët e versionit sublim, objektiv, përfundimtar, administrativ, të një historie në instancë të fundit, jo të një historie, por të një gjyqi historie, kanë një kuptim shumë autoritar për librin dhe tekstet e historisë. Pra mohojnë ato forma dhe metodologji shkrimi që krijojnë një bashkëveprim midis autorit dhe lexuesit, ku autori e shtyn lexuesin drejt një hullie të caktuar kuptimore, por nuk e detyron, nuk e dënon me një kuptim fatalist, nuk i imponohet, por e lë dhe të hapur para shumë pikëpyetje dhe zonave të pandriçuara mirë. Ndershmëria e historianit nuk është kur ai hiqet se shpjegon gjithçka, por atje ku ai ndalet dhe hesht përpara zonave ku dija dhe shkenca, arsyeja, nuk e lejojnë të shkojë më tutje.

Ka edhe ndonjë person që me dashamirësi thotë se mirë, dakord, versionet alternative të jenë për lexuesin adult, kurse për nxënësit dhe studentët të kemi një tekst që ka marrë vulën administrative. Mos të bëhemi naivë. Kësaj i thonë që deri në periudhën e maturimit intelektual t'i japin brezit të ri një version monolitik, monolues, monokuptimor të historisë, dhe pasi ta kemi edukuar me idenë se kjo është historia, pas mbarimit të shkollës, t'i themi se e gjitha kjo ishte një lojë, sepse ka edhe versione të tjera historike. Kjo është një formë e mirë për të prodhuar depresion kolektiv dhe zhgënjime.

Nga janë krijuar këto zona vakumore, bosh, që sjellin mungesë informacioni burimor, dhe që "objektivët" nuk mund t'i mbushin veçse me subjektivizëm, ose të heqin dorë nga versioni administrativ i historisë, duke i lënë rrugë të lirë një historie plurale, një vepre dhe teksti të hapur historie, sikurse thotë dhe militon Umberto Eko?

Së pari përgjatë komunizmit shqiptar një pjesë e të vërtetave shqiptare, të vendimeve, kthesave politike, etj., janë të fshehura në arkivat jugosllave për historinë deri në 1948, por edhe më pas në ato sovjetike deri në viteve '60; por edhe më pas, në ato kineze deri nga fundi i viteve '70, por edhe angleze dhe amerikane. Në arkiva gjysmë të hapura ose me dokumente tepër të rezervuara. I ka parë, i ka shterruar, i ka studiuar këto ndonjë historian që të thotë se këto aspekte ne i njohim tashmë? Kush ? Ku? Sa ? Si?

Së dyti, shumë nga dëshmitarët dhe protagonistët e ngjarjeve historike të kohës komuniste u vranë, disa vdiqën dhe po të shohësh kujtimet e tyre nuk kanë lënë pothuajse asgjë që ja vlen të përdoret si burim historik. Vetëm lavdërime për vetveten, kalim në heshtje i zonave të rrezikshme për reputacionin e tyre, opinione se ashtu ja u do qejfi, ose nën presionin e opinionit publik të tanishëm, e kështu me radhë. Shumica e tyre janë krejtësisht në kundërshtim me dëshmitë e të tjerëve? Nuk di cilin apo cilën të besosh?  

Së treti, një pjesë e të dhënave burimore, sikurse janë statistika ekonomike, apo edhe dëshmitë nëpër hetuesi apo burgje të tmerrshëm kriminalë, janë fare të pabesueshme për shkak të metafizikës statutore të rrëfyesve të tyre. Deponime para dhunës, frikës nga vdekja, torturave, merakut për familjet e kështu me rradhë. Pse me ato doni të bëni histori ju???

Së katërti, shumë nga dokumentet thelbësore të regjimit janë krejtësisht të rishkruara, nuk kanë versionin origjinal të tyre, më shumë shpallin propagandë dhe ideologji dhe pak japin hollësi politike dhe sociale. Kush mund ta dijë se cila ishte gjendja e psikologjisë kolektive kur në raportet e kongreseve flitej për unitet të pathyeshëm të partisë dhe popullit? Kush i di porositë me gojë, ato që jepeshin në zyra apo shtëpi, fshehurazi opinionit dhe instancave formale të drejtimit?

Së pesti, historia ka enigma për të cilat askush nuk jep deritani asnjë shpjegim.

Si shpjegohet që në momentin e fundit para zgjedhjeve të 1946, Fulci deklaronte se zgjedhjet e kohës kishin plotësuar disa parametra demokratikë?

Si shpjegohet që sovjetikët, ishin që ishin, nga Praga të mos hidheshin deri në Tiranë?

Si shpjegohet që një copëz vend sa yni të mos thyhet për 45 vjet nga një agresion i thjeshtë disa orësh me zbarkime të shpejta nga njera palë ose tjetra?

 Si shpjegohet që therren bagëti me një politikë që rrënon ekonominë pra vetë rregjimin?

Si shpjegohet që kreu i pushtetit monist fton Shtrausin dhe e quan të vetmen zgjedhje dhe zgjidhje, duke porositur që as reparacionet mos kërkohen, kurse zëvëndësi i tij e përzë?

 Kush është në gjendje t'i mbushë këto boshllëqe jo me hamendje, folklor, por me fakte objektive dhe interpretime logjike dhe burime të sigurta?

Si shpjegohet që ditën që plas te qyteti “Studenti”, atë ditë në mëngjes kreyartikulli i gazetës të partisë në fuqi deklaron zi mbi të bardhë se roli udhëheqës i partisë nuk realizohet me ligje e imponim, a diçka të tillë?

Si shpjegohet që anijet në porte që do të bartnin mijëra emigrantë drejt Perëndimit, qëndrojnë në porte dhe nuk ikin vetëm një kilometër më larg për t'u izoluar nga turmat që i përmbushin?

Si shpjegohet që social-demokratët shqiptarë, zyrtarë të lartë të monizmit bashkohen me partinë demokratike, që përfaqësonte opozitën antikomuniste?

Kush i ka dhënë përgjigje këtyre pyetjeve? Çfarë kanë vendosur në Moskë, Berlin, Uashington mbi hapjen e regjimit komunist të Tiranës?

Ja pra kaq shumë zona pasaktësish, burime dilemash, zbrazëti. E si mund të rishkruhet një histori objektive në këto kushte? Mund të justifikohen duke thënë se ne e shkruajmë objektivisht për aq sa e njohim! Jo, nuk qendron, sepse kufizimet japin patjetër subjektivizëm, sepse po qe se është një histori e vërtetë e përkohshme dhe relative, atëhere kush ka të drejtën ta quajë një histori administrative, pra ta mbyllë rrugën për tekste alternative për historinë shqiptare.

Prandaj jam për ta trajtuar pa hyrë në pretendime për zgjatje dhe një histori të hollësishme hë për hë, se është njësoj sikur të donim të çonim raketa në Hënë, por disa mësime me konsiderata e fakte makro dhe të përgjithshme, në një tekst historie si vepër e hapur (Umberto Eko), dhe i plotësuar me lexime versionesh kontradiktore dhe me të drejtën për mësuesit për interpretime të ndryshme bazuar në autorë me zë, seriozë, ndonëse kontradiktorë mes tyre. Dhe mbi të gjitha pa një tekst me vulë administrative, sepse do të ishte veçse i dëmshëm metodologjikisht, por edhe një goditje ndaj mendimit të lirë dhe edukimit demokratik të brezave.