• |
ide | kryesore

Flamuri i Shqipërisë së Madhe mbi stadium, ishte një marrëzi

Arkiva, Ide
arben idrizi.jpg



Megjithëse ende nuk ka kaluar marrëzia kolektive e nacionalizmave, fashizmave dhe banditizmave të rindezura nga ndeshja Serbi – Shqipëri dhe pothuajse mungojnë kokat e ftohta për të arsyetuar siç i ka hije njeriut të arsyeshëm, po rrëzikoj ta them atë që ndiej dhe mendoj.
Që të mos mendohet, në rastin më të mirë, se po dëshiroj të bëj një lloj captatio malevolentiae, të sqaroj se futja e shikuesve në fushë, përleshja, mos sigurimi i lojëtarëve shqiptarë dhe në përgjithësi organizmi jo i mjaftueshëm i lojës janë lëshimet për të cilat besohet se dhe duhet të paguajë Federata serbe e futbollit. Për më tepër, edhe dhe gjithsesi për gjestet dhe korin fashist, thirrjet për vrasje, etj.
Por, për të metat e serbëve le t’i lëmë vetë serbët të flasin më shumë. 
Është më e shëndoshë.
Ngase edhe për ne është më e shëndoshë të flasim vetë më shumë për të metat tona. Se, në fund, vetëm kështu hapen më shumë rrugë këndelljeje, përmirësimi dhe tamam dashurie ndaj vetes.
***
Nuk jam i pari dhe i vetmi që them e mendoj se paraqitja e dronit që reprezantonte Shqipërinë e Madhe në stadium ishte, si gjetje spektakolare, një gjest që i habiti të gjithë.
Për nacionalistët shqiptarë, kudo qofshin: një mrekulli; një hedhje serbëve; një hakmarrje.
Për nacionalistët serbë, kudo qofshin, thënë shkurt: një provokim dhe fyerje kombëtare.
Për të tjerët, jo shqiptarët, bile përfshirë këtu edhe mua si aksidentalisht, por në rregull, shqiptar: një budallallëk; një budallallëk që, në ndonjë rast tjetër, do të mund të më bënte ta vë paksa buzën në gaz – si për të thënë: po hajt de, se për ndonjë çast na lejohet edhe kjo! Po meqë s’kishte vend për ndonjë çast të tillë, duhet të themi se kemi të bëjmë me një budallëllëk të rrëzikshëm, i cili, natyrisht vjen nga ato emocione kolektive që na bashkojnë dhe ndajnë në të njëjtën kohë: përçmimi, mosdurimi, urrejtja.
Sido që ta shohësh, ngado që të ketë ardhur, droni që himnizon Shqipërinë e Madhe, si edhe vetë ideja e saj, është një marrëzi. Futbollistët që mendojnë e krekosen se na qenka krenari të mbrohet një simbol i tillë (se duhet bërë çmos të mbrohet duke rrëzikuar edhe jetën), për më tepër jo i njohur zyrtarisht nga vetë shteti shqiptar dhe i sajuar sipas tekave dhe marrëzive të rastit të grupeve a individëve të caktuar, që s’i njeh kush as s’i ka deleguar kush, tregon një papjekuri sportive. Është një gjest që bie ndesh me frymëzimin dhe karakterin garues, edukativ e miqësues të futbollit. Është një turp me të cilin duhet të përballemi dhe ta lajmë.
Them se po të ishte në pyetje flamuri i shtetit shqiptar, do të ishte, meqë janë gjërat si janë, e natyrshme të kërkohet të mbrohet ai flamur, në rast të konsiderimit se do të përdhoset a keqpërdoret.
Nuk kam dyshim se sikur në një stadium të Shqipërisë të ishte lëshuar një dron që himnizon Serbinë e Madhe, ky emocion adhurues delirues që patëm pas lëshimit të dronit të Shqipërisë së Madhe në Beograd do të ishte shndërruar në emocion urrjetës delirues. (Mos harroni të ma thoni se diçka pothuajse të tillë ka thënë Ivica Dacici). Ka shumë gjasa se do të kishim hyrë në fushë dhe do t’i kishim bërë lojëtarët serbë të mbështillen me të në vend të qefinit, ashtu siç po përpiqeshin t’ua bënin ata futbollistëve shqiptarë. Mbase edhe jo. Kurrë s’mund ta dimë. Por, kur i mendoj ato turma nëpër qytetet e Kosovës e Shqipërisë e Maqedonisë që hallakaten në delir, duke i kënduar himn idesë së Shqipërisë së Madhe dhe duke manifestuar gjithë atë urrejtje për tjetrin, në kor fashist kundër serbëve njëjtë siç edhe turma serbe në stadium që ishte në kor fashist kundër shqiptarëve, them se, njëmend, edhe mund të bëjë vaki. E mandej, kur e kujtoj 2004-shin, apo qoftë edhe vetëm se si nëpër muret e manastireve i paralajmërojmë se po vjen Kalifati, merre me mend: Kalifati!, them se njëmend gjithçka mund të bëjë vaki.
Apo mbase tash të gjendur mes dy tubave të sanës (Shqipërisë së Madhe dhe Kalifati i mundshëm) do të ngordhim si gomari, pa ditur nga t’ia nisim të hamë?
Pra, pse duhet të bëjmë diçka që nuk duam të na e bëjnë?
Kjo edhe vetëm sa për korrektesë.
***
Që të hyjmë në zemër të problemit, le të parashtrojmë pyetjen: çka është Shqipëria e Madhe?
Unë mendoj se ideja e Shqipërisë së Madhe (megjthëse nuk është tamam – tamam një ideologji zyrtare shtetërore, por më tepër vetëm popullore) është paksa një përgjigje ndaj idesë së Serbisë së Madhe (që mendohet të jetë më tepër një ideologji shtetërore) në njërën anë dhe në të vërtetë një ide në vete në anën tjetër. Në vete, sepse edhe me reshtjen e pretendimeve të serbëve, te shqiptarët do të vazhdonte të jetonte, nëse jo për rivalitet ndaj serbëve, thjesht për rikthim të territoreve që pretendojnë se iu janë marrë pa të drejtë. Them se njëjtë do të vazhdonte të jetonte edhe ajo serbe pa atë shqiptare.
Prandaj, mendoj se ideja e Shqipërisë së Madhe sot është një ide, thënë butë, jashtë realitetit. Realizimi i saj do të implikonte edhe neutralizimin, nënshtrimin ose asgjësimin e tjetrit. Si të tillë, unë e shoh jo vetëm me dyshim, por thellësisht me frikë dhe llahtar. Ashtu siç e shoh atë serbe.
***
Duke ua lëshuar dronin dhe duke i bërë ta ndërpresin ndeshjen, megjithëse nuk dihet kush e ka lëshuar, në të vërtetë, mendoj, nuk është se i kemi bërë të humbasin në mënyrë sportive. Duhej goli. Po të ndërpritej pas golit, e gjitha do të ishte një muhabet tjetër. Ngase për këtë edhe ishte shkuar Shqipëria atje, për të luajtur futboll, qoftë edhe pa përkrahjen e publikut të vet në stadum, qoftë edhe nën fyerjet e vazhdueshme fashiste të publikut serb.
Me pak cinizëm, nga ana tjetër, ndoshta do të mund të thoshim: edhe pse s’është në lëkurën tonë, s’ka asnjë arsyetim: serbët duhej ta përbinin fyerjen e dronit: ishte vërtet një gjetje e pabesueshme që i la çile guri gojën. Këto janë raste ekstreme, e kur ta fusin në një mënyrë të tillë, duhet të jesh fer dhe ta pranosh. Edhe pse, natyrisht, edhe në një rast të tillë ekstrem, pra që bën përjashtim, megjithatë përgjegjësia kurrë nuk përjashtohet.
Ka shumë gjasë që Federata serbe e futbollit nuk do të dënohet aq sa do të donim ne, ose tamam aq sa duhet. Por, gjithsesi, edhe Federata shqiptare e futbollit, megjithëse e zënë mat nga ai gjest me të cilin s’kishte të bënte, duhet të marrë një dënim. Qoftë edhe vetëm sa për t’iu treguar atyre politikanëve tanë hipokritë e injorantë, turmave dhe besa edhe disa futbollistëve se futbolli është sport dhe në sport ka vetëm respekt, korrektësi dhe vëllazëri. E jo momente shkëndjash që ndezin zjarret e pashuara të urrjetjeve, fyerjeve, sharjeve, kërcënimeve apo edhe më keq.
A nuk është i papranueshëm ekzaltimi ynë nga fyerja që ua kemi bërë, pavarësisht se ata do të ishin të gatshëm të na e bëjnë të njëjtën gjë dhe pavarësisht se reaguan dhe po reagojnë në mënyra të ndryshme, edhe të dhunshme?
***
Ata e hëngrën, s’e përbinë. Ne na mbetet tash të shohim si do t’ia bëjmë me veten: a do të neveritemi nga marrëzia jonë për Shqipërinë e Madhe (ashtu siç na e neverit ideja e Serbisë së Madhe), apo do të ndihemi krenarë dhe, me atë hipokrizinë tonë të rëndomtë, duke iu përulur Europës, duke jetuar në kurriz të saj, do të vazhdojmë ta shpresojmë, ëndërrojmë e himnizojmë.
Se, në fund të fundit, ne e dimë: nëse s’na bëjnë vend në Europë pa idetë tona të çmendura, mbetemi këtu në tharqet tona fqinje dhe kënaqemi duke u kasapitur mes vete.
***
Që të arrijmë në një konkludim: vetë ne shqiptarëve, mes Kalifatit dhe Shqipërisë së Madhe na duhen vendet tona përkatëse dhe Europa! Dhe ne shqiptarëve dhe serbëve, mes Shqipërisë së Madhe dhe Serbisë së Madhe, po ashtu na duhen vendet tona përkatëse dhe Europa. /gazetaexpress/