• |
ide | kryesore

Dhuna në Beograd, një çështje europiane

Arkiva, Ide
bejtja.jpg



Në datë 23 tetor UEFA pritet të japë vendimin për dhunën dhe ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri, për një nga konkurrimet më të rëndësishme europiane,  që për shkak të masivitetit dhe të miliona teleshikuesve, e bën këtë konkurrim vitrinën më të madhe europiane, jo vetëm thjesht për europianët, por për të gjithë botën. Ndaj, në datën 23 tetor, përballë kësaj çështjeje tashmë tejet të ndjeshme, që i ka kaluar kufijtë e sportit, veten në pasqyrë nuk do ta shikojë vetëm UEFA, si një organizëm i thjeshtë burokratik, por do ta shikojë dhe Europa, me gjithë mekanizmat e saj. Mbi të gjitha, 23 tetori do të konfirmojë ose do të shbëjë të ashtuquajturat vlera europiane, për të cilat investohet çdo ditë e çdo minutë. Më 23 tetor nuk është në lojë thjesht reputacioni i UEFA-s, por reputacioni i vetë Europës. Më 23 tetor i gjithë opinioni publik europian do të ketë mundësi të shikojë ose Europën e vlerave dhe të drejtësisë, ose Europën qesharake të festivalit europian, në të cilin votimi bëhet në bazë të dashurive apo urrejtjeve historike. Fatkeqësisht, deri tani shenjat nuk janë të mira, madje janë të mbrapshta. Një ditë pas dhunës në Beograd kemi një deklaratë të zëdhënëses së baroneshës Ashton, të cilën nuk dua aspak ta paragjykoj për çështje kombësie, por nuk mund të lë pa përmendur se mbiemri i mbaronte me “viç”, e cila nxitoi të thoshte, pa dalë mirë videot e ndeshjes dhe raportet e para, se policia serbe ishte sjellë në mënyrë profesionale. Nuk marr përsipër të jem ekspert i asnjë fushe, aq më tepër i rendit, por në të tilla raste syri dhe pamjet flasin më shumë se çdo ekspertizë. Të gjithë qytetarët e botës dhe jo vetëm shqiptarët, i panë skenat kur punonjës të sigurisë dhe të policisë goditën me dorën e tyre futbollistët shqiptarë. E gjithë bota i pa skenat se si policët serbë i mbanin shkopinjtë e gomës si tespihe në momentin kur futbollistët shqiptarë goditeshin jo vetëm me sende e objekte të forta, teksa hynin në tunelin prej mushamaje, që për ironi ishte vendosur në pjesën më agresive të tifozerisë. Mbi të gjitha, ata goditeshin me shqelma nga jashtë, nga njerëz që, ndërkaq, mbaheshin në supet e policëve. Kishte mbetur vetëm që t’u merrnin me qira shkopinjtë e gomës policëve që nuk lëviznin dhe të vazhdonin goditjet. Shenjat nuk janë të mira, jo thjesht për shkak të mesazheve të njëanshme të presidentit Blater, i cili indirekt sheh më shumë si të dëmshme mesazhet politike të dhëna nga droni  fluturues (avioni i telekomanduar) pa pronar, sesa nga dhuna me autorë, por për një arsye tjetër më madhore dhe fatkeqësisht fatale, që lidhet me cektësinë, në këtë rast, të pjesës më të madhe të medies europiane dhe të asaj botërore, që klonimin me sy mbyllur e ka më për zemër, sesa thellësinë dhe hetimin. Për shumicën e medies europiane e botërore historia e shëmtuar e asaj që ndodhi në Beograd fillon dhe mbaron tek objekti fluturues dhe shpërfaqja në ajër e hartës së Shqipërisë etnike. Asgjë nuk shikohet në vijimësi, si nisi, si u zhvillua dhe si u bitis, sepse droni për medien nuk është thjesht një gjetje, por është një etiketë që shet. Ndaj, për këtë medie, që këtë herë në unison ishte më shumë një medie rozë sesa një medie serioze, thelbi i dhunës në Beograd nuk ka rëndësi. Përkundrejt kësaj gazetarie të verbër, numërohen me gishtat e dorës ata gazetarë  të huaj që e kapën historinë nga koka. Ashtu sikurse nuk u gjet pronari i dronit, ashtu nuk u gjet edhe thelbi I çështjes. Nuk u nënvizua aspak ose u vu në dukje fare pak represioni para ndeshjes. Droni I bëri të harrojnë se federata serbe nuk la asnjë tifozeri shqiptare dhe paralajmëroi se nuk do të linte asnjë simbol shqiptar në stadium. Droni i bëri të harrojnë të shohin se çfarë presioni virtual i bënë kombëtares shqiptare kur mbërriti në aeroportin e Beogradit me mijëra policë me skafandra që hynin e dilnin madje dhe në vetë autobusin e kombëtares. Droni i bëri të mos shikojnë se si u mbajt me orë të tëra një grup biznesmenësh e gazetarësh në aeroport, vetëm e vetëm se një person mbante një shall të kuq në qafë. Droni i bëri të mos dëgjojnë thirrjet në kor të 30 mijë vetave në stadium: “t’i vrasim, t’i rrjepim shqiptarët”. Droni i bëri që të mos shikojnë se si para ardhjes së tij, në shkallët e stadiumit po digjej jo vetëm flamuri shqiptar, por edhe ai i Natos. Droni I bëri të mos shikojnë një fuçi baruti në shkallët e stadiumit.  Duket qartë që droni ka efekt jo vetëm në kohë reale, por efekt para- dhe prapaveprues. Sepse ishte po droni që i bëri të thonë në gazetat dhe televizionet e tyre se ndeshja u ndërpre prej shfaqjes në ajër të dronit dhe jo të vërtetën e madhe, që e pa kushdo, se ndeshja ishte ndërprerë për shkak të dhunës me sende të forta të hedhura në stadium përpara se të vinte droni. Ka një moment shumë domethënës, kur ndeshja ishte ndërprerë për shkak të sendeve të hedhura dhe një lojtar serb, duke ndier situatën që po rrëshqiste, pasi ishte ndërprerë loja, shkon tek arbitri dhe gjysmë i dëshpëruar  tregon me gisht nga droni që ishte në ajër, ndërsa arbitri i tregon me gisht sendet e hedhura në fushë dhe arsyen  e vërtetë pse është ndaluar loja. Dhe më pas, kuptohet, s’ka si të mos merremi prapë me dronin. Kur lojtarët tanë hynë në dhomat e zhveshjes, policia pa mandate hyri në to për të gjetur pronarin e dronit. Edhe kur kontrolloi një për një çantat e futbollistëve të kombëtares, si të ishin kontrabandistë, tashmë jemi të gjitha palët në një mendje që ishte faji i dronit. Dhe telenovela nuk ka si të mbarojë me kaq, se dronit i duhet gjetur dhe pronari. Dhe pronarin e gjejnë lehtë, si autoritetet serbe, ashtu edhe media serbe. Që FIFA të marrë vendim “sa më të drejtë” dhe që Europa “ta kuptojë kush janë shqiptarët”, pronari i dronit është mirë të jetë vëllai i kryeministrit shqiptar! Dhe pre e kësaj cektësie e propagande bajate bie dhe CNN-i, që edhe pse nuk ka kapur asnjë me presh në dorë dhe nuk zotëron asnjë fakt, sillet tamam si ato gazetat e vogla ordinere shqiptare, që duan të shiten thjesht dhe vetëm me tituj spekulativë, të tillë si “Vëllai i kryeministrit shqiptar pronar i dronit”, poshtë të cilit, te germat 11-she,  ka një fjali: “i akuzuari e mohoi akuzën e autoriteteve serbe”. Shkurt dhe shqip, ajo që shqiptarëve, apo kujtdo teleshikuesi tjetër në botë, iu duk një gjetje e zgjuar, një reagim I natyrshëm civil për të çarë bllokadën e represionin ndaj simboleve tona me një gërvishtje nga ajri ku nuk ka policë serbë, po kthehet në një fatalitet, jo vetëm thjesht për paragjykimet që na vinë si vend i vogël, por kryesisht prej cektësisë së pushtetit të katërt në kontinent. Ndaj, nuk është çudi që ky film dramatik me viktima 22 lojtarët e kombëtares shqiptare, të kthehet në një telenovelë rozë me 10 milionë viktima serbe. Kjo do të ishte qesharake dhe e turpshme, po për shkak të arsyeve që rendita më sipër është e mundshme të ndodhë. Jemi në një moment të rrezikshëm, kur e padrejta mund të shitet si e drejtë, madje dhe plotësisht e besueshme. Edhe pse personalisht kam pak shpresa, se instrumentet e UEFA-s, rrjedhimisht dhe ato europiane, e kanë të vështirë të shpëtojnë pa ngrënë pjatën e njëjtë e të cekët të pushtetit të katërt, unë prapë them se ne duhet të shpresojmë, e për të tepër, se duke mbrojtur këtë herë “një të vërtetë shqiptare”, po mbrojmë ndërkohë një vlerë europiane; ta kuptojë kush të dojë, ta shikojë kush të dojë. Në këtë kontekst duhet parë dhe vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, e programuar javën e ardhme. Është pa dyshim një vizitë europiane. Thirrjet për bojkot të kësaj vizite janë shtuar pas asaj që ndodhi në Beograd. Edhe pse personalisht hyj më tepër tek ata që mendojnë se Rama duhet të shkojë në Beograd, marr guximin t’i bëj një sugjerim kryeministrit të vendit tim: prit vendimin e UEFA-s, pastaj vendos. Ashtu sikurse vizita juaj, kjo është një çështje europiane.