• |
ide | kryesore

Rama në Beograd për të gjuajtur penalltinë

Arkiva, Ide
Bejtja.jpeg



Në prag të vizitës së shtyrë për në 10 nëntor në Beograd, Kryeministri shqiptar Edi Rama ndodhet në pozitën më të vështirë që prej ardhjes në pushtet; në një situatë, ndoshta, më të vështirë se ajo e refuzimit të armëve kimike, për një arsye të thjeshtë: bilanci i krediteve personale politike për të pas vizitës në Beograd është qartësisht në disfavor të tij dhe nuk ka nevojë për sondazhe. Është e qartë si drita e Diellit që Rama do të fitojë disa duartrokitje në perëndim, por do të vërshëllehet në kor nga shumica e shqiptarëve të thjeshtë, jo vetëm brenda territorit shqiptar, por kudo ku ka shqiptarë, pasi, pas asaj që ndodhi, shqiptarët, në përgjithësi, (përfshi dhe autorin e këtyre radhëve, herë pas here) në këto momente mendojnë më shumë me zemër sesa me mendje. Dhe nuk është se nuk kanë të drejtë, por politika i takon më shumë mendjes sesa zemrës. Para disa ditëve i bëra thirrje publike Kryeministrit Rama që ta shtyjë vizitën në Beograd pas marrjes së vendimit të FIFA-s më 23 tetor, pasi tashmë kjo çështje, për mua, nuk është thjesht dhënia e një mase burokratike për një ndeshje futbolli, por është një çështje kokë e këmbë europiane, që ka të bëjë me vlerat e Europës së ndërtuar me mund në shekuj, është një test për organizmat europianë, që do të tregojë nëse Europa, bashkë me mekanizmat e saj, është e aftë të japë drejtësi në situata të tilla delikate, kur ndikimi i vendimit të FIFA-s nuk prek vetëm fatin e dy kombëtareve të futbollit apo ndjenjat e ndezura nacionaliste të dy popujve, por direkt vlerat europiane. Kjo thirrje nuk kishte të bënte aq shumë me verdiktin e FIFA-s, sesa me faktin që Kryeministri mund të ndikohej emocionalisht nga një vendim i padrejtë i këtij organizmi, pasi vendimi dhe vizita ishin pothuaj në një datë. Fatmirësisht, Kryeministri shqiptar do ta presë këtë vendim në shtëpi dhe do të ketë kohë një javë për të shoshitur çdo lloj emocioni që mund të vijë pas këtij verdikti, pozitiv apo negativ për ne, dhe të rimarrë rrugën që kishte nisur për në Beograd, me shumë arsye dhe me më shumë kthjelltësi. Për shqiptarët e thjeshtë, vajtja apo mosvajtja e Kryeministrit shqiptar në Beograd, edhe përpara dhunës që ndodhi në stadiumin e Beogradit, është parë më shumë si një çështje dinjiteti, sesa si një çështje politike. Pas asaj që ndodhi në atë stadium e, sidomos, pas deklaratave primitive të autoriteteve serbe, kjo çështje shihet kryekëput si një çështje që lidhet vetëm me dinjitetin kombëtar. Kjo situatë, po të lexohet nxehtë emocionalisht, ka një përgjigje të vetme: Rama nuk duhet ta marrë rrugën për në Beograd, pasi kombëtarja shqiptare u dhunua psikologjikisht në atë ndeshje, pasi himni dhe simbolet kombëtare u fyen si asnjëherë në histori, pasi vetë personaliteti i Kryeminstrit u cenua me lojën e dronit, që autoritetet serbe donin të nxirrnin me pahir të vëllain pronar, pasi deklaratat e presidentit serb ishin ofenduese e skandaloze jo vetëm për autoritetet shqiptare, por për të gjithë kombin shqiptar, pasi shtyrja e vizitës nga Kryeministri serb, bashkë me fodullëkun bosh provincial të tij, që përfundoi me fjalinë “akoma nuk kam vendosur nëse do ta pres Ramën”, ishin, gjithashtu, ofenduese…..Ka me dhjetëra arsye të tjera si këto e, madje dhe arsye gjysmë racionale, që nuk e çojnë Ramën në Beograd, si fakti që shkëmbimet tregtare me Serbinë janë të papërfillshme, që Shqipëria nuk ka asnjë përfitim ekonomik direkt etj. etj. Por, po të lexohet politikisht, rruga që duhet ndjekur është tjetër. U duk fare qartë që pas ndeshjes, autoritetet serbe e, veçanërisht, vetë Kryeministri serb, ishin më të interesuar se kushdo që Kryeministri shqiptar të mos shkelte në Beograd, pasi, me mbajtjen ngrehur të një nacionalizmi primitiv, Kryeministri serb do ta kishte më të lehtë, jo vetëm të rriste kreditet personale të mbjella nga mënyra e reagimit pas dhunës antishqiptare në stadium, por, njëkohësisht, të hiqte vëmendjen nga problemet e shumta brenda vendit e, kryesisht, nga ato ekonomike. Të gjithë e pamë se si serbët në stadium shanin Kryeministrin e tyre po aq, në mos më shumë se shqiptarët. Ndaj, po t’i lexojmë politikisht po ato veprime që lexuam pak më sipër emocionalisht, dalim në një përfundim tjetër. Vuçiçi cenoi direkt imazhin e familjes Rama, duke akuzuar vëllain e Kryeministrit si pronar të dronit, vetëm e vetëm që Rama të binte në kurthin e emocioneve e të mos vente në Beograd. Po për këtë qëllim, ai, pasi Rama konfirmoi vizitën në Beograd, me një pompozitet provincial, tha se nuk kishte vendosur akoma nëse do ta priste apo jo atë. Vetë Presidenti serb, me deklaratat e tij, ofendoi jo vetëm autoritetet shqiptare, por gjithë kombin shqiptar, vetëm e vetëm që Rama të binte në kurth e të mos vente në Beograd. Por, në fund të fundit, pavarësisht se çfarë do të humbin apo do të fitojnë Rama dhe Shqipëria nga kjo vizitë në Beograd, Rama do të vërshëllehet brenda Shqipërisë. Mendoj se shqiptarët do të fitojnë dhe pikërisht atë që kanë më frikë se do të humbin, dinjitetin dhe imazhin europian, që ua vunë në vend pikërisht lojtarët e kombëtares në stadiumin e Beogradit. Nuk ka pikë rëndësie kush e bindi Ramën së fundmi të marrë rrugën për në Beograd, Merkeli, Obama apo vetvetja. Në këto momente Rama duhet të shkojë në Beograd e të shikohet në pasqyrën serbe, se, në këtë pasqyrë të shtrembër provinciale, jo vetëm ai, por çdo politikan shqiptar, sado i rëndomtë, dhe gjithë shqiptarët bashkë e veç e veç, dalin europianë. Vuçiçi, ashtu siç luajti dhe veproi, ngjau me lojtarët lokalë të stolit serb, që ndryshe nga 11 lojtarët serbë në fushë, që luajnë në Europë, u çuan e goditën lojtarët shqiptarë në fushë. Kurse Rama po shkon në Beograd si lojtar i 12-shes shqiptare në fushë, për të gjuajtur një penallti që ia dhanë jo vetëm faullet e dhunshme të serbëve në vite, jo vetëm komuniteti ndërkombëtar, por dhe vetë sjellja europiane e shqiptarëve në rajon për më shumë se një shekull. Ramën, do ta vërshëllejnë shqiptarët sot, por do ta duartrokasë historia nesër, sepse e gjithë bota do të kuptojë atë që, s’ka mundur ta bëjë më parë, për shkak të izolimit komunist e të lobeve të shtrembëta, se shqiptarët, pavarësisht varfërisë, jo vetëm janë, por dhe kanë qenë shumë më europianë sesa serbët. Jam i sigurt që Ramën shqiptarët do ta vërshëllejnë dhe krediti i tij politik mund të bjerë ndjeshëm brenda Shqipërisë, por profesionalisht, si politikan, ai do të rritet, se, me këtë vizitë po vetëshkatërron atë që deri tani nuk e ka lënë të bëhet lider: të ashtuquajturën “sindromë e armëve kimike”. Rama, për herë të parë po shkon kundër instinkteve të tij populiste, që e kanë lënë pa bërë punë të qenësishme, por kryesisht vetëm show. Shqiptarë, rrini të qetë edhe po e humbi penalltinë Rama në Beograd! Ne si komb kemi fituar, pavarësisht se, fatkeqësisht, tani do ta vërshëllejmë.