• |
ide | kryesore

Rama, ky kalorës i europianizmit në rajon

Arkiva, Ide
shkullaku.jpg



Kryeministri shqiptar Edi Rama ka përfituar nga ndërprerja e lojës Serbi- Shqipëri, për të vazhduar lojën e tij politike në rrethanat e reja të krijuara. Ai dha një leksion të gjatë, pas kthimit nga SHBA, për vlerat europiane të Shqipërisë dhe rolit të tij si lider për t’i çuar përpara ato. Vizitën e tij në Beograd e mbështolli kryesisht me këtë veshje, duke i dhënë vetes rolin e një misionari që do të përçojë në tokën ballkanike frymën që vjen nga lart. Përpara këtij misioni, detajet e tjera nuk kanë rëndësi. Askush nuk e di se çfarë mendon kryeministri shqiptar për reagimin e qytetarëve të tij në Tiranë e gjetkë si kundërpërgjigje ndaj asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit, i dënon apo i mbështet ai thirrjet e tyre? Eshtë me ata që mendojnë se serbët janë fajtorët e vetëm për incidentin e Beogradit apo e ndan përgjegjësinë edhe me shqiptarët? A duhej ai të kujdesej për problemet e brendshme të Aleksandar Vuçiç dhe t’i jepte oksigjen duke pranuar të shtyhej vizita dhe të trajtohej si kryeministër i dorës së dytë? 
Se çfarë mendon kryeministri për këto çështje e shumë të tjera, shqiptarët ende nuk e dinë. Por ama ata dinë se çfarë mendon ai për Europën e frikës dhe Europën e shpresës. Për rolin e Gjermanisë në rajon dhe misionin e kryeministrit shqiptar për ta luajtuar këtë rol. Në këtë kontekst, Edi Rama nuk bëri përjashtim nga aradha e politikanëve shqiptarë që evitojnë përgjegjësitë konkrete brenda vendit në emër të ca qëllimeve më të larta. Eshtë i njëjti fenomen si atëherë kur flitej për albanofobinë dhe rolin e ri të shqiptarëve në rajon, vetëm se albanofobia zëvendësohet më lehtë me europianizmin. Madje fjalimi i Edi Ramës tri ditë më parë ngjante si dy pika uji me fjalimet e Enver Hoxhës, ku mbizotëronin terma të tillë si Shqipëria shembull frymëzues (Shqipëria fanar ndriçues) apo klishe boshe si ajo fjalia që Shqiëpëria europiane është një trung që rrënjët e veta i ka thellë në histori ndërsa degët në mendjet e zemrat e shqiptarëve të rinj. Edi Rama po shkoka në Beograd në emër të këtij qëllimi historik, që shqotat që rrahin nga Serbia të mos na i shkulin rrënjët tona.
Projektimi i një problemi konkret tek një mision i lartë, për rrjedhojë i pamatshëm për vdekatarët e zakonshëm, prodhon një gjendje evazive, krijon një situatë ku lideri i shmanget gjykimit të votuesve të tij dhe i zhvendos raportet me historinë, Europën, etj. Qëndrimi për ngjarjen e Beogradit, vizita atje dhe projekti i Shqipërisë europiane janë gjëra që nuk e kushtëzojnë njëra- tjetrën. Ne duhet të dimë se ç’mendon kryeministri për dy të parat, pa i parë këto si domosdoshmëri për t’i dhënë një shembull frymëzues Europës së shpresës dhe dërrmën Europës së frikës.
Projekti europian i Shqipërisë nuk është vënë ndonjëherë në dyshim për shkak të marrëdhënieve që ne kemi me fqinjët. Shqipëria madje figuron ndër vendet ku respektohen në maksimum të drejtat e pakicave. Vajtja ose jo në Beograd nuk ndan historinë tonë me Europën, por mund të vendoste rregulla të dinjitetshme në raport me një fqinj problematik. Duke e paraqitur një ftesë për në Serbi si një leje- kalimi për në Europë, në fakt Edi Rama po bën atë që kanë bërë të gjithë paraardhësit e tij. Të lërë pa bërë detyrat e shtëpisë për një detyrë më të lartë që i paskërkishin caktuar në këtë moment të historisë. Të fitojë kredite personale, një faktorizim më të madh, tek Angela Merkel apo Brukseli, për të mos dhënë shumë llogari për sendet e vogla në Shqipëri.
Në afrimin e saj me BE, Shqipëria nuk e ka patur problemin tek marrëdhëniet me fqinjët apo rolin e saj në rajon. Në çdo raport të Brukselit, arsyeja kryesore për ngecjen e Shqipërisë ka qenë konflikti politik brenda vendit, ashtu siç është edhe sot. Kryeministri mund të merrte një angazhim më tokësor dhe konkret për të kapërcyer këtë problem në radhë të parë e pastaj të paqtonte mbarë rajonin. Kjo është një detyrë për të cilën ai gjykohet nga votuesit shqiptarë. Kur flet për Shqipërinë europiane, Edi Rama i referohet të shkuarës, rrënjëve të thella, bashkëjetesës fetare e të tjera miteve apo të vërtetave historike, por asnjëherë nuk flet për Shqipërinë e sotme, Shqipërinë e tij, se çfarë vlerash europiane ofron në vetvete dhe jo e krahasuar me të tjerët. Një vend ku opozitat bojktojnë parlamentin, ku deputetët rrihen në Kuvend, ku nuk respektohen ligjet dhe gjykatat, ku krimi e korrupsioni janë në nivelet më të larta të qeverisjes, si Europa e frikës ashtu edhe ajo e shpresës janë shumë larg. Ato nuk i afron dot një vizitë në Beograd qoftë si përpjekje e sinqertë, qoftë si hile apo qoftë edhe si delir.
Edi Rama është votuar për projektin e tij për të rregulluar Shqipërinë dhe jo për të shpëtuar rajonin. Edhe në Beograd, meqë nguli këmbë aq shumë, duhet të shkojë për të mbrojtur interesat e vendit të tij dhe jo si shembull frymëzues që duhet ta ndjekin të tjetrët. Duhet vërtet të jesh shembull brenda vendit për të marrë përsipër të ndikosh tek të tjerët, përndryshe, hidhur të vjen por nuk ke çfarë i thua Nikoliçit kur deklaron se shqiptarët duan dhe një shekull të bëhen shtet. Përpara se të jetë misionari i ri në Ballkanin Perëndimor, Edi Rama le të lërë një shenjë të rëndësishme për Shqipërinë perëndimore. Përpara se të marrë përsipër t’i japë të drejtë Merkelit dhe t’i quajë fatkeqe deklaratat e Brukselit, të shoh fatin e qytetarëve të tij. I cili nuk është i lidhur me një vizitë në Beograd, por me të drejtën e të jetuarit në shtet të dinjitetshëm.