• |
ide | kryesore

A do çlirohet Rama nga “sindroma e Hoxhës”?

Arkiva, Ide
fevzo.jpg



A do t’i shpëtojë Edi Rama “sindromës së Enver Hoxhës”? Kjo është pyetja e parë që në mënyrë figurative do t’i bëja vetes 24 orë përpara se sa Kryeministri i Shqipërisë të vizitojë Beogradin. Po ç‘lidhje ka mes Enver Hoxhës dhe Edi Ramës veç faktit që të dy bashkë kanë qenë Kryeministra të këtij vendi dhe që Rama është i dyti pas Hoxhës që viziton Beogradin? Lidhja qëndron në kontekstin në të cilin të dy kryeministrat kanë vizituar Beogradin dhe në sjelljen që Hoxha ka reflektuar dhe Rama pritet të reflektojë atje. 

68 vjet më parë kur Hoxha vizitoi Beogradin, ai ishte dukshëm një vasal politik i Titos. Hoxha mbërriti në Jugosllavi si një i përzgjedhur i komunistëve jugosllavë në krye të partisë komuniste shqiptare; ai nënshkroi të gjitha marrëveshjet që ju vunë në tavolinë edhe pse ato ishin dukshëm nënshtruese për Shqipërinë. Hoxha u lut për një ndihmë ekonomike që përfshinte ndërtimin e një hekurudhe në Shqipëri dhe dërgimin e disa fabrikave të vjetra jugosllave. Në rrafshin politik, sipas dokumentave të hapura së fundi, Hoxha u ankua më shumë për Pleniumin e Beratit se sa për Shqiptarët e Kosovës; ai pranoi arsyetimin e Titos se çështja e Kosovës nuk duhej diskutuar tani se lëndonte serbët dhe nuk guxoi të shkonte në Prishtinë. Madje as u takua në Beograd me liderët shqiptarë komunistë të kosovës, disa prej të cilëve kishin qenë edhe themelues të PKSH! Në librin “Titistët” Hoxha përshkruan me detaje se sa vështirë e kishte të qepte një kostum që të ishte dinjitoz për vizitën tek Tito dhe nuk e fsheh se ishte i impresionuar prej tij. Hoxhës i mbetej vetëm të lutej për gjithçka dhe në historinë e marrëdhënieve bilaterale, kjo mbetet vizita më e shëmtuar që një burrë shteti shqiptar ka bërë ndonjëherë.

68 vjet më pas, Rama shkon në Beograd në një kontekst krejt tjetër. Një kontekst që ka nisur të ndryshojë që 21 vjet më parë. Madje ai ka edhe një precedent për këtë, që përmendet fare rrallë në shtyp këto kohë. Më 1993, Kryeministri i Jugosllavisë, Milan Paniç vizitoi Tiranën. Ndryshe nga vitet e komunizmit, Paniç mbërriti si politikan që nuk demostronte forcë, por kërkonte ndihmë në Tiranë. Në takimin me Kryeministrin Meksi ai ishte dukshëm inferior, madje sipas procesverbaleve ka qenë pre e ironisë (thënies së Paniç se ai diti të shkonte në SHBA me 20 usd në xhep dhe u kthye milioner, Meksi ju përgjigj: mund të shkosh me 20 usd e të bëhesh milioner në SHBA, por mund të vish milioner nga SHBA dhe të ngelesh me 20 usd në xhep në Ballkan)! Thelbi i inferioritetit të Paniç ishte i thjeshtë. Ai kërkonte ndihmën e Tiranës zyrtare në atë kohë që shqiptarët e Kosovës të votonin për të dhe jo për Millosheviçin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Shqipëria nuk u përzje në këtë histori dhe pas ngjarjeve të 1999 dhe 2008, situata në Ballkan ka ndryshuar rrënjësisht.

Rama do të shkojë nesër në Beograd si Kryeministër i një vendi anëtar i NATO –s; si kryeministër i një shteti që në procesin e integrimit është po aq i avancuar sa Serbia; që e ka GDP për frymë thuajse të ngjashme me atë të Serbisë; që ka një marrëdhënie impresionuese me SHBA, fuqinë më të madhe të globit dhe i një vendi që s’ka asnjë dilemë për përkatësinë euro – atlantike të tij. Këtë më shumë se kushdo e ka treguar samiti i Berlinit në Gusht.

Në rrafshin rajonal, Rama shkon si Kryeministër i një vend, bashkëkombasit e të cilit janë përcaktues në stabilitetin e katër shteteve në Ballkan. Kosova është shtet i pavarur; shqiptarët e Maqedonisë janë element i rëndësishëm shtetformues atje dhe ata të Malit të Zi, garant të pavarësisë së këtij vendi në ballancat e vështira etnike. Kryeministri i Shqipërisë reflekton në Ballkan një fuqi që Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë në 75 vitet e para të ekzistencës së saj si shtet dhe këtu qëndron edhe diferenca e tij me Hoxhën. Rama duhet të jetë koshient për atë që përfaqëson dhe duhet të çlirohet nga “sindroma e Hoxhës”; ajo e të ndjerit i vogël dhe inferior në raport me fqinjët. Kjo është sfida kryesore e Kryeministrit të Shqipërisë dhe nëse ai nuk e reflekton këtë (pa arrogancë dhe pa teprim) vizita mund të quhet e dështuar. Në të kundërt, Shqipëria ka shansin të imponojë një imazh tjetër në Ballkan, një imazh që ka nisur të strukturohet dukshëm që pas mbarimit të izolimit dhe rrëzimit të regjimit komunist. 

Ngjarjet e ndeshjes Serbi – Shqipëri dhe deklaratat e Nikoliç dhe Vuçiç pas saj e kanë ndezur situatën, por kjo nuk ndryshon asgjë në raportet politike. Shqipëria ruan po atë status dhe Rama duhet të afishojë këtë. Ai duhet të rikonfirmojë fuqinë e një vendi që synon intergimin europian, europën e bashkuar, por që e bën këtë po me ato aksione politike, madje edhe më të forta se sa fqinjët tanë. “Sindroma e Hoxhës” ka mbaruar dhe Kryeministri i Shqipërisë, duhet të tregojë që s’vuan më nga kompleksi i inferioritetit që ka qenë mallkimi ynë historik!

Vetëm atëherë, vizita në Beograd mund të quhet një vizitë e realizuar!