• |
ide | kryesore

Buxheti i taksave të larta dhe propagandës

Arkiva, Ide
shano-2.jpg



Rreziqet më të mëdha për Lirinë vijnë nga pritat tinëzare ku ajo cënohet nga njerëz të zellshëm, që nisen për mirë, por që nuk ia kanë idenë asaj që bëjnë.Louis Brandeis
 
Nga Dritan Shano
 
Buxheti i vitit 2015 përcjell disa mesazhe. Për shembull është evidente cilët janë kanakaret e Kryeministrit në qeveri. Është Ministri i Dashurisë, të cilit do i rrisim “ushtrinë” e tij me mbi 1000 veta të tjerë. Është dhe Ministri i Propagandës; buxheti i kontrolluar prej tij është rritur pambarimisht për dy vjet rresht. Sikur të mos mjaftonte kjo, këtë vit, përveç gjithë shpenzimeve për asistencializmin selektiv, do dyfishojë edhe numrin e Qendrave të Rinisë. Për propagandë. Nuk dua të merrem më gjatë me këto çështje. Jo se nuk janë të rëndësishme.
 
Mendoj se më e rëndësishme është të kuptohet a forcohet apo dobësohet ekonomia shqiptare nga buxheti dhe politikat fiskale të qeverisë socialiste? A jepet rrugë konsolidimit të ekonomisë së tregut në Shqipëri? A bëhet Shqipëria me atraktive për investimet e huaja? A e nxit ky buxhet konkurueshmërinë e sipërmarrjes shqiptare? Në çfarë filozofie qeverisëse e kanë dorëzuar veten shqiptarët dhe a do rritet punësimi për ata?
 
Gjatë vitit 2014 Qeveria projekton që të ardhurat që do mblidhen në buxhetin e shtetit do të jenë 40.7 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013. Nga ana tjetër, rritja nominale e ekonomisë shqiptare (PBB) për vitin 2014 parashikohet të jetë rreth 47.8 miliardë lekë. Është evidente që Qeveria përmes taksave duke përdorur i merr ekonomisë 85 përqind të asaj çka është krijuar brenda Shqipërisë, në një kohë kur kontributi i sektorit publik në ekonomi nuk i kalon 20 përqind. Gjatë 2014 ky kontribut i sektorit publik nuk arrin as tek 20 përqind për shkak të pazotësisë totale për të kryer investimet kapitale – ato nuk e kalojnë 48 përqind të parashikimit të vetë qeverisë. Kemi një situatë tipike socialiste, si ajo që shumica e shqiptarëve e njohin mirë. Shteti socialist i 2014 u ka rrëmbyer qytetarëve dhe sipërmarrjes shumicën e vlerës së krijuar nga puna e tyre gjatë këtij viti. Për ta përdorur vetë. E njëjta logjike anti-kapitaliste vihet re edhe në parashikimet e vitit 2015. Buxheti i 2015-s është i ndërtuar mbi një parashikim rritjeje të PBB me 78.7 miliardë lekë, ndërsa do të marrë prej saj mbi 59 përqind, duke i lënë qytetarit dhe sipërmarrjes vetëm 40 përqind të asaj çka prodhohet në shumicë prej tyre. Është e qartë që duhet e gjithë forca e tregut që ekonomia të funksionojë, të ringjallet.
 
Po a janë pas kësaj rishpërndarje të burimeve në favor të shtetit, operatorët ekonomike në gjendje të mbështesin fort rigjallërimin e ekonomisë shqiptare? Ata janë të mpirë, pa limfe. Me shumë se gjysma e gjakut të tyre sapo i është bërë transfuzion shtetit.
 
Natyrshëm, lindin pyetje: me çfarë do rritet punesimi? Cili do t’i kryejë investimet e reja në teknologji, aq të nevojshme për të rritur kapacitetin prodhues në këtë vend, për të qenë konkurrues? Zvogëlimi i mundësive për akumulim të kapitalit në dispozicion të sektorit privat, si e vetmja mundësi teorike dhe praktike për t’i kryer këto, siç e shpjeguam më lart duket me sy të lirë. A ka mundësi shtetit të rrisë punësimin. Pergjigjja është JO. E padiskutueshme. Të vetmit që mund të krijojnë punësim të qëndrueshëm në Shqipëri dhe kudo në botë janë sipërmarrësit duke vënë në përdorim kapitalin e tyre. Përveç të tjerave Qeveria e sotme mbledh para merr borxh dhe nuk harxhon. Nuk kthen gjë mbrapsht në ekonomi. Investimet publike janë në nivele të mjera. Për shkak se socialistët e sotëm të Shqipërisë dhe jo vetëm, mund të levizin lirisht nëpër botë dhe të shkollohen atje, jo rrallë bëjnë pyetjen me eliminim: po Franca, Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amërikes …? Përpara se t’ia bëjnë këtë pyetje kujtdo duhet t’i kujtojnë kulturës dhe dijes së tyre se si këto vende dhe të tjera e kanë akumuluar kapitalin, cila ka qenë baza e krijimit të kapitalit atje. Natyrisht duhet edhe të thonë se ku bësojnë më shumë; tek shteti apo tek kapitali privat? A mund të ketë shtet social pa një ekonomi kapitaliste të fortë, në gjendje të mbajë peshën e shtetit, dhe njëherësh të jetë në gjendje të konkurrojë në tregjet globale? A është ky rasti i Shqipërisë që me ekonominë e tregut dhe akumulimin e kapitalit u njoh vetëm para dy dekadash?
 
E gjithë qasja e socialistëve në politikën fiskale dhe buxhetore, të pakten siç demonstrohet deri tani, vjen me një shterpësi ekstreme të argumentit të zhvillimit ekonomik. Socialistët e shohin veten si autoritetin më të rëndësishëm ekonomik të vendit, në një kohë kur është ekonomia e tregut ajo që mund të garanton drejtësinë dhe harmoninë ekonomike dhe sociale. Kështu siç po sillen me taksat duket sikur duan ta sjellin vendimmarrjen ekonomike të operatorëve ekonomik private brenda juridiksionit të qeverisë. Si dikur. Siç thote Hayek: Sa më shumë “të planifikojë” shteti, aq më i vështirë bëhet planifikimi për individin. Kjo qasje mbështetet vetëm tek ideologjia e kufizimit të lirive dhe mundësive të individit dhe sipërmarrjes në favor të rritjes së mundësive të shtetit për të vendosur në emër të individit. Jo të jetë në shërbim të tij. Ajo mbahet në këmbë me 86 deputete të cilët janë njeherësh përgjegjës aq sa Kryesori i tyre, pavarësisht sa marrin vesh nga ekonomia dhe financat, veç e veç apo të gjithë së bashku.
 
Në këtë optikë, është shqëtesues qëndrimi i qeverisë sidomos përsa i përket rritjes së taksës mbi kursimet. Akoma dhe me shqetësues është argumenti politik që përdoret për ta justifikuar atë. Ministra socialistë janë shprehur shpresëmedhenj që pikërisht prej kësaj rritje të takses mbi kursimet, shqiptarët do i marrin lekët që i mbajnë kot në bankë dhe do i investojnë.
 
Zoterinj qeveritare! Larg qofte! Shqiptaret aty i kane kursimet dhe po te duan i marrin dhe investojne. Nuk ka nevoje t’i trembesh si gogol me rritjen e takses mbi to. Rritja e kursimeve eshte e vetmja menyre qe bankat, vendi ku mbahen kursimet, si institucione të specializuar të kreditimit të financojnë investime në ekonomi. Investime që paraqiten me një biznes plan, në sektorë që bankat perceptojnë zhvillimin dhe suksesin. Shpresa e qeverisë se rritja e taksës mbi kursimet e shqiptarëve do sjellë rritje të investimeve private në ekonomi nuk sjell këtë. Ajo sjell kaos. Ajo shton paranë jashtë bankave, dhe çon në rritjen eksponenciale të informalitetit. Në rastin më të mirë. Shqiptarët mezi i nxorrën lekët nga dysheku dhe i çuan në bankë. Tani ka të ngjarë t’i fusin prapë në dyshek. Ne rastin më të keq nxitja e një politikë e tillë do të destabilizonte fort sistemin bankar në Shqipëri.
 
Buxheti i vitit 2015 prezumon një rritje ekonomike prej 3 përqind. Albert Einstein thotë se: të kryesh të njëjtin veprim vazhdimisht dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri. Qeveria vazhdon të rrisë taksat dhe të thotë se pret të rritet ekonomia. Për të dytin vit rradhazi.
 
I ftoj ekonomistët e Parlamentit që t’i thërrasin mendjes dhe të kundërshtojnë rritjen e taksave. Nuk e kërkon Fondi Monetar, e kërkon Qeveria. Është ajo që i çon letër Fondit për t’i shprehur këtë vullnet dhe jo e kundërta. Çdo pretendim i kundërt është mashtrim. Jam i sigurt se edhe këshilltarët e qeverisë e kane bërë të qarte se ky sulm që qeveria po i bën kapitalit të brishtë shqiptar në këtë kohe krize globale, do të shkaktojnë me siguri matematike =1 tkurrjen e ekonomisë, rritjen e papunësisë, varfërimin e shqiptarëve, dhe sidomos rritjen e metejshme, dramatike, të ekonomisë informale.
 
Është e qartë se ideja e ekonomisë së tregut të lirë nuk ka zënë asnjëherë vend në mendjen e shumicës së socialistëve dhe sidomos të grupit të ngushtë të tyre që sot qeveris Shqipërinë. Përmes gjuhës së buxhetit dhe politikës fiskale, është e qarte se socialistët e shohin shtetin si një aktor dominant në treg. Nuk kanë shpjegim tjetër, rritja e taksave dhe tatimeve mbi kapitalin dhe çdo gjë tjetër për të dytin vit rradhazi. Me ç’duket ADN–ja politike e socialistëve që qeverisin sot Shqipërinë i shtyn fort ta luftojnë kapitalin si shfaqje borgjeze. Në këto dy vjet të rikthimit të socialisteve të të gjitha llojeve në pushtet, bashkë me fotografitë e liderit të tyre politik dhe shpirtëror në ngjarje publike, është rikthyer edhe vendosmëria për të zmadhuar shtetin socialist dhe zvogëluar hapësirat ku jeton dhe vepron individi dhe sipërmarja. Duke e taksuar biznesin kaq fort ata duket sikur duan ta rrezojnë nga froni kapitalizmin në Shqiperi. Ndoshta, këto rritje të taksave kanë për qëllim t’i thyejnë gjunjët të gjithë sipermarrjes shqiptare dhe ta robërojne atë, ta bëjnë ate skllave të humorit dhe axhendes politike për pushtet të Partise Socialiste dhe LSI-së. Dihet që paraja e harxhuar nga qeveritë nuk krijon më shumë punesim dhe nuk krijon më shumë pasuri kombëtare sesa po u shpenzua nga dora e privatit. Siç edhe dihet që kur Leku ikën nga privati dhe shkon tek qeveria shtohet mundësia për mbeshtetje finaciare me para publike të klientëve më të ngushtë politikë të qeverisë.
 
Për këto arsye dhe politika që po zbatojnë të dy buxhetet e socialisteve, si ai që po permbyllet i 2014-s ashtu dhe ai që vjen në 2015 janë buxhete anti-zhvillim. Është një filozofi anti-kapitaliste, anti-ekonomise së tregut. Hayek e shpreh qartë këtë situatë qe po ri-merr jetë në Shqipëri: nëse fillon me politika ndihme sociale të çdo lloji, që nga taksimi për qellime sociale, komandimi i individit, apo manipulimi i marrëdhënieve të tregut të lirë, është e sigurtë që do përfundosh në totalitarizëm.
 
Po ashtu, kjo filozofi e rritjes së taksave për të financuar aparatin inefiçent shtetëror, e ka nxjerrë Shqipërinë nga loja e konkurencës me shtetet e tjera të rajonit. Taksimi i kapitalit në Shqipëri ka arritur në 30 përqind, kështu që konkurimi me Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën, apo dhe Serbinë që u vizitua se fundmi nga Kryeministri është pothuaj i pamundur. Megjithatë qeveritarët e sotëm nuk janë dhe aq të përkorë. Perkundrazi janë ata që e kanë ngritur klientelizmin në sistem. Nuk e kanë për gjë të favorizojnë pijet energjitike duke u hequr atyre akcizën, sikundër nuk e kanë për gjë të mos mbrojnë shëndetin dhe cilësinë e jetës së shqiptarëve duke i hapur tregun me vendim qeverie miellrave të një cilësie më të dobët dhe njëkohësisht duke i vendosur operatorët e tregut shqiptar në kushte konkurence të pafavorshme. Kjo politike, dhe ajo e taksave të rritura ndaj kapitalit, dhe jo vetëm, po e ringre murin e izolimit të Shqipërisë, po e bën atë gjithnjë e më pak atraktive për investime të brendshme dhe të huaja. Po nxit bizneset të largohen nga Shqipëria drejt tregjeve më të favorshëm duke shkaktuar kështu ulje të mëtejshme të punësimit, dhe varfërim të gjithë shqiptarëve. Kjo filozofi e deritanishme e qeverisë, përveçse është anti-kapitaliste është edhe anti-kombëtare.
 
Mentaliteti kolektivist i ngulur si një gozhdë trau mu në ballë të shumë qeveritarëve të sotëm u rishfaq me artikulimin e bërë në Komision Parlamentar të Ekonomisë ku sulmohet PD duke thënë se ajo i uli taksat që të fitonte vota, dhe në tani na duhet t’i ngremë. Zoterinj shokë! PD nuk i uli taksat që të fitonte vota, por sepse kjo është alternativa ekonomike që u ofron ajo shqiptarëve. Ne themel të ekzistencës së Partisë Demokratike është liria ekonomike dhe funksionimi i ekonomisë së tregut. Liria ekonomike është me individin dhe sipërmarrjen. Këtë po ua thotë shumë fort i gjithë biznesi shqiptar në konsultimet që formalisht po kryhen në Parlament. Ata janë të qartë. Kërkojnë uljen e taksave dhe jo rritjen e mëtejshme të tyre. Deri kur do talleni me ta?
 
Nga ana tjetër a duhet të mjaftohet biznesi vetëm me paraqitjen elokuenteë të këtyre kërkesave në Parlament, dhe pastaj të presë pasivisht që qeveria njësoj si vjet të bëjë çfarë i do qejfi? Biznesi duhet ta thotë fjalën e vet fort. Duhet ta përdorë peshën e vet si aktori kryesor i zhvillimit, punësimit dhe mirëqënies në Shqipëri. Në forume, në media dhe në rrugë po lindi nevoja. Mbi 200.000 të papunët vetëm sa do të shtohen nëse biznesi nuk çlirohet nga keto taksa. Është e sigurtë që shqiptarët do jenë më të varfër në 2015. Heqja e fashës së mbrojtur prej 300 KW, dhe automatikisht rritja e çmimit i ka detyruar shumë prej tyre në prag të dimrit të mblidhen kruspull, të mbulohen me batanije dhe të presin me ankth ardhjen e të ftohtit. Shumë prej tyre janë pensionistë. Janë prindërit tanë. Ata nuk kanë me se ta paguajnë këtë paaftësi të qeverisë. Duket sikur qeveria me këto taksa të reja dhe çmimin e rritur të energjisë do që t’i vrasë shqiptarët në gjumin e dimrit. Në mos të gjithë, një pjesë të tyre. A duhet ta lëmë këtë të ndodhë? Shqiptarët duhet të çohen në këmbë të mbrojnë xhepin e tyre, të luftojne kundër varfërimit të tyre me vendime arbitrare qeverie, të mbështesin biznesin, të mbrojnë liritë e fituara që u garantojnë të tashmen dhe te ardhmen e tyre. Nuk ka rrugë tjetër!