• |
ide | kryesore

Peshëngritja shqiptare jashtë Lojërave Olimpike Rio 2016?

Arkiva, Sport
godell.JPG



Shqipëria rrezikon përjashtimin së paku me dy vjet nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të peshëngritjes, nëse Romela Begaj, Daniel Godelli dhe Hysen Pulaku rezultojnë pozitiv ndaj dopingut edhe në testin B. Një skenar i tillë do ta shihte peshëngritjen shqiptare jashtë Lojërave Olimpike të Rios, në 2016. Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF) i tha agjencisë BIRN, se në qoftë se testet A pozitive të dopingut të tre sportistëve konfirmohen, Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon një dënim dy vjeçar.

Të tre peshëngritësit kanë rezultuar pozitiv ndaj stanozololit në testin e parë, të bërë në botërorin e Kazakistanit.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza foli gjatë javës për një komplot të mundshëm nga trajneri i ekipit grek, shqiptari Luan Shabani, i cili ka stërvitur edhe tre peshëngritësit shqiptarë. Të njëjën linjë ka mbajtur edhe medalisti i arit në dygarësh, Godelli.

Ja çfarë shkruajti ai një ditë më parë në faqen e tij në Facebook:  “Morem pushket dolem malit te luftonim per atdhe ku ta dinim ne te gjoret qe armiku ish me ne”.

Teksa kuptohet që për dopingun ai fajëson persona të tjerë “armiq të brendshëm”, duket se Godelli i ka humbur shpresat tek testi B. Në një status të mëparshëm ai u bënte thirrje mbështetësve për durim deri në daljen e analizave përfundimtare.

 Përjashtimi nga Lojërat Olimpike do të ishte goditja më e rëndë për Peshëngritjen Shqiptare. Por sipas zyrës ligjore të IWF, sanksionet ndaj Shqipërisë do të bazohen në nenin 12 të rregullorës së federatës. Ajo parashikon se “nëse tre atletë të një federate testojnë pozitiv brenda një viti kalendarik, ajo rrezikon të dënohet me dy vjet pezullim ose një gjobë prej $50,000.”

Një dënim me gjobë do ta shihte sërish Peshëngritjen Shqiptare në aktivitetet ndërkombëtare, por jo Begajn, Godellin e Pulakun, pasi ata rrezikojnë të pezullohen nga dy deri në katër vjet nga aktivitetet ndërkombëtare.