• |
ide | kryesore

Si dyshohen sot muslimanët në Francë

Arkiva, Ide
Tahar.jpg



12 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, për t’i “ marrë hakun Profetit”: kështu e justifikojnë krimin e tyre vrasësit që sulmuan zyrat e revistës Charlie Hebdo. Por as Profeti (shpirti i tij), as edhe ndonjë teolog serioz nuk i ka nxitur ndonjëherë që të masakrojnë gazetarë të lirë, të angazhuar në fushën e satirës. Nga viti 1905, Franca është një vend laik, ku Kisha është e ndarë nga shteti. Por këtë, terroristët e armatosur dhe të vendosur që të vrasin, nuk e pranojnë.

Eshtë rasti për të kujtuar fjalët e Profetit Muhamed, kur nxiti ushtarët e tij që të shkojnë në Mu’ta, në Siri, për të luftuar kundër Gasanidëve që mbroheshin nga romakët: “Shkoni në emër të Zotit. Luftoni armiqtë e Zotit që janë armiqtë tuaj. Në Siri do të gjeni murgj që jetojnë në manastirët e tyre, larg prej njerëzve: mos i prekni. Do të gjeni luftëtarë që i janë dhënë Satanait: luftojini me shpatë në dorë. Mos vrisni as gra, as fëmijë, as pleq, mos çrrënjosni asnjë pemë apo palmë, mos shkatërroni asnjë shtëpi”.

Nuk është hera e parë që fondamentalistët myslimanë sulmojnë një organ shtypi. Kur Charlie Hebdo botoi karikaturat e Profetit Muhamed, revista dhe redaktorët e saj u bënë objekt kërcënimesh. Por me atentatin e të mërkurës në mëngjes u kalua në një tjetër nivel. Terroristët u shfaqën si luftëtarë të armatosur deri në dhëmbë, dhe vranë qëllimisht këdo që gjendej aty. Për fat të keq, atë ditë të gjithë firmat më të mëdha të gazetës ishin të pranishëm. Për numrin e fundit të revistës, Charb (që ishte mes viktimave) kishte realizuar një karikaturë provokuese. Shihet një burrë i armatosur me bomba dhe Charb i thotë: “Prapë nuk ka atentate?” Ai i përgjigjet: “Prit, ka kohë deri në fund të janarit për të sjellë urimet”. Ja pra, ia bënë urimet në 7 janar, në orën 11:30. Miqtë e mi Cabu dhe Volinski vdiqën së bashku me dhjetë gazetarë të tjerë. Edhe një herë do të flitet për Islamin. Po, atentatorët thirrën “Allahu Akhbar”, si të donin të firmosnin krimin e tyre. Por nuk është e thënë askund që duhet të vrasësh atë që nuk mendon si ti.

Natyrisht, kreu i Xhamisë së Parisit ka dënuar këtë akt barbar, dhe shumë myslimanë francezë kanë shprehur të gjithë tmerrin e tyre. Cfarë duhet bërë tjetër? Një zgjidhje mund të ketë, por për këtë Franca duhet të punojë krah për krah me myslimanë që banojnë në territorin e saj, duke i pranuar dhe konsideruar si qytetarë me të drejta të plota, duke i integruar në vlerat republikane. Sepse në fakt, ky akt kriminal është një sulm kundër Islamit, kundër myslimanëve që jetojnë paqësisht në Europë.

Por pikësëpari duhet të kujtojmë se këto kohët e fundit dukej se kishte nisur një gjueti ndaj Islamit dhe myslimanëve, të stigmatizuar në mënyrë të vazhdueshme, të treguar me gisht sa herë që një pjesë e caktuar e Francës kërkonte koka turku, për të shpjeguar krizën morale apo frikën nga e ardhmja. Në ajër kishte diçka ligë, të pashëndetshme – humore dhe tone racizmi, dalë nga faqet e disa librave që kanë patur një jehonë domethënëse.

Eshtë bërë tregti me urrejtjen dhe me frikën, me fiksimet dhe krizat e identitetit. Janë vënë në shënjestër imigrantët jashtëkomunitarë dhe Islami. Fronti Nacional fërkonte duart tek shihte që të rriteshin votat për të në zgjedhjet kombëtare. Ideologjia dominuese në këtë Francë në krizë, ku morali i popullsisë është i ulët dhe nuk shihen zgjidhje për papunësinë dhe pasigurinë, reduktohet në thjeshtë drejtimin e gishtit nga të huajt. Pas librit mbi “Vetëvrasjen franceze” të Eric Zemmourit, tani e ka radhën romani i fundit i Michel Houllebecq, që parashikon në 2020-ën një president mysliman të Republikës.


Tashmë frika ka vënë këmbë. Myslimanët janë të lodhur nga të qënurit të dyshuar, pengje të një krize morale dhe të identitetit. Janë të parët që janë të tmerruar nga barbaritë e ISIS dhe al Kaedës. Dhe janë viktimat e parë të këtij terrorizmi. Franca po paguan në një farë mënyre angazhimin e saj në Afrikë, në Siri dhe Irak. Ushtarët e saj luftjnë terrorizmin. Në Mali kanë arritur ta bëjë të sprapset; aviacioni francez ka kryer çdo javë sulme të ndryshëm kundër Shtetit Islamik. Dhe së shpejti, aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle do të dërgohet në Siri. Franca është në luftë kundër këtij Islami barbar. Nuk e di nëse sulmi ndaj Charlie Hebdo është një hakmarrje, apo një përgjigje e Shtetit Islamik ndaj Francës, e cila është reshtuar me Amerikën për ta luftuar. Sido që të jetë, sot janë myslimanët e Francës që shihen keq nga shumica e popullsisë. Sado që mund të denoncojnë dhe dënojnë këta akte të patolerueshëm, dyshimi mbi ta mbetet.

*Shkrimtar maroken i botuar edhe ne shqip

(e.gj./www.bota.al)