• |
ide | kryesore

Cfarë fshihet në fototekën Marubi

Arkiva, Stil
marub 3.jpg



Trashëgimia fotografike e dinastisë Marubi i ngjan një ajsbergu ku vetëm 10 për qind e arkivës është e njohur për publikun. Në godinën e amortizuar, që gjendet në një rrugicë qorre në qendër të Shkodrës, pesë punonjësit e vetëm të fototekës janë në një garë të vazhdueshme me kohën për të zbuluar portretet e panjohura që fshihen bashkë me negativët në këtë arkivë të vyer.

Në zyrën e Luçiano Bedenit, drejtor i fototekës “Marubi” që prej vitit 1992, lagështia ka ngrënë një pjesë të mirë të suvasë së murit. Ai thotë megjithatë se gjendja ka qenë shumë herë më keq.

“Uji pikonte gjithandej nga tarraca dhe për të ardhur këtu, një turisti i duhej të kalonte mbi ujërat e zeza,”thotë Bedeni për BIRN.

Godina duket edhe sot si një burg i ngushtë për gati gjysmë milion fotografitë e fiksuara në objektiv në periudha të ndryshme kohore. Por në fototekën “Marubi” ngushëllohen me faktin se nuk ka pasur humbje.

Inventarizimi i plotë i arkivës, i pari i realizuar pas vitit 1970 ka nxjerrë në dritë rafte të panjohura me negativë dhe një fond të veçantë të nxënësve të Marubit, me fotografi të kohës së shtetëzimeve apo kooperativave bujqësore.

Bedeni tregon se falë këtyre zbulimeve, kufijtë e historisë së fototekës shtrihen tanimë në një hapësirë kohore më të gjerë; nga viti 1856-1989.

Fotografitë e harruara në një raft të panjohur më parë të arkivës i përkasin dinastisë së njohur të Marubëve. Nga ana tjetër, në këtë “thesar” kombëtar janë identifikuar fotot e Lekë Vocit, Lazër Kodhelit e Hilmi Mustafës, tre nxënës të Marubëve të cilët me objektivët e tyre fiksuar kapërcimin e Shqipërisë në etapën e komunizmit.

Fototeka “Marubi” mban në bodrumet e veta 493,819 negativë. Sfida e drejtuesit të ri i kapërcen kushtet e godinës dhe mungesën e ekspertëve në këtë fushë.

“Duam të krijojmë arkivën online me të gjitha veprat,” thotë Bedeni për BIRN. Puna ka kohë që ka filluar me restaurimin e 1 mijë të parave.

Projekti i muzeut, ende në letër

Hyrja për te ndërtesa që mbart thesarin prej gjysmë milioni fotografi dhe një shekull e gjysmë histori. Foto: BIRN

Hyrja për te ndërtesa që mbart thesarin prej gjysmë milioni fotografi dhe një shekull e gjysmë histori. Foto: BIRN

Foto-studio “Marubi” është ndër të parat studio të fotografisë në Ballkan, e themeluar në vitin 1856 nga italiani Pietro Marubi. Puna e nisur prej tij do të çohej përpara nga djali i birësuar i tij, Kel Marubi dhe pasardhësi Gegë Marubi.

Në vitin 1970, fototeka u kthye në një sektor më vete i Muzeut Historik të Shkodrës dhe prej vitit 2003, ka statusin e një institucioni në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Ndryshimi i varësisë nuk ndryshoi asgjë nga indiferenca që institucionet kanë shfaqur në vazhdimësi ndaj këtij thesari të historisë shqiptare deri në marsin e vitit 2014.

Asokohe, kryeministri Edi Rama premtoi kthimin e fototekës Marubi në një pikë referimi jo vetëm për Shkodrën, por për kulturën shqiptare në tërësi. Një konkurs për restaurimin e godinës u zhvillua dhe studioja holandeze Casanova+ Hernandez e ka përfunduar projektin e vet.

Por një vit më pas, asgjë nuk ka ndryshuar në godinën historike të projektuar nga Kolë Idromeno, ku është menduar të zhvendoset fototeka “Marubi”. Luçiano Bedeni shprehet megjithatë optimist, teksa thotë se projekti i muzeut të fotografisë është në rrugë të mbarë.

Projekti fillestar u financua në kuadër të programit Hera, por donatorë të rinj, të impresionuar nga vlerat që mbart fototeka u shtuan rrugës.

Bedeni tregon se nga 300 mijë euro, projekti i ka kaluar tanimë të 2 milionë eurot dhe pritet të nisë zbatimi pas mbylljes së tenderit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Projekti holandez synon të nxisë një dialog mes të shkuarës dhe së tashmes, në një ambient të parashikuar për të qenë njëherazi tradicional dhe modern. Megjithatë, në Shkodër presin nisjen e punimeve për ta besuar se muzeu i ri nuk do të mbesë edhe këtë herë në letër.

“Projektet ndër vite janë lënë rrugës për fototekën Marubi. Por nisur nga partnerët seriozë, unë këtë herë kam shpresë,” përfundon Bedeni.

Aleksandar Bogdani/BIRN