• |
ide | kryesore

Kush ia vrau Ilir Metës qetësinë

Arkiva, Ide
mandi edit_3.jpg



Lëvizja Socialiste për Integrim brenda një kohe rekord ka nxjerrë disa herë përpara kamerave Luanin e Petritin apo të tjerë “tigra e skifterë”, për të shfaqur muskujt e dhëmbët, duke i dhënë fund kështu filozofisë së saj gati dyvjeçare: “me qetësi”. Një çështje që nisi si një problem brenda Partisë Socialiste, tashmë është shndërruar në një konflikt mes LSI dhe PD, duke e shembur me zhurmë urën imagjinare që mund të lidhte këto dy parti në të ardhmen.

Është ende e vështirë për të kuptuar nevojën e Ilir Metës për ta konvertuar në përplasje politike akuzën e një deputeti të PS, që tashmë është përjashtuar nga kjo parti. Nëse akuza është ashtu siç beson Meta, Rama apo Tahiri, një skenar haluçinant, një lojë teatrale pa prova dhe fakte, përse ajo i duhej faturuar me çdo kusht direkt dhe indirekt Berishës dhe Partisë Demokratike, pra pse duhej të kthehej në një casus belli politik?

I transformuar në një lloj “murgu”, fizikisht dhe politikisht, që predikon qetësi dhe vetëpërmbajtje, Ilir Meta mund ta kishte përcjellë edhe këtë akuzë brenda këtij profili, duke ia lënë çështjen prokurorisë dhe duke e mbyllur rrethin e saj vetëm tek Tom Doshi. Por çuditërisht, ai zgjodhi rrugën e dikurshme, atë të kundërsulmit, herë me çantën e “baba Takut” dhe herë me gojët shumëpërdorimshe të atyre që me të njëjtën lehtësi që bënin Ramën të droguar, bëjnë edhe Berishën të inkriminuar. Zgjodhi diversionin, zhurmën dhe politizimin e skajshëm të një akuze të bërë nga një deputet. Fillimisht, reagimi me një listë emrash që implikonin njerëz pranë PD-së, pastaj kërcënimi me video, futja në lojë e emrit të Shkëlzen Berishës, përmendja e rrugës Durrës- Kukës për Bashën etj., e çuan në ekstrem si asnjëherë në 15 vitet e fundit konfliktin Meta-PD. Dhe nga shenjat, duket si një rrugë pa kthim.

Përse gjithë ky shpërthim? A ishte akuza e Tomës një shkëndijë për të ndezur një flakë kaq të madhe? Dhe mbi të gjitha, a e provokoi këtë shpërthim vetë Ilir Meta, apo ai hyri pa dashje në një vorbull të tillë nën presionin e rrethanave të krijuara? Duke parë sigurinë e kryetarit të Kuvendit në raport me akuzën e Tom Doshit, duket e sforcuar që gjithë kjo zhurmë të bëhet për të shurdhuar skenarin e vrasjeve hipotetike. Po kështu, nuk duket një kalkulim i mençur që pas një investimi të mundimshëm për të krijuar imazhin e një njeriu të matur, mbi palët, të një force politike që ka si yll polar integrimin dhe jo sherret banale, që për hir të interesave të vendit është e gatshme të shërbejë si enë komunikimi mes dy palëve ekstreme, papritur t’u vërë shqelmin të gjithave dhe të rikthehet në pozicionin fillestar. Në atë të shumë viteve më parë, kur sherri dhe përplasja dominonin mbi qetësinë dhe kompromisin.

Nisur nga këto llogari, ngjan e vështirë që Ilir Meta ka dashur vetë që të hedhë në erë brenda 24 orëve filozofinë e re të qetësisë për t’iu rikthyer armëve. Ai nuk duket të ketë asnjë interes për ta bërë këtë. Më shumë gjasa ka që ai të jetë tërhequr instiktivisht në këtë spirale tensioni. Presioni i akuzave nga kundërshtarët dhe pasiguria e vazhdueshme se në ditë të këqija mund të mbështet tek Rama, e kanë orientuar drejt diçkaje që e njeh më mirë se qetësinë, drejt luftës politike. Dhe që mund t’i shkaktojë jo pak andralla.

Duke e çuar në ekstrem ndeshjen me PD-në, si me Berishën ashtu dhe me Bashën, Meta po këput fijet që i konvenonin t’i mbante, qoftë edhe të padukshme, me opozitën. Diçka që i shkon për shtat më së miri Edi Ramës, i cili e dëshiron Metën një luledielli që të rrotullohet vetëm rreth tij. Në çdo negociatë këtej e tutje, LSI-së i mbetet vetëm një alternativë, të pranojë kushtet e PS. Po kështu, duke u njehsuar me njërën palë, LSI e humbet magjinë e thithjes së votave nga dy krahët dhe mbetet brenda thesit të së majtës. Dhe më kryesorja, ky pozicion i ri vë në pikëpyetje ndonjë ambicie presidenciale që mund të ketë patur Ilir Meta. Ai zgjodhi të jetë kryetar Kuvendi pikërisht për të qenë i distancuar nga politika bajate e ditës, nga akuzat dhe sulmet, për të mos u bërë pis nga “bataku i politikës së vjetër” dhe për të krijuar një imazh të ri. Atë të politikanit perëndimor, që flet me argumente dhe pa pasione, që nuk bëhet pjesë e intrigave të vogla por që është afër interesave të qytetarëve. Një profil ky që mund të shërbente si një shkallë e sigurt për të hedhur hapin drejt Presidencës.

Por liderin e LSI, mesa duket, këtë herë nuk e mbajtën nervat. Inskenimi i PD në foltoren e Kuvendit i ka sjellë ndërmend vitin e vështirë 2011, kur opozita e asaj kohe kërkonte prapë kokën e tij. Ndonëse kishte ruajtur qetësinë dhe ishte treguar i kujdesshëm për dy vjet me radhë, përsëri emri i tij u gjend në qendër të akuzave. Ndoshta në një moment ka dyshuar në filozofinë që kishte zgjedhur së fundi, duke kujtuar se në momente të vështira ia kish dalë duke përqafuar luftën dhe jo qetësinë, akuzat dhe jo argumentet, diversionin dhe jo faktet. Prandaj nën presionin e ditëve të fundit, i kërcënuar nga opozita por i pasigurt në mbrojtjen e aleatit Rama, ai zgjodhi përsëri atë që ka ditur të bëjë më mirë: përplasjen e fortë dhe ndarjen e opinionit pro dhe kundër. Prandaj dhe i nxori me radhë shokët që pati përdorur edhe në vitet 2000 me Nanon, edhe në vitin 2011 me Ramën e që i duhen edhe tani për t’iu rikthyer rrugës së vjetër.

Ilir Meta mbase nuk ka dashur që të shkojë kaq larg sa ta shohë veten palë në një betejë ku, aktori kryesor deri dje, tashmë rri e vështron. Sot duket sikur është Rama në pozitën e moderuar dhe ka lënë LSI dhe PD që ta zgjidhin konfliktin që lindi brenda partisë së tij. Por me dashje ose jo, pozita e re e Metës ngjan e pakthyeshme. Me qëllim ose jo, ai ka ekzekutuar për dy ditë atë që krijoi në dy vjet. Tani kemi një realitet tjetër./Mapo/