• |
ide | kryesore

21 qershori/ Ku po gabon Basha?

Arkiva, Ide
IMG_20150511_010250.jpg



Lideri opozitës Lulzim Basha ka marrë mbi vete një bast me shumë risk, kur ka vendosur që t’i kthejë këto zgjedhje lokale të mesmandatit, në një referendum antiqeveritar. Gjatë gjithë muajit që sapo mbyllëm, kur shefi i opozitës ka shkuar për të prezantuar kandidatët e PD-së në rrethe, ai ka shpallur një votim plebishitar kundër politikave çnjerzore të qeverisë Rama. Kështu në 2 prill në Shkodër ka deklaruar: “Në 21 qershor do të votojmë në një referendum historik për t'i thënë jo Metës dhe Ramës”. Rreth njëzetë ditë më pas, në një mbledhje me deputetët demokratë në Tiranë:  “21 qershori është vendimtar për ndëshkimin e qeverisjes”. Në 23 prill gjatë një konference: “21 qershori referendum për taksa të ulta”.  Në 25 prill Roskovec: “21 qershori është dita e gjykimit popullor”. Në 27 prill Gjirokastër: “21 qershori do të jetë dita e gjykimit politik”. Në 29 prill në Lushnje: “Kjo votë do të jetë votë plebishitare kundër politikës së lakut në fyt”. Në  30 prill: “Ajo do të jetë hakmarrje ndaj qeverisjes së keqe”.

Pra siç mund të shihet qartë gjatë gjithë kësaj prag fushate, Basha e ka paraqitur ditën e zgjedhjeve vendore si një ditë gjykimi, si një ditë hakmarrjeje, si një ditë kur populli i shtypur do të shprehet për një referendum plebishitar.

Kjo qasje e liderit të opozitës në pamje të parë duket sikur ka një efekt mobilizues. Ajo synon të tubojë rreth vetes jo vetëm të gjithë PD-istët, por edhe të gjithë të pakënaqurit nga dyvjeçari i qeverisjes së rilindasve. Ajo synon të bëjë për vete atë pjesë të shtresës gri që mund të jetë tunduar nga premtimet e dy viteve më parë, por e ka parë tashmë që ato qenë një flluskë sapuni. Ajo synon të joshë atë pjesë të njerëzve që sot po jetojnë më keq se dje.

Por, pavarësisht këtyre arsyeve utilitare, të kuptueshme për çdo garë elektorale, vendimi i Bashës për t'i kthyer këto zgjedhje lokale në një referendum, mbart mbi vete shumë rrisqe.

Së pari PD-ja hyn në këtë betejë me shanse minimale për fitore. Ajo ka arritur të tubojë rreth vetes një koalicion shumë më modest se kundërshtarët e saj. Ajo ka gjasë të jetë viktimë e një harte të masakruar territorialisht për shkak të zgjedhjeve. Ajo nuk mundi që në këto dy vjet të bëjë një distancim serioz nga qeverisja 8 vjeçare, plot krim, korrupsion dhe pafatësi e Berishës. Pra për të gjitha këto arsye, opozita nuk hyn e favorizuar në këtë përballje.

E po t'i shtosh kësaj faktin se vitrina kryesore e kësaj gare do të jetë Tirana, kjo e bën edhe më të rëndë pozitën e Bashës. Nëse sot shumëkush është i pashpresë, pasi socialistët po vazhdojnë inercinë e qeverisjes së keqe të Berishës, në pushtetin lokal, Basha, nuk ka bërë asgjë më shumë se vazhdimin e abuzivizmit të Ramës.

Pra, përpjekja për ta paraqitur 21 qershorin si një plebishit,  mund të duket e dobishme deri atë të dielë, por mund të rezultojë fatale pas kësaj date. Sepse duke u përpjekur që ta kthejë këtë garë elektorale në një referendum për akuzat, qëndrimet dhe tezat e veta ndaj dyshes Rama- Meta, në fund Basha rrezikon t'u japë atyre një konfirmim. Le të mendojmë për një çast sikur koalicioni i majtë të dalë fitues.

A e di kush ç'do të ndodhë një ditë më pas? 

A mos do të thotë kjo se politikat e ndjekura këto dy vite ishin ato të duhurat?

A mos do të thotë kjo se qeveria aktuale ka qenë jo tolerante me krimin, jo selektive më ndëshkimet dhe jo abuzuese me ligjin?

Po nëse ndodh kështu ç'do të bëjë Basha vetë: do të japë dorëheqjen? Do të rishikojë qëndrimet? Do të ribëjë politikat?

Ja pra pse vendimi për t’i shpallur zgjedhjet lokale si një referendum kundër qeverisjes qëndrore, vetëm dy vite pasi është larguar vetë nga pushteti, është një vendim që ngre shumë pikpyetje për PD-në. Përparësia që duket sikur merr sot, mund t'i kthehet nesër në katastrofë.

Por, përpos PD-së dhe atij vetë kjo qasje e Bashës është e dëmshme dhe për publikun. Këto dy vite po vihet re gjithnjë e më shumë rritja e një mase kritike njerëzish që e kanë dënuar me forcë qeverisjen e PD-së dhe që janë po aq të pakënaqur me pasardhësit e tyre. Kjo është ajo masë që mund të votojë për të pavarurit nëse ka, që mund të shkojë në plazh atë të dielë, që mund të bojkotojë fare zgjedhjet pasi nuk ndihet e përfaqësuar. Ajo mund të durojë që politikanët tek të cilët nuk beson të bëjnë lojën e tyre. Por do të ishte shumë e rëndë për të sikur të dëgjonte pas 21 qershorit, Metën dhe Ramën të bërtisnin se e kanë fituar referendumin për qeverisje të mirë.  Se populli i bekoi me votë aktet e tyre dy vjeçare.

Edhe për këtë Basha po gabon duke shpallur një referendum kundër qeverisjes. Për shumë njerëz gara e 21 qershorit do të jetë një garë mes PS dhe PD. Një krahasim mes liderëve të tyre, mes kandidatëve që kanë zgjedhur, mes parimeve që mbrojnë kur janë në opozitë dhe krimeve që bëjnë kur vijnë në pushtet.  Por ajo s’mund të jetë kurrë një plebishit mes të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës.  Sepse edhe nëse Lulzim Basha e humb këtë garë elektorale të cilës ai po i jep nota referendare, kjo do të jetë thjeshtë humbja e tij. Por ajo nuk mund të jetë asesi humbja e atyre njerëzve që janë shumë më tepër se PD-ja aktuale dhe që vazhdojnë të besojnë se Shqipëria po qeveriset keq e më keq.  /Lapsi.al/