• |
ide | kryesore

Pse gënjeu Meta dhe ditën e fundit?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET (2)_7.jpeg



 

Kreu i Lsi, ka gjetur një rrugë ekstreme në ditën e fundit të fushatës, për tu përballur me akuzat e kundërshtarëve të tij. Duke folur nga Durrësi, në takimin përmbyllës, Ilir Meta i ka cilësuar shpifje, ato që janë thënë kundër forcës së tij politike, duke bërtitur përpara turmës se: shqipëtarët nuk votojnë për shpifësit.
Në fakt për Ilir Metën dhe për mënyrën se si Lsi-a po bën fushatë janë thënë shumë të vërteta dhe të pavërteta ditët e fundit. Por një gjë është e qartë: në pothuajse të gjitha zonat ku garon LSI-a, fushata nuk ka qenë aspak reflektim i parrullës "me qetësi dhe dashuri". Ajo përkundrazi ka qenë më e tensionuar, me më shumë hije dyshimi dhe më e acaruar. Shembulli i Vorës është domethënës për këtë. Prezenca e ushtrisë shtetërore, friksimi i zgjedhësve, sulmi banditesk ndaj biznesit të rivalit (i cili gjithashtu nuk është një ëngjëll) janë një provë që LSI-a ka hyrë me shpatë në dorë në këto zgjedhje.
Synimet e asaj që shumëkush e cilëson si "ndërmarrjen private të Metës" janë të qarta. Ajo kërkon të fitojë sa më shumë nga 15 bashkitë ku konkuron, jo vetëm për të treguar se nuk preket nga akuzat, por dhe me qëllim për tu shtrirë në territor. Specialistët elektotalë thonë se krijimi i një bastioni në pushtetin lokal i dyfishon votat në zgjedhjet e përgjithshme, dhe vetë Meta nuk e fsheh se ai ka pretendime ambicioze për 2017-ën. Ai kërkon t'i imponohet me të gjitha mënyrat Ramës dhe këto zgjedhje janë një etapë e rëndësishme në këtë strategji.
Pikërisht për këto arsye, LSI po lufton dhëmbë për dhëmbë dhe me të gjitha mjetet në sejcilën nga 15 bashkitë ku konkuron. Dhe përderisa nuk është zënë me preshë në duar, ajo do të vazhdojë ta bëjë këtë. Madje do i duket sikur është në të drejtën e saj, sepse tjetër gjë është paragjykimi që shumica e njerzve kanë për LSI-në dhe tjetër gjë faktimi i mëkateve të saj.  
Kjo sjellje prej hajduti të pa kapur mund ta lejojë LSI-në të vazhdojë garën, por ajo kurrësesi nuk mund të shndërrohet në një kartë morale, për tu tundur në tribunat elektorale. Prandaj dhe tentativa e Ilir Metës në Durrës, për ti quajtur shpifje akuzat kundrejt tij, dhe për ta përdorur këtë si një "çertifkatë pastërtie" duke thënë se shqiptarët nuk votojnë për shpifësit është shumë, vërtet shumë. Kjo përpjekje për ti ndarë palët në shpifës dhe të pastër, ndoshta është gënjeshtra më e madhe e fushatës.
Po qe se njerëzit nuk votonin për shpifësit, Ilir Meta dhe Edi Rama as nuk do ta kishin pasur guximin të hynin në këtë garë. Me të gjitha ato që i kanë thënë njëri – tjetrit (shiko rubrika lajme Lapsi.al) ata s'do ti shikonin dot zgjedhësit në sy.
Por ata janë në këtë betejë dhe për më tepër duket se do ta fitojnë atë. Të gjitha sondazhet e nxjerrin përpara çiftin në pushtet. Pothuajse të gjitha qytetet e mëdha pritet të meren prej tyre.
Kjo me sa duket do të vërtetohet kur të fillojnë të dalin rezultatet e para në 22 qershor. Por edhe pasi kjo të ndodhë, ajo do të jetë thjeshtë një fitore kundër të njëjtit kundërshtar që megjithëse e ka hequr nga lista emrin e Berishës si kryetar, vazhdon të ruajë fytyrën dhe diktatin e tij. Ajo do të jetë ndeshja e kthimit e një sfide ku humbësi i herës së parë, ka vazhduar të ruajë me kokëfortësi, të njëjtin formacion, të njëjtën filozofi dhe të njëjtin stil. Si e tillë ajo nuk mund të shihet kurrë si një garë mes shpifësve dhe viktimave të tyre. Ilir Meta mund ti mposhtë rivalët e tij berishistë, por me k&;të nuk do marrë dot edhe një çertifikatë pastërtie. Sepse shija brutale e fushatës së tij, nuk mundet të fshihet me numra.
Lapsi.al