• |
ide | kryesore

Pse Meta mund t’ia prishë festën Ramës

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET (2).jpg



Edi Ramën nuk ka ka pse e shqetëson pesha fizike e Ilir Metës përpara peshës së njollës që partia e tij mund të lërë në epilogun e këtyre zgjedhjeve. Nisma e fundit e LSI-së për të kthyer në tavolinë rezultatin e nxjerrë në terren në Vorë, rrezikon ta shkatërrojë imazhin e vendit dhe ta rrokullisë atë në kohët e errëta të fillimviteve 2000. 
Duke nisur me mitingashë që pas përfundimit të numërimit, duke angazhuar punonjësit e gjendjes civile, duke futur në vathë prokurorë (gjë që opozita e ka treguar me foto), duke konfirmuar për ditë e më shumë zërat se e ka blerë shumicën në KQZ, LSI po tenton ta njollosë rëndshëm këtë proces. Sot kjo parti po përgatitet të fillojë procesin legal për votat e tepërta të gjetura në kuti, për 587 zgjedhësit e zhvendosur në shtëpitë e punonjësve të bashkisë së Vorës dhe për të treguar se fitorja e kandidatit të opozitës me 258 vota nuk është reale. 
Në këndvështrimin e parë, ashtu si çdo forcë politike, LSI-a është në të drejtën e saj të ketë objeksione. Madje në kushte laboratorike, kërkesën e saj do të duhej ta mbështesnin edhe të gjithë fanatikët e zgjedhjeve të pastra e të ndershme, që kërkojnë me insistim ndëshkimin e çdo parregullsie në garat tona elektorale. Dhe me siguri që të tilla në Vorë ka pasur. Fiqiriu, që dikur shpërndau paratë e të dëmtuarve në Gërdec, nuk është sigurisht një shenjt. Ashtu si shumë fitues të tjerë të kësaj gare edhe ai ka mëkatet e tij. Ndaj kalimi në filigran i këtij procesi nuk do të kishte asgjë të keqe. Madje ai mund të konsiderohej edhe një nismë në interes të publikut.
Por fatkeqësisht ai nuk është as i tillë dhe as në dobi të shumicës qeverisëse. Ja përse…
Le të fillojmë me argumentat se hapja e kësaj kutie pandore nuk i volit kësaj mazhorance. Nëse çështja e Vorës rishqyrtohet, ajo nuk mund të bëhet vetëm për thasët me miell të Ismailit dhe për të shpërngulurit fiktivë të tij. Fushata na tregoi se Vora qe shumë më tepër se kaq. Fushata na tregoi fytyrën më të egër të dhunës shtetërore aty. Me polici që intimidonte pjesmarrësit në mitingje të opozitës; me punonjës të ministrisë të Bujqësisë që krijonin afera për të mbyllur biznesin e kandidatit rival; me taksidarë që kërcënonin me gjoba bizneset e vogla që njiheshin si mbështetës të PD-së; me banditë që u mernin kartat e votimeve me dhunë atyre që votonin për herë të parë (një rast i tillë u denoncua në emisionin Opinion nga Blendi Fevziu); me punonjës të ministrisë së Drejtësisë që kërcënonin noterët me heqje liçense, Vora është një njollë e pushtetit në këto zgjedhje.
Rikthimi i saj në vëmendje nuk i intereson shumicës as për një arsye tjetër. Sepse pyetja që lind menjëherë pas kësaj është: nëse ky precedent vendoset, a duhet rishikuar edhe çështja e votuesve fiktivë në Durrës dhe Kavajë? A duhen përsëritur edhe aty zgjedhjet? Pavarësisht se në këto bashki rezultati qe i thellë, krimi nëse është kryer është kudo i njëjtë dhe si i tillë ai duhet ndëshkuar me të njëjtën masë dhe me të njëjtën peshë. Po a i intereson kësaj shumice të krijojë efektin boomerang duke rihapur dhe çështjet e Durrësit e të Kavajës?
Por mbi të gjitha, e padyshim kjo është edhe më e rëndësishmja, kjo nismë e Ilir Metës nuk i volit as interest publik. Nëse LSI e fillon këtë proces ajo nuk do të ndalet. Përvoja e zgjedhjeve shqiptare na tregon se nëse pushteti angazhohet në kthimin e një rezultati ai bën kërdinë. Në këtë rast Ilir Meta do të ngjante me një elefant në një butik kristalesh. Me urdhërin e tij do të binin njëri pas tjetrit, Prokuroria, KQZ-ja, Kolegji Zgjedhor, ashtu sikurse e kemi parë që prej vitit 2001, kur ai qe kryeministër, e deri në vitin 2011, kur ai mbështeti rrëzimin e rezultatit të zgjedhjeve të Tiranës. Kur pushteti hyn për të ndërruar një rezultat të nxjerrë nga terreni, dëmi që ai shkakton është disa fish më i madh sesa fitorja që ai merr. Pikërisht ky është edhe rasti i Vorës.
Prandaj dhe Edi Rama, nëse vërtet e ka për zemër rezultatin e 21 Qershorit, duhet të ketë guximin t’i thotë ndal aleatit të tij të panginjur. Mbi të gjitha ai, pikërisht ai, e di shumë mirë se sa pikë i jep një force politike vjedhja e rezultatit në tavolinë. Ai grusht votash që atij vetë i morën në Tiranë ishte oguri i parë i fortë për ardhjen e tij në pushtet dy vite më pas. Edhe për këtë, ai duhet të gjejë forcën t’i thotë ndal Ilir Metës. Ta bëjë këtë edhe publikisht e politikisht (nëse ka alibinë e mosndërhyrjes në institucionet e pavarura). Ta bëjë këtë në emër të së majtës, nëse kauza në emër të interesit publik e shqetëson më pak. Ta bëjë këtë edhe sepse interesi i disa bizneseve buzë autostradës dhe meraku për t’i kthyer borxhin importuesit të verërave të ditëlindjes përrallore është shumë më i vogël se gjërat që janë në lojë.
/lapsi.al/