• |
ide | kryesore

Rama është në hall me Metën

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333.jpg



Në skandalin e denoncimit të Ilir Metës si përfitues parash korupsioni, të publikuar nga agjensia BIRN, kryeministri Rama është përpjekur thjeshtë të shpërlajë fytyrën. Jo me shqiptarët të cilëve nuk ka se çfarë tu thotë, por me bashkëkryetarin e koalicionit që po kërkon ta sigurojë se nuk e ka tradhëtuar ai. Menjëherë sapo disa media ribotuan “scoop”in që e akuzonte Metën per përfitime nga fondi që CEZ i kalonte mikut të tij Kastriot Ismailaj, kryeministria nxitoi të flase. Ajo kembenguli se në raportin e avokatëve të shtetit shqiptar, Ilir Meta nuk përmendet me emër. Pra shkurt dhe troç i gjithë meraku i lexueshëm i Ramës qe që të betohej: “Nuk të kam shitur unë vëlla”.

Nuk është e vështirë të imagjinohet se çfarë ka ndodhur. Në mes të mardhënies së acaruar Rama -Meta (më e keqja dhe më e pashpresa e qeverisjes së përbashkët dy vjeçare), kur ka dalë ky dokument, njerzit e kryeparlamenarit kanë ushtruar presion të drejtpërdrejtë. Ja një provë tjetër se Rama na ka tradhëtuar: Ata që kanë nxjerrë dokumentat janë pjesë e studios ligjore Clifford Chance, pra nga një studio që mbron interesat e shtetit shqiptar dhe që paguhet prej tij. Në klimën e paranojës që ekziston, në frikën e Metës se Rama po e shet tek ndërkombëtarët ose po i nënshtrohet presionit të tyre për ta kryqëzuar atë, kjo është marrë si një provë e goditjes me thikë pas shpine. Presioni ka vazhduar e ka vazhduar deri sa nga zyra e kryeministrisë ka dale ajo deklaratë hemafrodite e cila në vend që të sqarojë publikun për bëmat e Ilir Metës, marjen e mundshme të ryshfetit, trafikun e tij të supozuar të influencës, që i ka shkaktuar miliona shtetit shqiptar, rolin e tij si sekser midis kompanive të mëdha dhe zyrtarëve të koruptuar, pra në vend që të sqaronte të gjitha këto, është munduar të qetësojë Metën duke i thënë se avokatët e qeverisë nuk kanë përmendur kurrë se ai ka marrë para në dorë.

Po si është në të vërtetë kjo histori e cila mund të gjendet e plotë në rubrikën Lajme të Lapsi.al (ose në shkrimet e renditura këtu poshtë)?

Ilir Meta akuzohet se ka marrë ryshfet nga paratë që çekët e CEZ i kanë kaluar mikut të tij tashmë të burgosur Kastriot Ismailaj. Avokatët që mbrojnë qeverinë shqiptare kanë deklaruar sipas BIRN, se bëhet fjjalë për nje ish kryeministër ta akuzuar për korrupsion. Por përpos ryshfetit, mbi Ilir Metën janë hedhur edhe hije shumë më të rënda se marrja e parave nën dorë. Sipas investigimit, ai ka lobuar që Ismailaj të bëhej nënkontraktor i CEZ it për të mbledhur shumën e borxheve prej afro 200 milionë eurosh që kjo kompani kishte akumuluar. Faktin se Ilir Meta ka lobuar për ish mikun e tij sot të burgosur, e ka konfirmuar edhe ish drejtuesi i CEZ, Jozef Hajsek. Madje shtypi shqiptar ka raportuar që në vitin 2010 për një udhëtim privat tejet enigmatik, të ish zv kryeministrit në Pragë për të ndikuar që ky pazar të mbyllej.

Pra në thelb, nëse e rikapitulojmë këtë histori, ajo ngjan si dy pika uji me videon e famshme Meta- Prifti të publikuar në të njëjtën kohë kur bëheshin këto tratativa. Në të dyja rastet nuk ekzistonte prova se Ilir Meta e kish futur në xhep rryshfetin, por del qartë se ai ka lobuar duke shfrytëzuar postin e tij, se ka bërë trafik të pastër influence, për të ndihmuar miqtë dhe klientët e vet. Por ndryshe nga afera e videos, që mbeti e pakryer dhe në tentativë, denoncimi i tanishëm i BIRN është më i rëndë. Sepse sot, miku i burgosur i Metës, Ismailaj, falë lobimit të këtij, është në gjyq ndërkombëtar kundër shtetit shqiptar. Ai kërkon të rëmbejë plot 120 milionë euro nga taksat e atyre taksapaguesve që sot po tentohet të rishtrydhen edhe njëherë në emër të luftës kundër informalitetit.

Por, nëse dy aferat e zhvilluara në kohën kur Ilir Meta qeveriste me Berishën ngjajnë si dy pika uji, si shembuj të pastër të trafikut të influencës dhe të kapjes së shtetit, ai që ka ndryshuar radikalisht është qëndrimi i Edi Ramës ndaj trajtimit të tyre. Herën e parë ish shefi i opozitës doli vetë para selisë së PS-ë, për të denoncuar "pazaret e të gjatit me të trashin", duke lëshuar alarmin me anë të slloganit që ai e krijojë enkas për këtë ngjarje: "ata vjedhin Shqipërinë për të vjedhur vota dhe vjedhin vota për të rivjedhur Shqipërinë”. Me të drejtë atëherë Rama vinte në pah rrezikun shtetshkatërrues të praktikave të tilla, mes një Mete që rrëmbente dhe një Saliu që e toleronte për hir të pushtetit.

Po sot?

Mjafton të lexosh deklaratën e dalë nga zyra e komunikimit të kryeministrisë për të kuptuar gjendjen e mjerueshme ku gjendet Rama. Ashtu si Berisha pas publikimit të videos, që kishte hall se mos i mërzitej Meta, që i shkoi në darkë në shtëpi natën para procesit, që lëshoi lakejtë e tij për ta mbyllur historinë me gjykatësit e lartë, edhe Rama ka vetëm një shqetësim: të tregojë pas presioneve të Metës, se këtë radhë nuk e ka shitur ai. Pak rëndësi ka seç mendon publiku. Pak rëndësi ka se në deklaratën e kryeministrisë anashkalohen, lobimi, trafiku i influencës, mbështetja e njerzve të dyshimtë që ushqejnë korrupsionin dhe shtetkapjen. Rëndësi ka të mos mërzitet Meta dhe të mos bëhet shkak për prishjen e koalicionit.

Pikërisht me mënyrën si po sillet ndaj denoncimit të bërë nga BIRN, Rama po jep një shembull më shumë te prekjes së tij nga virusi ngjitës i berishizmit. Vetëm se në këtë rast ai ka një hendikap më shumë. Ai e di se sa i kushtoi Berishës, mbrojtja me çdo çmim dhe kundër interesit publik, që i bëri Metës. Prandaj tani ai është në hall. (lapsi.al)