• |
ide | kryesore

Rama peng

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333.jpg



Sado të fshihet pas statuseve në Facebook, Edi Rama po dëshmon përditë e më shumë se është peng. Peng i partnerit të tij të koalicionit. Peng i deputetëve që ka përzgjedhur vetë (me pretekstin se i duheshin për të ruajtur vjedhjen e votave të Berishës) dhe peng i kryebashkiakëve (që i rizgjodhi pamvarësisht se alibia Berisha kishte rënë). Peng i krimit dhe aferave korruptive që po i plasin përditë.

Edhe sot, pas ngjarjes së tmerrshme të Laçit, kryeministri u shfaq në Facebook me lehtësinë e padurueshme të atij që kujton se mund t'i marrë njerëzit për leshko. Ai deklaroi se koha e të paprekshëmve ka shkuar bashkë me Saliun. Po çdo të thotë kjo?

Në thelb Rama përdori të njëjtin refren e që e përsërit prej dy vjetësh: “Në kohën tonë kriminelët kapen, ndërsa në kohën e Saliut ata largoheshin në drejtim të paditur”. Këtë gjë tha kur një oficer policie në Vlorë u kap i lidhur me trafikantët e drogës. Këtë gjë tha kur një punonjësi i lartë i administratës së tij u zbulua se vidhte paratë e ilaçeve të të sëmurëve shqiptarë. Këtë tha edhe shumë kohë më parë, kur një drejtoreshë arsimore u kap duke u marrë para mësuesve injorantë që përzgjidheshin të mësonin fëmijët tanë, pikërisht në kohën kur pushteti ri propagandonte konkurset dhe reformën e thellë në arsim.

Pra tani është e qartë: në fushat kryesore të kantierit të reformave të tij (rend, shëndetësi, arsim etj) kryeministri Rama na ka dhuruar simbole ulëritëse të shkatërrimit të shtetit. Ndaj tallja e tij se “mëkatarët” kapen, është një ironi e pavend me fatin e shqiptarëve. Përpara se të na tregojë se si kapen ata që vrasin, vjedhin dhe abuzojnë ditën për diell, tani është momenti që Rama të na japë llogari se pse i zgjodhi këta njerëz deputetë, se përse bëri këto aleanca politike, se pse sistemi i tij i përzgjedhjes ka infiltruar në administratë vetëm mostra të tilla abuzimi. Rama nuk është në atë karrige për tu mburur se arrin ti kapë ata që na bëjnë keq, ai është në bankën e të akuzuarve për të na treguar se pse i ka dhënë mburojë shtetërore atyre që e kanë të shkruar në ballë që janë nisur për të na bërë keq.

Për të koha e justifikimeve ka kaluar. Përpjekja për ti hedhur hi sy diplomatëve të huaj se deputetët që duhet të dënoheshin i liroi Meta në gjykatën e lartë, kotësia për të na mbushur mendjen se i përzgjodhi “të fortët” për të përballuar Berishën, tallja me publikun për të na ngushëlluar se gjithsesi në regjimin e tij kriminelët kapen, nuk funksjonojnë më.   

Ndryshe nga sa na garantoi dy vite më parë: se është sistemi ai që i përmirëson njerëzit, tani pas gjysmës së ushtrimit të pushtetit, ai po dëshmon se janë njerëzit me të cilën ai ka bërë pakte, që po mbajnë peng atë vetë dhe sistemin.

Pikërisht për këtë Rama prej kohësh nuk përballet më me problemet. Ai i shmanget thelbit të trajtimit të tyre duke u marë gjithnjë e më shumë me pasojat dhe duke anashkaluar shkaqet. Sepse tek shkaqet ai ka dorë vetë.

Pikërisht ky ngërç kjo ndjenjë e të qenit peng, kjo pafuqi reale për tu ndeshur me të keqen e ka detyruar atë së fundi të ndryshojë edhe strategjinë mediatike. Rasti djeshëm, ai i censurimit të pa precedent të një interviste, pjesa e parë e së cilës ishte transmetuar, po tregon se zullumi ka arritur deri në atë pikë, sa duhet filluar strategjia e blerjes së medieve. Kur realitetin nuk e ndryshon dot, mënyra e vetme është të shpikësh një të ri. Dhe Rama e ka filluar këtë rrugë. Herë duke ridhënë leje ndërtimi në buzë të detit, të ngjashme me pallatin e Kokdhimës në Qeparo, herë duke premtuar ristrukturime borxhesh dhe herë duke lëshuar kërcënime për ata që vazhdojnë të rrezistojnë. Por kjo strategji vetëm mund ti japë favorin e blerjes së kohës, ajo nuk mund ta shpëtojë kurësesi nga fati i të qenit peng. (lapsi.al)