• |
ide | kryesore

Pse nervozohet Rama nga një raport i OSBE

Arkiva, Ide
ArmandShkullaku.jpg



Një fushatë e qeverisë Rama, direkt dhe indirekt, që kërkon largimin e OSBE-së nga Shqipëria, të sjell ndërmend një peticion të hekurudhës së Durrësit, në kohën kur Berisha ishte president, që kërkonte mbylljen e BBC në shqip se transmetonte lajme kundër pushtetit. Marrja me lajmësin dhe jo me lajmin është një sëmundje e hershme e politikës shqiptare, por që së fundi po shfaqet më dendur se asnjëherë.
 
Raporti konfidencial i OSBE-së nuk është qëndrimi zyrtar i kësaj organizate, por sulmi ndaj saj dhe ndaj mediave kritike nuk mund të shmangë pyetjen mbi arsyet se përse ajo ka mbledhur informacione të tilla mbi përfaqësuesit më të lartë të qytetarëve shqiptarë dhe, a i besojnë këta të fundit ato që thuhen aty për të zgjedhurit e tyre. Pikërisht kjo është pjesa që i dhemb më shumë kryeministrit dhe të cilën, pavarësisht fushatës justifikuese që ka ndërmarrë, nuk mund ta lehtësojë.
 
OSBE, ashtu si BE dhe SHBA në deklaratat e tyre, në qendër të raportit (pavarësisht të dhënave individuale) ka faktin se në Kuvendin e Shqipërisë ka elementë me rekorde kriminale. Këtë e dinë edhe qytetarët shqiptarë, ashtu siç e dinë që kryeministri Edi Rama është njeriu që ka përzgjedhur me dorën e tij shumicën prej tyre. I ka përzgjedhur për interesa politike, financiare apo emocionale, kjo është çështje e tij që nuk ndikon mbi të vërtetën kryesore. Ai i ka përzgjedhur dhe i ka mbrojtur publikisht disa prej tyre, si me fjalë ashtu edhe me akte të qarta në zgjedhjet e fundit lokale. Përballë një filozofie të tillë të të bërit politikë, shqetësimi ndërkombëtar ka ardhur në rritje duke u shndërruar në presion të qartë mbi kryeministrin si njeriun kryesor që duhet të reflektojë për kapjen e shtetit nga krimi dhe paratë e krimit.
 
Raporti i OSBE-së është bërë një vit më parë, pikërisht në kohën kur Sekretari Xhon Kerri shpalli si platformë të qeverisë së SHBA-së luftën kundër krimit të organizuar dhe oligarkisë në vendet me demokraci të brishtë si Shqipëria. Ndryshe nga akuzat politike, që Berisha i bën Ramës apo Rama i bënte Ilir Metës, këto që kanë lidhje me depërtimin e krimit në strukturat vendimmarrëse të shtetit, merren seriozisht nga partnerët ndërkombëtarë dhe nuk trajtohen ashtu si ka bërë kryeministri shqiptar deri më tani. Kapja e shtetit nga krimi përbën rrezik për stabilitetin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të rajonit. Dhe këtu, çështja bëhet vërtet delikate. Zhvillimet më të fundit në Shqipëri dëshmojnë vërtet se sa seriozisht e kanë marrë SHBA dhe BE këtë proces.
 
Nëse do të flitej para një viti për këtë fenomen, askush nuk do të besonte se brenda disa muajsh disa deputetë do të arrestoheshin e të tjerë do të largoheshin. Ata kishin mbrojtje të fortë politike, madje edhe kur demonstronin publikisht akte dhune apo kur kryeministri mbyllte sytë për mënyrën se si u vinte radha në listën e deputetëve. Shumë prej tyre kishin statusin e të paprekshmit e madje nuk përmendeshin as me emër. Por pikërisht të dhëna si ato të OSBE-së, që u shkojnë për verifikim edhe shërbimeve të huaja, angazhimi amerikan dhe europian, presioni i opozitës e mbi të gjitha, mbërritja e ambasadorit Lu në Tiranë, provokuan shpërthimin e parë të së keqes së majisur në zemër të mazhorancës. Nisën të përmenden emra konkretë, të propozohej një ligj për dekriminalizimin dhe presioni mbi liderin e mazhorancës, si kurrë më parë, u manifestua edhe në raportin e Departamentit të Shtetit. Rezultatet e para po shihen, por sigurisht që është vetëm fillimi.
 
Pikërisht ky fillim, që nuk dihet ku e ka fundit, e ka çorientuar dhe e ka bërë të pasigurt kryeministrin Rama. Në vend që të ndërmarrë angazhime konkrete për t’iu përgjigjur një alarmi të tillë, ai po shpenzon energji duke u marrë me mediat, opozitën dhe OSBE. I nervozuar u shfaq edhe në takimin me policinë për luftën kundër drogës dhe gati duke bërtitur dukej sikur thoshte: “Unë jam i pafajshëm, mos besoni çfarë thonë për mua”. Edi Rama e ndjen që procesit të dekriminalizimit i dihet fillimi por jo fundi, që gati çdo ditë ai mund të përballet me raste si ai i Laçit që çojnë te përgjegjësia e tij individuale politike dhe se e gjithë kjo histori mund të dëmtojë besimin e tij te shqiptarët. Por ky besim nuk rikuperohet duke sulmuar OSBE-në, duke nxjerrë deputetë me argumente idiote se “ne i morëm të fortët që të mbronim votat nga Berisha” apo se shumë prej individëve problematikë janë shprehje e koncentruar e zonave prej nga vijnë. Aq më pak rikuperohet duke akuzuar opozitën dhe duke marrë pozën qesharake të atij që po i largon vetë të inkriminuarit. Edi Rama e humbi rastin ta bënte këtë akt kohë më parë, por tani duhet të mos humbë kohë duke u marrë me të tjerët, por me veten. Procesi që ka nisur kërkon prej tij prova të sinqerta reflektimi dhe jo reagimi kur gjendet përballë faktit të kryer. /Mapo/