• |
ide | kryesore

Sondazhi/ Ja si votojnë shqiptarët nëse zgjedhjet mbahen sot

I pakategorizuar
Bujar-Nishani-Kryeministri-Edi-Rama-Kryetari-i-Kuvendit-Ilir-Meta-Kryetari-i-PD-Lulzim-Basha.jpg


Respublica ka publikuar sot rezultatet e një sondazhi të kryer së fundmi nga Eduard Zaloshnja, ku tregohet se nga anojnë preferencat e shqiptarëve nëse do të zhvilloheshin sot zgjedhjet parlamentare. Nga sondazhi rezulton se partitë e vogla do të merrnin sot shumë më pak vota në zgjedhje parlamentare, në krahasim me 2013-ën (rreth 185 mijë vota më pak). PD-ja duket se është përfituesja më e madhe nga kjo firo e partive të vogla. Rezultatet për tre partitë kryesore janë si më poshtë:

Rreth 640 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (30%) votojnë për PS-në. (Në zgjedhjet e 2013-ës, PS-ja mori rreth 715 mijë vota.)

Rreth 620 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (29%) votojnë për PD-në. (Në zgjedhjet e 2013-ës, PD-ja mori rreth 530 mijë vota.)

Rreth 175 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (8%) votojnë për LSI-në. (Në zgjedhjet e 2013-ës, LSI-ja mori rreth 180 mijë vota.)

Rreth 85 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (4%) votojnë për partitë e vogla si PDIU, PBDNJ, FRD, PSD, PDK etj. (Në zgjedhjet e 2013-ës, partitë e vogla morën rreth 270 mijë vota gjithsej.)

Rreth 70 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (3%) do të votonin sot për partinë që pritet të krijojë Gjergj Bojaxhiu (Në zgjedhjet e 2013-ës, rreth 1/3 e përkrahësve të Bojaxhiut ka votuar për partitë “e majta”, rreth 1/3 për partitë “e djathta” dhe rreth 1/3 nuk morrën pjesë në votim.)

Zaloshnja sqaron se sistemin aktual elektoral, secilës prej dy partive më të mëdha do t’i duhet të bëjë koalicion me LSI-në për të krijuar qeverinë, në qoftë se zgjedhjet zhvillohen sot. Në një sistem proporcional kombëtar me prim, nevoja për koalicion do të kushtëzohej nga madhësia e primit dhe nga niveli i pragut elektoral.

Ndërkohë nga rreth 390 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (18%) janë të vendosur të mos marrin pjesë në votim. (Në zgjedhjet e 2013-ës, rreth 470 mijë të tillë nuk morrën pjesë në votim.)

Rreth 175 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (8%) janë të pavendosur. (Shumica e të pavendosurve janë njerëz që votuan “të majtën” në zgjedhjet e 2013-ës.)

Marzhi i gabimit statistikor për këtë sondazh është plus/minus 3.2%. Anketimi u krye me telefon/celular me 1000 banorë të Shqipërisë në moshë për votim./