• |
ide | kryesore

Bunkeri ishte loja!

Arkiva, Ide
artan-fuga-700x381.jpg



Përpara disa kohësh kur midis grupeve të ndryshme që kanë arsye ta shohin me inat Bunkerin që është në qendër të Tiranës, dhe që duket sikur ekuilibron, ruajna Zot, nga ndonjë tërmet, Bashkinë e Krahinës, Ministrinë e Brendshme, Teatrin Eksperimental, Xhaminë dhe Kullën e Sahatit, dhe forcave të rendit që e mbronin atë vepër arti sikur të ishte afreske të Mikelanxhelos në mure Katedralesh, u shpreha se ishte një lloj teatri eksperimental që luhej përpara kamerave të televizionit.

Dje përgjatë protestës kundër politikave të qeverisë, organizuar nga opozita, duke parë skenat mbi dhe rreth Bunkerit, m’u duk se shfaqja e përpara disajavësh po vazhdonte.

Mirëpo gjatë goditjeve dhe zjarrit që u ndez në Bunker u zbulua edhe një mister i vetë Bunkerit, shumë mistere, që dalin në dritë veç kur ka ngjarje të tilla. Nuk ka nevojë të bësh studime, mjafton vetëm të shohësh në televizor. Cfarë misteresh mo? Ja prisni e bëni pak durim!

+++

Unë nuk mendoj se protestuesit dhe organizatorët e protestës donin vërtet ta prishnin atë Bunker.
Poqese do të donin ta prishnin mund të kishin ngarkuar një eskavator të vogël, terminator, në një rimorkio Skode të vjetër, ta kishin sjellë aty dhe puna mbaronte e pastër brenda një ore. Shekulli ka krijuar vegla dhe nuk kishte pse të përdoreshin ca si kazma që me bishtin e gjatë dukeshin si kryqe kryqtarësh që shkojnë për të prishur ndërtime të shenjta të feve kundërshtare. Nëse nuk kishin mundësi për të sjellë një eskavator të vogël, po ca qysqi elektrike apo si quhen nga ato që qendrojnë të ngulura si pinca te partizani i Panjohur apo te Hyrja e Tiranës, këtij qyteti që është madhështor nga pastërtia dhe shkalla e zbukurimit për Vit të Ri, dhe kur banorët kanë vetëm një shqetësim, të hanë Gjelin, nuk gjenin dot? Mjaftonin dy a tre nga ata mjeshtrat aty, për pesë lekë e kishin rruajtur dhe qethur Bunkerin brenda dy orësh. Por, gjithsesi, me një kazëm me bisht të gjatë dhe dy qysqi as bëhej fjalë se mund të prishej ai Bunker.
Organizatorët e dinin këtë, pra nuk kanë dashur ta prishin. As kanë guxuar ta mendojnë madje.
Nga kjo pikëpamje Bunkeri nuk është veçse pak dëmtuar. Por, që të jemi të saktë, dëme ka pësuar, por dhunë në protestë nuk pati. Duhet të jemi të kujdesshëm kur përdorim termat sepse shumica e komentatorëve ja fusin kot.
Dëmet mbi Bunker nuk ishin pasojë e instiktit të shkatërrimit të disa protestuesve.
Aspak. Po të ishte kjo ata do ta kishin ushtruar këtë instinkt edhe mbi objekte të tjera, pemë, vetura, lulishte, etj., por një gjë e tillë nuk ndodhi. Mos i akuzoni pa të drejtë protestuesit për vandalizma. As krahasime pa vend me 1997 kur nga këto vandalizma pati. Me Bunkerin ishte një sulm i qartë me simbolikë politike. Pra, mund të pranohet se u shkaktuan dëme materiale mbi të, por jo si pasojë e instiktit të shkatërrimit të një pjese inkulte të protestuesve, aspak, por si pasojë e një objekti politik që ishte dëmtimi i Bunkerit si simbol politik që disa thonë se u kujton idenë se diktatura nuk duhet të vijë më, kurse disa të tjerëve ju kujton se diktatura po rivjen me simbolet e veta.
Cila është e vërteta? Askush nuk mund ta gjejë sepse shenjat materiale janë ambige nga pikëpamja semantike.
Por, në këtë rast duheshin pyetur shoqatat e të persekutuarve, si ju duket atyre?, dhe jo shoqatat e policëve të para 90, të liruar e disa të dekoruar për trimëri në ditën e sulmit të Italisë Fashiste mbi Durrësin plak.
Dëmtime pati mbi Bunker, patjetër, bashkë me to, edhe imazhi i Shqipërisë në botë iku përsëri në kanal, por unë jam i bindur se askush, në fakt, nuk donte ta shkatërronte Bunkerin. Por, kaq është shumë pak. Ku është misteri mo ???
Ata çunat e shkretë mbi Bunker që vazhduan të përpiqen ta gudulisnin pak mbetën vetëm përpara kamerave që filmonin live.
Teatër urban live!!!
Vetëm ne mund ta prodhojmë. Ministria e Kulturës mund të japi çmimin e Vitit për rregjinë më të mirë televizive dhe pastaj edhe çmimet Kult.
Të tjerët ikën. Nuk kishin asnjë pasion kolektiv për t’u marrë me Bunkerin. Donin të përplaseshin me policinë dhe kur panë se policia e lëshoi Bunkerin, edhe ata e lëshuan inatin ndaj Bunkerit. A nuk ka shkruar Frojdi se tabuja e lind libidon dhe jo libidoja tabunë???
Ata çunat e shkretë, që më dhimbeshin në ato momente, m’u dukën se ishin trajtuar si puntorë me mëditje.
Sikur dikush nga protestuesit u kishte dhënë ndonjë pagë dhe u kishte thënë : Vazhdoni prisheni Bunkerin? Ne po ikim. Pa ju dhënë veglat. Por, edhe ata e kuptuan se porositësi i punimeve nuk e kishte seriozisht, prandaj vazhdonin goditjet pa u kujdesur për efikasitetin e tyre. Punë kot, sa për të marrë lekët. Si puna e ndonjë universiteti privat që bën sikur jep dije, por hallin e ka të marri lekët. Nuk është çudi që edhe ata mëditës të jenë paguar nga lekë universiteti të mbledhura nga studentë që duan të marrin dije dhe shohin paratë të ikin në drejtime të paditura.
Pra, as protestuesin nuk donin të prishnin Bunkeri, as goditësit nuk e donin këtë gjë. Por, as policët nuk donin ta mbronin. Me mosveprimin e tyre policët morrën pjesë në shkatërrimin e Bunkerit, ose në mos-shkatërrimin e tij. Ta mbronin do të thotë ta shkatërronin, kurse të mos e mbronin do të thoshte ta ruanin nga shkatërrimi. Pamja e policëve që u kthenin kurrizin gioditësve të Bunkerit a thua se ata po siguronin punonjësit e Unikut gjatë prishjes të një ndërtimi pa leje, ishin fantastike. Pas këtyre pamjeve çdo investitor i huaj do të jetë i sigurt për investimet e tij në territorin shqiptar.
Pra, as policët nuk donin ta ruanin, as goditësit nuk donin ta shkatërronin Bunkerin.
Kjo e bën gjithçka teatër eksperimental. Lojë teatrale, teatër urban eksperimental i filmuar live nga kamerat televizive. U dëmtua gjë Bunkeri? Unë mendoj se ai, në atë gjendje që është, është zbukuruar edhe më shumë dhe bën pjesë në zbukurimet e Bashkisë të Krahinës për Vitin e Ri.
Një Bunker merr vlerë kur mbi të kalon historia, kalojnë rrebeshe dhe ai i duron. Dëmtimet mbi të nuk janë veçse nishane bukurie të rrallë. Asnjë Bunker i kohës moniste nuk e pati këtë fat që të eksperimentohej i gjallë, nën filimime televizive mediash moderne duke i rrezistuar rrebesheve mbi të. Dhe ja doli me sukses. Bravo!
Protesta godiste një Bunker një nuk donte ta prishte, kurse policia bënte sikur mbronte një Bunker që nuk donte ta ruante. E gjitha kjo nën thirrjet e masës : Fitore, Fitore!
Goditja e Bunkerit pjesë e protestës kundër politikave të këqia të qeverisë?
Por, cfarë lidhje ka Bunkeri me to?
Sepse është simboli i neobllokmenëve që po zbatohet dhe mishërohet te Bunkeri? Kjo është të ngatërrosh simbolin me realitetin. Cfarë zhvendosje e hatashme e dinamikës politike. Politikat gërryejnë realitetin shqiptar, jo sot, por prej dekadash, kurse beteja e protestave zhvendoset në një botë imagjinare, drejt një simboli virtual, që akumulon tërë energjinë e protestës dhe ligjërimet mediatike pas saj. Nuk kemi tjetër veçse sikurse thoshte edhe një herë çifuti i Vjenës nga kabineti i tij psikanalitik, një zëvendësim të realitetit me ëndrrën, me imagjinaren, me simboliken, çka e shohim për ditë si formë deliri kolektiv.
Njera palë krijon realitete virtuale në imagjinatë dhe pala kundërshtare lufton kundër objekteve imagjinarë virtualisht me qysqi pa maja.
Gjithçka ndodh në ëndërr ndërkohës që realisht njerëzit janë në gjendje traumash nervore kolektive dhe në prag të krizave. A nuk është devijimi i energjive shkatërruese reale drejt objekteve imagjinare mënyra më e mirë e administrimit të prirjeve thanatosiane kolektive të një popullsie të zhveshur nga gjithçka?
+++
U zhvesh misteri? Jo, jo, prit se ka akoma!!!
Pak durim ju lutem!
Goditësit me mëditje, puntorët pa vegla, mbi Bunker, papritur na zbuluan një tjetër të fshehtë të atij që quhet vepër arti bunker.
Ai në fakt nuk paskësh qenë një vepër arti, por një Bunker i vërtetë.
Nuk është formë artistike vetëm, lojë, dukje, imazh, dhe pas tij nuk ka gjë tjetër, jo, ai është realitet i vërtetë. Eshtë një Bunker i vërtetë. Me beton, armatura hekuri, etj. Ai nuk jepej nga goditjet.
Lërë kur disa nga protestuesit donin ta shkatërronin duke ndezur zjarr me letra brenda tij. Digje betonin me flakë kashte! Tym e zjarr qielli i Shqipërisë! Si në këngët partizane.
Art është përpjekja për ta prishur, kur vetë objekti për t’u prishur ishte real. Gjithçka përmbys. Ajo që duket si reale është vepër arti : protesta kundër Bunkerit !, kur ajo që duket si vepër arti, Bunkeri vetë, është real.
Një vepër arti ka dy mundësi. Ose merret një bunker i vërtetë i kohës dhe vendoset si objekt arti, sikurse është ai mjerani pranë ndërtesës të Komitetit Qendror të Partisë, ose ndërtohet një tjetër, fallco, që ka formë artistike, por që nuk është një objekt i vërtetë. Sepse po të jetë objekt i vërtetë i ndërtuar rishtaz, nuk është Bunker-art, por është Bunker i vërtetë.
Vepra e artit është dukje, lojë, paradoks midis pamjes reale dhe brendisë materiale që është imagjinare. Por, goditësit me mëditje na treguan misterin se ai Bunker ishte beton dhe hekur i gjallë. Ai aty na qenka jo zbukurim urban, por pjesë e ndërtimeve reale urbane. Mbase supozohet se mund të goditemi nga ndonjë fuqi e huaj dhe nëpunësit e Bashkisë të Krahinës mund të strehohen aty, bashkë me studjuesit pensionistë që ende vazhdojnë të qendrojnë në sallën e vjetruar e me aroma kalbësire të Bibliotekës Kombëtare.
Kazma që kthehej mbrapsht kur godiste mbi Bunker, zbuloi një mister që askush nga gazetarët që komentonin pamjet televizive nuk pati aftësinë ta shohi. Komentonin sikur kishin nga ndonjë komisar mbi krye, me revolver mbi kokë, për të folur ato që duhej, e jo parë ato që shfaqeshin në pamjet e ardhura live nga operatorët e shkretë.
Ai nuk ishte vepër arti, por Bunker i vërtetë. Madje me material të cilësisë të lartë.
Cfarë arti mo? Është njësoj sikur në një skenë teatri, për të inskenuar një vrasje, aktori të qëllojë me të vërtë me një revolver real dhe ta vrasi realisht tjetrin. Kur prokurori ta pyesi : Ke bërë vrasje? Aktori – vrasës të përgjigjet : Jo, mo, ishte art skenik!
Ose sikur të bëhet një film për kampin e të burgosurve në Spaç dhe rregjia ta ndërtojë realisht kampin e burgut, të rrasi brenda të burgosur – artistë, t’i ndryjë aty për nja njëzet vjet, t’i detyrojë të nxjerrin qymyr nga minierat, t’i rrahë e torturojë dhe kur dikush nga shoqatat e të drejtave të njeriut të kërkojë llogari se si është e mundur që janë rikrijuar kampet e të burgosurve politikë, rregjia t’u përgjigjet : Ca thuaj moj shtrigë, nuk është veçse një film!