• |
ide | kryesore

Flet hetuesi i kohës së komunizmit Shyqyri Çoku: At Zef Pllumin nuk e kam rrahur!

Arkiva, Dossier
at-zef-pellumbi1.jpg



Shyqyri Çoku ka qenë në qendër të lajmeve këto ditë, për shkak të dekorimeve të një viti më parë.

Ai ka folur për herë të parë, duke mohuar torturat ndaj At Zef Pllumin.

Ndërsa Sami Repishtin, thotë se nuk e njeh fare.

At Zef Pllumin e kam njohur pasi ky, në bashkëpunim me një prift tjetër, do të arrestoheshin në Jugosllavi dhe i kanë kapur forcat dhe i kanë sjellë në degën e brendshme.

Aty, kryetari i degës, më ka thirrur dhe më thotë se këta të dy kanë dashur të arratiseshin, e pranuan dhe nuk pati asnjë akt dhune nga ana ime.

Unë thjesht kam mbajtur procesverbalin e marrjes në pyetje, duke shkruar atë që ai thoshte dhe nuk e kam torturuar. Ai nuk ka pasur asnjë akuzë tjetër, pasi kishte qëllim që të shkonte në Vatikan. Kurse Sami Repishtin nuk e kam njohur asnjëherë dhe as e kam patur në hetim”, thotë ai nga Shkodra ku dhe jeton, për gazetën Shekulli.

 Z . Çoku, ju keni keni qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, siç ju kanë akuzuar këto ditë?
Jo, nuk kam punuar asnjëherë me këtë strukturë. Kam qenë vetëm në polici. Kur u vendosen gradat kam shkuar deri Kapiten i Parë. Pastaj gradat u hoqën. Kam punuar në policinë e qytetit tek ura e Kirit. Sigurimi i Shtetit ka qenë strukturë dhe ndërtesë me vete.

Si i keni njohur At Zef Pllumin dhe Sami Repishtin?
At Zef Pllumin e kam njohur pasi ky, në bashkëpunim me një prift tjetër, do të arrestoheshin në Jugosllavi dhe i kanë kapur forcat dhe i sollën në degën e brendshme. Aty, kryetari i degës, më ka thirrur dhe më thotë se këta të dy kanë dashur të arratiseshin dhe merri në pyetje. Ishte bërë një proçes-verbal për rrethanat që janë kapë. Akuzën se deshën të arrtiseshin e pranuan dhe nuk pati asnjë akt dhune nga ana ime. Unë thjesht kam mbajtur proçes-verbalin e marrjes në pyetje, duke shkruar atë që ai thoshte dhe nuk e kam torturuar. Ai nuk ka patur akuzë tjetër, pasi kishte qëllim që të shkonte në Vatikan. Ndërsa Sami Repishtin nuk e kam njohur asnjëherë dhe as e kam patur në hetim. Ai më rradhit mua në radhët e Sigurimit të Shtetit, por kjo nuk është e vërtetë. Më quan major i Sigurimit të Shtetit në vitin 1990, ndërkohë që unë kam dalë në pension në vitin 1986. Kam qenë punonjës i policisë që në formimin e saj më 14 maj 1945 dhe kam kryer detyrën nbë bazë të ligjeve, mbi të cilat u krijua dhe funksiononte kjo polici, ligje këto të botuara dhe në gazetën zyrtare me rastin e 20-vjetorit të krijimit të kësaj, më 1965, ku, ndër fotot e punonjësve të policisë jam dhe unë.

Sigurimi i Shtetit nuk ka qenë kurrë pjesë e policisë. Sami Repishti më akuzon se nuk kam luftuar me armë në dorë për arsye të moshës dhe këtë e hedh poshtë me dokumentet që disponoj, fotot me formacionet partizane, madje ruaj dhe traktin e parë që kam shpërndarë. Më 15 janar 1948 jam dekoruar me Medaljen e Çlirimit me motivacionin: “Ka marrë pjesë në rreshtat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare me armë në dorë, ka luftuar kundër okupatorit për çlirimin e Atdheut”. Gjithashtu më kanë dhënë dhe Medaljen e Trimërisë me motivcionin “Luftëtar trim, shembull qendrese e vetëmohimi në luftë kundër okupatorit për çlirimin e atdheut”. Po kështu kam edhe 10 dekorata e medalje të tjera që vërtetojnë statusin e veteranit. Sami Repishti përmend dhe vëllezërit Gavoçi, se i kam patur daja, por në fakt kanë qenë djemtë e tezes, por me statusin e vëllait, pasi ata janë rritur në një shtëpi me mua, nga nëna ime. Nuk është e vërtetë që kam zaptuar shtëpinë e tregtarit Dan Hasan Dani. Unë, bashkë me familjen time, jam vendosur në atë shtëpi në vitin 1981, kohë në të cilën ajo ishte pronë e shtetit, banesa nr. 120. Që nga shtetëzimi i saj dhe deri në vitin 1981, kur kam hyrë unë, në atë shtëpi, kanë banuar shumë familje, njësoj si në të gjitha shtëpitë që iahin kthyer pronë shtetërore. Kjo është e dokumentuar.

Ditët e fundit flitet shumë për dekoratën e dhënë për 70-vjetorin e çlirimit. Sipas jush përse bëhet aq shumë zhurmë?
Askush nuk e bën pyetjen pse ndodh kjo pas një viti që është dhënë dekorata. Është absurde që kjo ndodh për një dekoratë të dhënë pas një viti. Pse nuk ndodhi kjo vitin e kaluar, kur edhe u dha dhe morivacioni i saj është për pjesëmarrje në luftë, me rastin e 70-vjetorit të çlirimit dhe, siç e thotë dhe ish-presidenti Alfred Moisiu, këto medalje janë dhënë për pjesmarrjen në luftë dhe jo për kohën pas çlirimit dhe as për përfitime pasurore. Këto përfitime nuk i kam lakmuar dhe nuk i kam pasur asnjëherë. Në vitet pas çlirimit kam punuar me ndershmëri duke zbatuar gjithmonë ligjet në fuqi. Po të kisha punuar ndryshe do të kisha marrë dënimin përkatës edhe në atë kohë. Kanë kaluar 25 vite nga ardhja e demokracisë dhe tani u kujtuan për Shyqyri Çokun.

Një ndër argumentet që paraqiten në media apo dhe artikulohen nga figurat politike, është dhe dekreti i vitit 1994 për statusin e veteranit nga ish-presidenti Berisha. Si është e vërteta ?
Këtu kam të gjitha dekoratat, por pas 1990 nuk kam marrë asnjë, përveç kësaj të vitit 2014 për 70-vjetorin e çlirimit. Në vitin 1994 më është dhënë thjesht statusi i veteranit dhe shuma përkatëse e parave, si për të gjithë pjesmarrësit në luftë. Sami Repishti më akuzon për gjëra të pavërteta. Nuk e kam parë kurrë dhe as nuk e kam njohur fare. Ai gënjen dhe kjo është e faktuar, me ato që thashë dhe më sipër. Më quan major të Sigurimit më 1990 kur isha në pension që më 1986. Kjo është një zhurmë për asgjë. Dekorata është dhënë për një periudhë kur kam kontribute, siç është lufta dhe kjo nuk mund të mohohet.

Jam krejt i qetë, sepse gjatë gjithë punës, duke u mbështetur në ligjet e shtetit, jam bazuar në provat që kam patur. Kur vinte dikush nga kolegët në zyrën time shihnin një xham ku kisha foton e tre fëmijëve të mi. Habiteshin dhe më pyesnin se çfarë ishte ajo. U thoja se më ka porositur gruaja që të shikoja ligjin mirë që të mos i merrja fëmijët në qafë. Gjithçka sipas ligjit. Nuk kam përfituar asgjë, asnjë privilegj gjatë punës sime. Kur kam dalë në pension, janë marrë parasysh. Ato lekë që janë dhënë më 1994-ën nuk është se kanë çuar peshë, sepse edhe pa to nuk do vdisnim. Të gjitha medaljet që kam marrë më janë dhënë për shërbim ndaj atdheut. Meqë kjo medalja e fundit u bë mollë sherri mes forcave politike, jam gati ta dorëzoj, madje edhe aty në mes Parlamentit. Ndoshta kështu mund t’i shërbej atdheut përsëri.

Cili është mesazhi juaj pas gjithë kësaj situate ku jeni përfshirë duke ju përmendur pareshtur?
Mendimi im është që, kur ti ngarkon dikë, akuzon dikë për një problem duhet ta verifikosh atë. Për çdo lloj problemi, qoftë dhe për rastin konkret, ato që shprehen duhet të verifikojnë dhe të thonë të vërtetën, duke mos shpifur, pasi kjo shkakton dhe mërzitje.

Por At Zef Pllumi tregon ndryshe në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue”.

At Zef Pllumi
LIBRI III
ROBNIA E GJATË
1967-1989
GJYQET E POPULLIT VAZHDOJNË
Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.
– Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.
– Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?
– I shkrova se i the ti.
Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi (Shyqyri Çoku) më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë I Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Përveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? – pyet Enveri. – Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
– I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, – iu drejtova Shyqit (Shyqyri Çokut), – por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.
– Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: “Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len”. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.
Atëherë thirri me të madhe:
– Jonuz, e ke gadi tjetrin?
– Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pvesin aty.
– Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.
Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.
****
Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te “kafazi i të pandehurve”. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: “Drejtësia në shërbim të popullit”. Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi (Shyqyri Çoku) më tha:
– Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.
Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.
– E vetmja gja që i mungon asht ngrfoja.
– Ditë kaq të ftohta janë të rralla.
– Sot asht 7 gradë nën zero, – tha Shyqi (Shyqyri Çoku).
****
Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:
– Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?
– Sigurisht që po!
Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi (Shyqyri Çoku) shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:
– A asht motra jote ajo?
– Jo, nuk e njof.
– Nuk e njef?
Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.
*****
Shyqyri Çoku më tha: – Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin.
Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital ten e dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dje jo të fesë, tha ajo”