• |
ide | kryesore

“Vrima”, Rita Petro: Ma përplasën në fytyrë vargun tim: Tani je në dorën time!

Arkiva, Stil
10805360_10203458166320913_1388685402_n.jpg



“Çmimin “Lumo Skëndo” nuk ma lanë ta shijoja asnjë orë”, rrëfen Rita Petro, autorja e librit me poezi erotike “Vrima”.

Kritikëve, Rita Petro iu përgjigj në një interviste për “Gazeta Shqiptare”, ku i quan mllefe të gjitha etiketimet.

Libri ka më shumë se një vit që është botuar, por reagimin më të fortë ia dhanë përmes rrjeteve sociale.

Atë që poetja e sheh si erotikë, lexuesit e panë si banale.

Ato që janë shkruar me shumicë në rrjetet sociale nuk janë kritika, por mllefe, mllefe të njerëzve të cilët u shfrytëzuan nga një “censurë diktatoriale”. Shikoni, diktatorët gjithnjë për të qëndruar në pushtet nuk kanë përdorur vetëm pushtetin, por më së shumti ndikimin te psikoza e turmës. Në këtë rast, “diktatori”-media (disa të tilla) drejtpërsëdrejti e acaruan këtë turmë, e cila përbëhet jo vetëm nga njerëz të pakulturë, por këtyre shumë shpejt iu bashkëngjitën grupi i atyre që shkruajnë gjithnjë për inate politike, grupi i atyre që janë aktivë në fushën e letërsisë e ndihen të konkurruar dhe, së fundi, grupi i njerëzve që kanë shije tjetër për letërsinë. Këta të fundit do t’i respektoja për mendimin ndryshe dhe të argumentuar” ka thënë poetja.

Duke folur përmes vargjeve të saj, Rita Petro e sheh reagimin ndaj librit si vazhdimësi e presionit që një femër përballon nga shoqëria, familja dhe institucionet.

Vargjet e përzgjedhura janë nxjerrë jashtë kontekstit nga poema e parë dhe është abuzuar me të… Në “Poemën e fundit për dashurinë”, individi, në rastin konkret femra, sapo vjen në jetë, bie në dorë të mjekut që ia pret kërthizën, e cila e lidhte me Zotin, e më pas rrotullohet në kufijtë e ngushtë që i vihen përpara nga konvencionet e shoqërisë, familja, institucioni arsimor, policor, ai i drejtësisë, martesor etj., etj. Dhe të gjithë i tregojnë me gisht: “Tani je në dorën time…”. E njëjta gjë ndodh edhe me mashkullin e parë që ajo njeh. Ato vargje që janë aq të drejtpërdrejta dhe të thata, stilizohen në mënyrë të tillë, me qëllimin që të godasin, sikurse në jetë. Vajza është ushqyer me përralla dhe askush nuk i ka folur për aktin seksual. Dhe ai mbetet i tillë në vetvete, pa mundur të kombinohet më vonë me ndjenjën e vërtetë të dashurisë. Të njëjtën gjë ndjeva dhe unë me turmën dhe disa media, që ma përplasën në fytyrë vargun tim: “Tani je në dorën time!”.